Oerd Bylykbashi: Procesi për zgjedhjen e KLP është i korruptuar politikisht

1054
Në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, deputeti Oerd Bylykbashi shpjegoi skemën se si Partia Socialiste po bëhet gati të vendosë nën kontroll politik institucionin më të rëndësishëm të drejtësisë, Këshillin e Lartë të Prokurorisë. “Nga ky institucion do të dalë kandidatura për Prokurorin e Përgjithshëm dhe do të zgjidhet Prokuroria e Posaçme, SPAK, që ka për detyrë hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta. Partia Socialiste e ka shtrirë kapjen politike të KLP-së me 11 anëtarë në dy drejtime, duke kontrolluar 5 anëtarët joprokurorë që zgjedh Parlamenti dhe duke kontrolluar procesin e zgjedhjes së 6 prokurorëve nëpërmjet presionit të Kryeprokurores së përkohshme antikushtetuese”, theksoi Bylykbashi. Deputeti Bylykbashi theksoi se veprimet e Partisë Socialiste për kapjen politike të Këshillit të Lartë të Drejtësisë kulmuan me emërimin kundër përcaktimeve të Kushtetutës të kryeprokurores së Përkohshme, nëpërmjet të cilës synojnë të kontrollojnë shumicën e 6 anëtarëve të tjerë prokurorë. Oerd Bylykbashi shpjegoi se lëvizjet joligjore që kryeprokurorja e përkohshme antikushtetuese po bën në prokurori, janë sinjali më i qartë i presionit ndaj prokurorëve. Bylykbashi tha se në një sistem “de facto” të centralizuar, prokurorët nën presionin e lëvizjes nga vendi i punës do të votojnë sipas urdhrave të një kryeprokuroreje politike, pa mandat, sepse është emëruar pa veting dhe jo me 3/5-at. Oerd Bylykbashi tha se kapja politike e Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga Edi Rama shpreh frikën e tij se një drejtësi e pakontrolluar prej tij do të përplaste pas hekurave të burgut anëtarët e qeverisë dhe kriminelët që kanë pas.
Sigal