Prof. Dr. Xhevdet Zekaj: Stop, merkatos absurde në futbollin shqiptar! Kapelen sipas kokës…

405
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Sezonet futbollistike kombëtare i kanë ulur siparët e tyre. Tashmë të gjithë jemi sy e veshë nga Evropiani, për të shijuar futbollin e vërtetë, edhe rikthimin e pjesshëm të tifozëve në stadiume. Klubet, trajnerët, lojtarët dhe menaxherët kanë hyrë në stinën e nxehtë, jo vetëm klimatike, por edhe të shit-blerjeve dhe transferimeve. Sigurisht, në kushtet e pandemisë, që ka gjunjëzuar klube si “Barça”, “Real Madridi”, “Juventusi” etj., merkatoja e kësaj vere do të jetë ndryshe edhe për shqiptarët. E meqë këto rrethana globale i kanë zhdukur nga qarkullimi shifrat stratosferike mbi 100 milionë euro edhe nga klubet e mëdha, është rasti që t’i thuhet stop merkatos idiote edhe në Shqipëri. Mos të shkojmë shumë larg në përqasje, por të ndalemi te kampionati ynë, i Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut. Me siguri, ne jemi në vend të parë për rivalitet, por e ekzagjerojmë me pagesat. Pra, kemi raport të zhdrejtë mes kontratave të futbollistëve dhe produktit të tyre; rrjedhimisht edhe të cilësisë së kompeticionit. Kjo rëndon pa të drejtë në xhepat e presidentëve, të mbetur si “peshku pa ujë” tashmë me stadiumet bosh (pa tifozë). Lojtarët tanë kërkojnë shumë më tepër se meritojnë, ndaj presidentët duhet të mbrojnë veten në unison. Për këtë duhet një “besëlidhje” burrash në kushtet e krizës së madhe.

Pra, të vihet një tavan, sipër të cilit të mos shkohet në pagesa. Ky veprim do të bënte që pagave të pamerituara (edhe të padeklaruara) në futbollin tonë t’u vijë fundi. Vetëm kështu do t’i vihej fre pandershmërisë me paratë e tyre, sepse janë vetë presidentët, ata që ua rrisin fiktivisht vlerën lojtarëve.  Besoj e keni pikasur që merkatoja e klubeve evropiane nuk shfrytëzon më “Dinamo” Zagreb, “Partizanin” e Beogradit, pra tregun e çmuar të Lindjes, por merret me ne. Sepse këtu psonisin lirë. Rastet e Çinarit, Muçit, Rrocës etj, e dëshmojnë qartë këtë gjë. Ata janë shitur maksimumi për 100 mijë euro, ose kanë ikur falas. “Sivëllezërit” e tyre kroatë dhe serbë kushtojnë 10-15 herë më shumë.  Ne nuk prodhojmë talente, as shesim të tillë. Edhe ata që ikin jashtë, më shumë nuk luajnë. Kampionati shqiptar nuk prodhon 19-vjeçarë, talente që shkëlqejnë dhe të bëjnë të marrosesh pas tyre. Atëherë, për çfarë shërbejnë pagat 5-10 mijë euro në muaj, që aplikohen në Superiore? Thuajse për asgjë në produkt, vetëm zbrazin xhepat e presidentëve, që po iu sos përditë vaji i kandilit. Ndoshta janë vënë nën presion nga merkatoja ‘sude’ e Kosovës, ku lojtarët paguhen aq shumë, por të vendosin rregull mes veti. Atje le të lulëzojë loja e pistë e menaxherëve, për interesat e tyre, që i fryjnë këto lojtarë. Produkti dihet. Trajnerët shkojnë në kampionatin kosovar, paguhen shumë mirë, por çfarë arrijnë? Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut e kanë zgjidhur këtë çështje, nuk bëjnë bukë gruri me miell misri… Madje ka edhe futbollistë kroatë që luajnë me mungesën e vizionit të presidentëve tanë të futbollit, vijnë e marrin miliona, sepse këtu nuk deklarojnë asgjë për tatim-taksat, ose vetëm rrogë minimale. Kemi lexuar këto ditë se Asani do 10 mijë euro në muaj te “Partizani”, Marku do 8 mijë euro te “Vllaznia” etj. etj. Këto nuk janë shifra për klube të varfëra si tonat. Madje, duken të ekzagjeruara edhe për Kroaci e Serbi, klubet kryesore atje, ku cilësia na lë shumë mbrapa neve si kampionat. Populli ynë ka një shprehje të bukur: ‘festen sipas kokës’.

Vetëm te ne ndodh që të kërkojë rritje page një lojtar, që nuk ka fituar asgjë nga objektivat e klubit. Fjala vjen, çfarë kërojnë lojtarët e “Partizanit”, që dështuan në çdo kompeticion? Pagesa duhet të shkojë sipas performancës. Menaxherët luajnë me disa porta, bëjnë presione se lojtari im ka oferta këtu dhe atje. Por, nëse presidentët fiksojnë një tavan pagesash, atëherë nuk do të bëheshin viktima të orekseve të shfrenuara të futbollistëve dhe askujt tjetër, mbas tyre. Ne jemi Shqipëria, ku u ulën rrogat në shtet dhe privat prej pandemisë, ndryshe nuk mbijetohej; ndaj s’mund të mbijetojë edhe futbolli duke bërë të kundërtën. Pa tifozë në stadiume, me aq lekë sa marrin nga e drejta televizive, klubet tona nuk mbulojnë dot as shpenzimet e udhëtimit për 4 fazat e kampionatit. Po shpenzimet e tjera, pagat milionëshe të futbollistëve dhe trajnerëve, nga dalin? Sigurisht, logjikë ekonomike nuk ka në këtë mes, përveçse me piramidat e vitit ‘97, ku fundi dihet. Po flasim për vendosje rregullash në këtë aspekt, nga vetë presidentët, ndryshe secili do t’ia fusë tjetrit, menaxherët-lojtarëve, lojtarët dhe trajnerët-presidentëve; derisa të gjithë të falimentojnë.
Stop, ëndrrave idiote dhe presioneve të futbollistëve mesatarë!
Stop, zallamahisë së menaxherëve sekserë!
Stop, pagave faraonike për futbollistë që nuk garantojnë trofe!
Stop, merkatos ‘sudiste’ apo si në kohën e firmave piramidale që po pushton futbollin kosovar!