Olldashi: “Mitingu i Roskovecit ishte me të vërtetë i mrekullueshëm”

Kryeministri Berisha prezantoi dje  në Roskovec kandidatët për deputetë të PD-së  për Qarkun e Fierit, ku listën e kryeson ministri i Transporteve, Sokol Olldashi. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha theksoi se gjatë këtyre viteve Shqipëria ka bërë përparime të mëdha në infrastrukturë, shëndetësi, arsim etj.. Kreu i qeverisë theksoi më tej se prioritet i PD-së është marrja e statusit dhe hapja e negociatave për në Bashkimin Europian ndërsa nuk la pa sulmuar edhe opozitën. “Ne do marrim statusin dhe do hapim negociatat me Bashkimin Europian. Ne duam votën tuaj sepse ne duam të krijojmë 250 mijë vende pune. Ne krijojmë vendet e punës sepse me reformat tona bizneset e vogla u rriten me 80 për qind dhe bizneset e mëdha deri në 200-300 për qind. Ne krijojmë vende pune sepse ne hoqëm taksën mbi çdo lloj kapitali dhe mbi çdo lloj makineri për biznesin”,- tha Berisha. Berisha premtoi se në 4 vitet e ardhshme do të financohet bujqësia shqiptare me 165 milionë dollarë si dhe do rritet me të paktën 30 për qind krijimi i vendeve të punës në bujqësi. “Zotohem që së bashku me këta deputetë do të asfaltojmë çdo rrugë të Roskovec dhe gjithë territorit të tij, do të ndërtojmë të gjithë ujësjellësit dhe lagjet e Roskovecit. Ky do të jetë 4 -vjeçari i vaditjes dhe e sistemit vaditës më modern në Shqipëri”,- tha Berisha. Kryeministri sulmoi sërish Kryesocialistin Rama, ndërsa ka mbrojtur TVSH-në për produktet bujqësore të cilat sipas tij mbrojnë prodhimin vendas. Kryesuesi i listës së PD-së për Qarkun e Fierit, kandidati për deputet Sokol Olldashi, përshtuan edhe emocionet që ndjeu pas këtij bashkëbisedimi të zjarrtë dhe të përzemërt me banorët e Roskovecit. “Mitingu i Roskovecit ishte me të vërtet i mrekullueshëm. Ju faleminderit të gjithëve. Përpara!”

Do vijojmë uljen e mëtejshme të taksave

NOA

Kryeministri Berisha inauguroi dje  nisjen e punimeve për rikonstruksionin e rrugës Qerret –Karpen në komunën Golem të Kavajës. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha theksoi se, falë uljes së taksave u bë e mundur rritja e bizneseve në vend si dhe u trefishuan eksportet. Kryeministri u zotua se shumë shpejt do të nisë puna për ujësjellësin e Qerretit si dhe do të asfaltohen të gjitha rrugët në çdo skaj të Kavajës në katër vitet që do të vijnë. Kreu qeverisë premtoi sërish marrjen e statusit pasi sipas tij integrimi i Shqipërisë në BE, bën të mundur që fermerët e Shqipërisë, të përfitojnë qindra milion euro subvencione nga BE. “Kjo është rruga e zhvillimit ndaj dhe ne ju ftojmë, që më 23 Qershor, të votoni së bashku 44, votoni PD për interesat tuaja më të rëndësishme, për zhvillimin fermave tuaja dhe zhvillimin e turizmit. Ju jap fjalën, se më këta kandidatë, do të shndërrojmë në realitet çdo projekt për fshatrat dhe komunat tuaja”,- tha Berisha.