Presidenti i Maqedonisë zgjedh bregdetin shqiptar për pushime

498
Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov ka zgjedhur bukuritë e bregdetit shqiptar për të pushuar në këtë stinë të nxehtë vere. Së bashku me familjen, kreu i shtetit maqedonas ka udhëtuar në Jalë në këtë fillim gushti për të shijuar bukuritë e Jonit. Presidenti maqedonas ka zgjedhur të qëndrojë 1 javë në hotel “Folie” dhe është parë nga pushuesit e tjerë të relaksohet nën diellin dhe detin e Jalës. Në fakt, Jala dhe bregdeti i Jonit kanë qenë destinacione të preferuara edhe të zyrtarëve të lartë shqiptarë të të gjitha trevave: më parë aty ka pushuar presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Por, kjo është hera e parë që një kryetar i një shteti të huaj, zgjedh vendin tonë për pushime.
Bukuritë e bregdetit të Shqipërisë kanë joshur vitet e fundit me mijëra turistë të huaj, të cilët preferojnë cilësinë e kombinuar me çmime të arsyeshme. Po kështu, mjaft media prestigjioze ndërkombëtare kanë reklamuar bukuritë e vendit tonë duke i ftuar shtetasit e tyre të vizitojnë “vendin e shqiponjave”. Vetëm pak ditë më parë, “Tgcom”-i italian u kushtoi një reportazh të gjatë fotografik bukurive të vendit tonë. Po kështu, prestigjiozja gjermane “Bild”, në një artikull ku fton lexuesit që të vizitojnë Shqipërinë, promovon turizmin si vlerë dhe mrekullitë natyrore që duhen eksploruar në vendin tonë.

MEDIAT E HUAJA
“Në Shqipëri? Po, pse jo?! Vendi i vogël që laget nga Adriatiku dhe Joni ka plazhe të mrekullueshme, kulturë të pasur, thesare natyrore dhe njerëz miqësorë, e mbi të gjitha çmime të lira.” Kështu e niste përshkrimin e Shqipërisë artikulli i cili ka për autor Oliver Abraham dhe më pas vijon me përshkrimin e një darke të paharrueshme në Durrës, në tarracën e një restoranti me pamje nga deti. Durrësi këshillohet për të gjithë të dashuruarit pas ushqimeve të detit, si një qytet ku gjen të ndërthurura kuzhinat më me emër ndërkombëtare dhe traditën vendase. Për të mos u humbur, sipas “Bild” është edhe një shëtitje në bulevardin qendror të qytetit, nën hijet e palmave dhe dyqaneve e kafeneve që kanë se çfarë i ofrojnë kujtdo. Pak kilometra larg Durrësit, “Bild” këshillon një vizitë në Kalanë e Krujës. Kalaja krijon një atmosferë mistike për vizitorët, që përforcohet akoma më shumë me një kthim në Mesjetë me vizitën në pazarin e vjetër të qytetit. Këtu vizitorët mund të gjejnë suvenire të ndryshme, tapete, qilima, veshje tradicionale, punime artizanale nga më të ndryshmet e krejt të veçanta. “Bild” u këshillon lexuesve një vizitë në Muzeun e Krujës, për t’u njohur në pak minuta me historinë mijëravjeçare të popullit shqiptar. Më tej, udhëtimi i “Bild” zhvendosej në jug të vendit, ku për të gjithë të apasionuarit pas natyrës këshillohet vizita në zonat malore të Gjirokastrës dhe Syri i Kaltër. Në Sarandë, shkruante “Bild”, mund të gjeni në pak metra distancë, nga hotelet me pesë yje e deri te hostelet. Është një prej destinacioneve turistike kryesore në Shqipëri dhe një pjesë e madhe e vizitojnë për Parkun Kombëtar të Butrintit dhe rrënojat antike atje.
Sigal