Nishani: I keqardhur që nuk kam ndalur dot disa ligje antikushtetuese

411
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në një intervistë për “Albania Daily News” flet për situatën politike dhe ekonomike në vend, marrëdhëniet e tij me qeverinë, reformat si dhe arsyet e largimit të shqiptarëve nga vendi drejt BE-së me kërkesën për azil.

Si mund t’i përshkruani tani muajt e parë të punës suaj si president kur shumica aktuale erdhi në pushtet në vjeshtën e vitit 2013?
Për shembull, do të përmendja se duhet të ketë qenë e bezdisshme ku njëra prej masave të para të ndërmarra nga kryeministri socialist, Edi Rama, ishte heqja e fotografisë suaj nga zyrat e qeverisë… Jam i lumtur që kam rezistuar natyrshëm në realizimin e detyrave të mia kushtetuese për të denoncuar dhe ndaluar (për aq sa ka qenë e mundshme) cenimin dhe tejkalimin e përcaktimeve kushtetuese në mekanizmat (legjislacioni) që qeveria ka ndërtuar për të menaxhuar jetën e qytetarëve dhe pasuritë publike. Për disa prej tyre ia kemi arritur t’ia dalim pas ndërhyrjeve edhe nga Gjykata Kushtetuese. Jam përpjekur maksimalisht ta përfaqësoj në mënyrë dinjitoze dhe të vërtetë vendin tim në raportet ndërkombëtare dhe proceset e partneritetit me të tjerët.
Presidenti i Republikës ka edhe një detyrë shumë të rëndësishme, e cila në jetën e përditshme kalon si “e padukshme”, por ka një rëndësi fondamentale: balancimin e pushteteve. Jam i kënaqur që kam arritur ta ruaj këtë dimension shumë të rëndësishëm të Presidentit të Republikës si balancues i pushteteve të tjera duke mos rënë pre e asnjë qasjeje për ta kthyer këtë institucion në një “kukull” apo “noter”. Ju përmendët një gjest të kryeministrit të vendit në ditën e are të tij në zyrën e shtetit: heqjen demonstrative të fotos së Kryetarit të Shtetit nga protokolli shtetëror. Në fakt, përmbajtja e atij gjesti ishte reflektim i një fryme arrogance për ta bërë të paqenë çdo institucion apo pushtet tjetër përveç atij ekzekutiv. Nuk besoj se ai gjest u dha qytetarëve më shumë punë, më shumë liri, më shumë prosperitet, më shumë ligjshmëri, më shumë të drejta, më shumë dinjitet.

Keni mbushur tashmë tri vite në postin e presidentit; cilat kanë qenë disa nga arritjet tuaja më të mëdha dhe cilat janë ato gjëra që ju kanë lënë kujtime të hidhura nga dështimi i tyre?
Ndihem i keqardhur që nuk kam pasur mundësinë të ndaloja disa akte ligjore që janë në kundërshtim me Kushtetutën tonë, por edhe me standardet bazë të lirive dhe të të drejtave themelore, të cilat kanë pasur dhe do kenë më tej një ndikim negativ në disa fusha të jetës së qytetarëve. Kam parasysh këtu ligjin për Kontrollin dhe Deklarimin e Pasurisë së politikanëve, ligjin për Shkollën e Magjistraturës, që është vënë tërësisht nën kontroll politik, ligjin për akcizën e duhanit, ligjin për Gjykatën Administrative, që emëron ndihmësit e gjyqtarëve nga qeveria, e një sërë aktesh të tjera. Ndihem i keqardhur që nuk munda të realizoj disa veprimtari të rëndësishme ndërkombëtare që do t’i kishin shërbyer shumë imazhit të vendit dhe botës shqiptare në tërësi, vetëm për shkak të pengesave të të tjerëve dhe mosmbështetjes buxhetore. Gjithsesi këto janë çështje që mbeten të hapura përpara.

Pas dy vitesh të shumicës aktuale në pushtet, si do ta vlerësonit situatën politike në Shqipëri, marrëdhëniet mes shumicës dhe opozitës, dhe, përveç kësaj, situatën ekonomike në vend? Zoti President, Shqipëria po përjeton një nga periudhat më të vështira pas viteve 1990, kur qytetarët po largohen në masë duke kërkuar azil në vendet e Bashkimit Evropian, veçanërisht në Gjermani. A po përballen shqiptarët me rrezikun e humbjes së liberalizimit të vizave për në vendet e zonës Shengen? 
Për fat të keq konstatoj një situatë shumë të polarizuar politike, e cila po thellon çdo ditë e më shumë mosbesimin. Të mos harrojmë se atje ku mungon besimi mungon respekti dhe toleranca. Kjo do të thotë se rritet urrejtja. Rreziku më i madh për një shoqëri, sepse kap disa breza. Jam realisht i shqetësuar për situatën ekonomike. Kam vlerësuar dhe vlerësoj sinqerisht një sërë përpjekjesh dhe reformash të ndërmarra nga qeveria, por, rritja e borxhit (më së shumti kompozimi i tij), evazioni i madh fiskal në tatime dhe dogana, mungesa e investimeve direkte, mungesa e një transparence totale në prokurime, korrupsioni në punët dhe shërbimet publike duhet ta shqetësojnë urgjentisht qeverinë për një adresim të ri në ekonominë e vendit. Është pikërisht situata ekonomike ajo që ka demoralizuar qytetarët dhe po i shtyn ata drejt largimit. Kjo nuk është zgjidhje as për ata dhe as për vendin. Unë nuk dëshiroj të besoj se situata aktuale me emigrimin do të rrezikojë të na kthejë vizat. Ky do të ishte një dënim i pamerituar për qytetarët e vendit tonë. Unë kam besim se ky vend do të bëhet. Do të bëhet dhe do të bëhet, se s’bën!

Sistemi i drejtësisë ka qenë një prej objektivave madhorë të reformës në të cilën ju jeni i përfshirë drejtpërsëdrejti si Kreu i Shtetit dhe si Kryetar i KLD-së. Në të njëjtën kohë ka shumë akuza për korrupsion në gjyqësor që pengojnë mirëfunksionimin e kësaj shtylle të shtetit shqiptar. A mundeni të na shfaqni pozicionin tuaj përkundrejt kësaj çështjeje ndërsa po punohet ndërkaq për zbatimin e reformës në gjyqësor?
Në sistemin tonë të drejtësisë ka ende prokurorë dhe gjyqtarë të cilët u formuan dhe u rritën profesionalisht në regjimin diktatorial, me kulturën e të qenit mjet represioni në dorën e elitës shtetërore për të shtypur dhe dhunuar qytetarët dhe shoqërinë në tërësi. Disa prej këtyre nuk arritën të përshtaten me sistemin e ri politik që u vendos në Shqipëri dhe janë pikërisht këta që vazhdojnë të spikaten si pjesa më agresive e anësisë politike përsëri në ushtrimin e detyrës së tyre. Ka në sistemin tonë të drejtësisë prokurorë dhe gjyqtarë të korruptuar, të cilët janë gjithnjë të parët që vihen në shërbim të politikës dhe për sa kohë politika nuk e ka me seriozitet luftën kundër korrupsionit, këta gjyqtarë nuk penalizohen kurrë, por nga njëra anë vihen në shërbim të synimeve politike të politikanëve dhe nga ana tjetër vijojnë t’i mohojnë drejtësinë qytetarit. Ka në sistemin tonë prokurorë dhe gjyqtarë të paaftë, që janë të parët që rendin të bëhen zëri publik i qëllimeve të mbrapshta politike të pushtetit.
Sistemi ynë i drejtësisë ka ende një infrastrukturë të dobët, e cila ul ndjeshëm jo vetëm solemnitetin e procesit, por dhe cilësinë e hetimit dhe gjykimit. Kjo ka nevojë për buxhetim të rëndësishëm. Rrjeti ligjor ka nevojë për një kodifikim dhe konsolidim më të qartë, në funksion të një politike penale më të drejtpërdrejtë dhe të fortë. Sistemi i drejtësisë duhet kontrolluar nga disa mekanizma institucionalë, të cilët janë gjithashtu nën kontroll nga institucione të tjera që garantojnë balancën. Kështu dhe mjaft çështje të tjera që mund t’i rendisim. Presidenti i Republikës, në interes të një reforme reale dhe gjithëpërfshirëse, mori nismën dhe organizoi tryezën për këtë reformë në tetor të vitit 2014. Kjo nismë u bllokua me shpejtësi nga qeveria dhe ajo e mori tërësisht nën kontrollin e saj procesin. Përfaqësuesi i Presidentit i vënë në dispozicion të komisionit ad-hoc parlamentar që në janar 2015, u injorua tërësisht dhe askush nga institucioni i Presidentit të Republikës nuk u ftua në këtë proces deri në fundin e muajit prill, kur dhe u fol për një dokument analitik të arritur tashmë. Flitet se ka një dokument të Strategjisë, i cili nuk ka mundur ende të mbërrijë te Presidenti i Republikës për njohje!

Mendoni se reforma të tilla kyçe duhet të kryhen pa gëzuar konsensusin e klasës politike, madje do të thosha, të mbarë popullit, të cilët për shembull janë ndikuar nga ndarja e re administrative- territoriale e Shqipërisë? Në vende të shumta janë mbajtur referendume edhe për çështje akoma edhe më pak të rëndësishme…
Reforma në sistemin e drejtësisë ka nevojë të detyrueshme për konsensus. Mazhoranca dhe opozita kanë përgjegjësi të njëjta. Askush nuk duhet të ikë nga angazhimi për këtë reformë. Çështjet që përkojnë me ndryshimet kushtetuese duhet me doemos të aprovohen me referendum. Kushtetuta jonë është miratuar me referendum. Kush mendon se reforma kushtetuese është çështje numrash të sajuar në Parlament, nuk do reformë. Sistemi i drejtësisë ka nevojë për reformë, dhe jo për revolucion kulturor, që do ta vendoste këtë sistem nën kontrollin e një segmenti të caktuar të politikës. Kjo do t’i bënte një dëm të pallogaritshëm së ardhmes së vendit. Reforma duhet të udhëhiqet nga ekspertë, dhe jo nga militantët partiakë që vetëshpallen ekspertë. Misionet e EURALIUS, OPDAT, OSBE dhe Komisioni i Venecias duhet të asistojnë përmbajtjen e reformës dhe duhet ta certifikojnë atë.
Ata që na imponuan për gati 5 dekada një sistem pa Ministri Drejtësie (e konsideronin në legjislacion si të panevojshme), ata që na imponuan përgjatë gjithë atyre dekadave një sistem pa avokatin mbrojtës, pasi konsideronin prokurorin të mjaftueshëm, nuk mundet t’u besojmë të na adresojnë reformën edhe sot në sistemin e drejtësisë. Ka një sërë vendimesh të gjykatave të të gjitha shkallëve së fundmi në Shqipëri, për çështje që përfshijnë direkt apo indirekt politikanët. Këto vendime kanë konfirmuar tërësisht këtë shqetësim timin. Shqipëria është vend anëtar i NATO-S dhe për këtë SHBA-të kanë obligimin të mbrojnë standardin e demokracisë në një vend tjetër anëtar të kësaj familjeje. Shqipëria është vend kandidat për anëtar në BE dhe Brukseli ka obligimin të mbrojë kriteret e Kopenhagës në një vend aspirant dhe anëtar i Këshillit të Evropës. U bëj thirrje juristëve profesionistë dhe të pavarur në këtë vend të bëhen pjesë aktive e këtij procesi përmes zërit të tyre publik.

Është folur shumë për dekriminalizimin e Parlamentit dhe të skenës politike në përgjithësi në Shqipëri. A keni ndërmarrë ndonjë nismë për të bashkëpunuar me forcat politike që ta kapërceni këtë shqetësimin jo vetëm të partnerëve ndërkombëtarë, por edhe të popullit, që do të përfaqësohet nga ligjbërës dinjitozë e të përkushtuar?
Procesi i përfshirjes dhe depërtimit në politikë të personave me rekorde të tmerrshme kriminale ka kohë që është shfaqur në Shqipëri. Veçanërisht ata kanë qenë më aktivë gjatë fushatave elektorale politike dhe lokale (sidomos në qytete të mëdha ku ka interesa ekonomike). Është një problem shumë serioz. Zgjidhja do mund të vijë nga qytetarët shqiptarë. Atëherë kur shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë do ta marrin në dorë trajtimin e kësaj çështjeje, kjo do zgjidhet. Unë i jam shumë mirënjohës jo vetëm si President, por më shumë si qytetar i këtij vendi, Ambasadës së SHBA-ve dhe posaçërisht Ambasadorit Lu për angazhimin e tij dhe të Qeverisë së tij për të ndihmuar demokracinë shqiptare në përballjen me këtë fenomen. Fakti që individë të hetuar, ndaluar apo dhe dënuar për trafik narkotikësh, vajzash apo krime të tjera të rënda janë pjesë e Parlamentit, drejtimit të bashkive apo enteve të tjera publike është shumë e rëndë për ne. Këtë peshë, e them edhe njëherë, do mund ta hedhë tutje vetëm angazhimi i shumicës së qytetarëve.
Cilat janë disa nga sfidat të cilave do t’u përkushtoheni përgjatë dy viteve të ardhshme të mandatit tuaj? A mendoni se do të ishte i nevojshëm një tjetër mandat pesëvjeçar për t’ju bërë të thoni se: “Po, i përmbusha objektivat që i kisha vënë vetes në shërbim të Shqipërisë dhe popullit të saj”?
Unë do të punoj dhe përpiqem shumë fort për vendin tim derisa të kem frymë. Nuk do them kurrë që e mbarova angazhimin tim për vendin për sa kohë do jem në këtë jetë. Do vijoj po me atë dinamizëm sa edhe deri më tani në përmbushje të detyrimeve të mia kushtetuese dhe ligjore. Do përpiqem të jem sa më shumë pranë çdo qytetari të thjeshtë të vendit tim dhe do mbetem zëri më i fortë publik i interesave të drejta të komuniteteve të ndryshme shoqërore të këtij vendi. Unë besoj shumë te vendosmëria për të mos u ndalur asnjëherë në përpjekjet pozitive, te mbrojtja e parimeve themelore, tek e drejta dhe e mundshmja. Mund të them se pjesa më lart ishte ajo zyrtare e intervistës.
Sigal