Në konferencën për shtyp pas Samitit të Komunitetit Politik Evropian, Kryeministri Edi Rama dhe Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, u pyetën mbi çështjen e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe ecurinë e Shqipërisë në këtë drejtim.
Me humor Rama u përgjigj: “Nuk u martuam dot sot!”
Nga ana e saj, Frederiksen theksoi se procesi i zgjerimit duhet të vazhdojë, por nënvizoi se gjithçka do të varet nga kriteret e meritokracisë. “Disa vende kanë bërë punë goxha të mirë. Ne duhet të jemi bashkë, por ky proces duhet të bazohet te merita. Nuk ishte pjesë zyrtare e rendit të ditës, por të gjithë e kuptojnë sa e rëndësishme është kjo çështje,” tha ajo.
Rama sqaroi se formati i këtij samiti nuk ka të bëjë drejtpërdrejt me zgjerimin e BE-së apo me procesin e anëtarësimit. Megjithatë, ai përmendi se Presidenti i Këshillit Evropian kishte mbajtur një fjalë të gjatë lidhur me pozicionin aktual dhe hapat që duhen ndërmarrë.
“Ne duhet të bëjmë atë që na takon dhe pastaj t’u kërkojmë atyre të bëjnë atë që i takon,” përfundoi Rama.