Nisma për shkarkimin e Presidentit është politike, por jo ligjore dhe as kushtetuese

298
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

‘Zëri i Amerikës’: Konstitucionalistët  komentojnë vendimin e parlamentit për të shkarkuar Presidentin

Në Tiranë, ekspertët e legjislacionit shqiptar pohojnë se Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë do të përballet me disa sfida jo të lehta profesionale, pasi të marrë në dorëzim vendimin e djeshëm të parlamentit për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës, Ilir Meta, për shkelje të rënda të Kushtetutës. Sipas konstitucionalistëve, sfidat kanë të bëjnë me gjykimin mbi procedurat e ndjekura deri sot nga Kuvendi, me përmbajtjen e vendimit të djeshëm dhe me vlerësimin nëse shkeljet e Presidentit janë apo jo të asaj shkalle sa të justifikojnë shkarkimin e tij.

“Gjykata mund të shfrytëzojë Opinionin e parë të Komisionit të Venecias, si dhe mund të kërkojë një Opinion të ri nga Venecia për rastin e fundit, nëse shkeljet e konstatuara janë vërtet aq të rënda”

Konstitucionalistja Aurela Anastasi: Vendimi të kalojë nga Komisioni i Venecias

Studiuesja e çështjeve kushtetuese dhe profesorja e kësaj fushe në fakultetin e drejtësisë të Universitetit të Tiranës, Dr.Aurela Anastasi, thotë se pavarësisht nga konsultimi me raste të tjera, Gjykatës Kushtetuese i mbetet detyra për të thënë fjalën e fundit nëse shkeljet e Presidentit janë apo jo të asaj shkalle sa të justifikohet shkarkimi i tij.  Dr. Aurela Anastasi: “Shembujt në botë me shkarkime presidentësh janë të pakët për të ofruar larmi praktikash dhe kjo është hera e parë që ndodh në Shqipëri, ndaj Gjykata Kushtetuese është duke themeluar një precedent, po themelon një shembull të parë. Gjykata Kushtetuese do të mbajë parasysh të gjitha vlerat kushtetuese me qëllim që ky precedent të shndërrohet në një precedent pozitiv, sepse kjo do t’i interesonte pastaj të mirës në drejtësi dhe të mirës së vendit. Dhe të mos lejojë të shndërrohet në një precedent negativ, që mund të rrezikojë referimin në praktika të gabuara, që shkelin Kushtetutën,  etj. Gjykata mund të shfrytëzojë rastet e shteteve të tjera dhe Opinionin e parë të Komisionit të Venecias për një nismë të ngjashme, si dhe mund të kërkojë një Opinion të ri nga Venecia për rastin e fundit, nëse shkeljet e konstatuara janë vërtet aq të rënda sa të përbëjnë shkak kushtetues për shkarkimin e tij nga detyra. Mundet që çështja të kërkojë kohë për nga shqyrtimi dhe kjo kohë mund të rritet mjaft nëse Gjykata Kushtetuese shfrytëzon mundësinë që i njeh ky ligj për të kërkuar një Opinion të ri nga Komisioni i Venecias. Nëse Gjykata Kushtetuese do të ndjekë afatet e zakonshme, kjo çështje do të zgjaste me muaj. Nëse Gjykata Kushtetuese do të vendoste ndonjë afat të posaçëm, që është përcaktuar për gjykime të tjera të posaçme të parashikuara në ligjin organik të saj, atëherë kjo çështje mund të përfundonte edhe brenda 30 ditëve.  Gjykata Kushtetuese është funksionale me 7 anëtarë, por 2 gjyqtarë më pak do të thotë dy mendime më pak, dy vota më pak dhe kjo e shton peshën e përgjegjësisë së Gjykatës, sepse duhet të përballojë edhe këtë paplotëri.

“Kuvendi duhet të ishte shpërndarë një muaj para zgjedhjeve, ngritja e një komisioni të tillë hetimor është e ndaluar me ligj, nisma për shkarkimin e Presidentit është politike, por jo ligjore e as kushtetuese”

Konstitucionalisti Sokol Hazizaj: Nisma për shkarkimin e Presidentit është politike, por jo ligjore  dhe as kushtetuese

Konstitucionalisti  Sokol Hazizaj, një tjetër ekspert i njohur i çështjeve kushtetuese, thotë se debati  ndodh para institucioneve të ceduara para një Kuvendi që duhet të ishte shpërndarë një muaj para zgjedhjeve, ngritja e një komisioni të tillë hetimor është e ndaluar me ligj, ndërsa Gjykata Kushtetuese është ende e paplotësuar me anëtarë. Në këto kushte, tha Sokol Hazizaj, nisma për shkarkimin e Presidentit është politike, por jo ligjore e as kushtetuese. Një tjetër pikë kritike e kësaj çështje, thotë zoti Hazizaj, është edhe prishja e balancave mes pushteteve. “Parlamenti është kreu i formatimit ligjor, dhe kur ai gabon me vendime, kjo prish edhe vendimet e gjykatave rrjedhëse në sistem, sepse për sa kohë arbitrariteti shfaqet në Kuvend, ky lloj arbitrariteti i pareferuar në Kushtetutë do të shfaqet edhe në gjykata edhe në administratë e kudo” – tha konstitucionalisti  Sokol  Hazizaj dhe shton se, Gjykata Kushtetuese është njëkohësisht edhe gjykatë e karakterit politik për nga mënyra e përmbajtjes së saj se si krijohet, dhe do të shqyrtohet vlera e këtyre vendimeve.  Sokol Hazizaj: “Gjykata pritet të ndajë qartë institucionet nga individët, që i drejtojnë ato. Nëse do të nxjerrësh një vendim politik, nesër do të vijë një vendim që cënon të drejtën, që mund të cënojë edhe të drejtën e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Kjo nuk është çështje e karakterit personal, por është çështje e karakterit të përgjithshëm.”