Nishani: Euralius-Opdat nuk kanë të drejtë të interpretojnë Kushtetutën

652
Gjatë një interviste në studion e ABC News, ish-presidenti i Republikës, Bujar Nishani, komentoi lidhur me protestën e 27 janarit të organizuar nga opozita. Por ndërsa vlerësoi pjesëmarrjen masive të qytetarëve në këtë protestë, ish-Kreu i Shtetit apeloi për gjithëpërfshirje në kampin e djathtë. Bujar Nishani e quajti protestën e 27 Janarit të opozitës si matje të nervit reagues të popullit shqiptar. “Mesazhi kryesor ishte prezenca e qytetarëve në protestë, ndërsa mesazhi i liderëve unë nuk besoj se ishte fokusi i kësaj proteste. Masiviteti ishte një shenjë e mirë, si një rizgjim i shoqërisë shqiptare. Unë mendoj që opozita synonte këtë, të shikonte dhe të testonte edhe në raport me shoqërinë në tërësi edhe në raport me institucionet me të cilat Shqipëria bashkëpunon në proceset shumë të rëndësishme të demokratizimit. Të jemi realistë. Pavarësisht debateve politike që ka pasur në të shkuarën dhe do të ketë në të ardhmen sipas kampeve dhe këndvështrimet që prezenca ishte shumë e madhe krahasuar në protestat këtyre 5-6 vitet e fundit apo 10 vitet e fundit”, tha ish-presidenti. Sa i përket organizimit të brendshëm të Partisë Demokratike, ish-deputeti i saj bëri thirrje për bashkim dhe aktivizim më të lartë. “Ka nevojë për një frymë të një bashkimi të një nxitjeje të angazhimeve dhe kontributeve. Unë e shikoj nga të dyja anët. Në radhë të parë duhen respektuar të gjitha kontributet, duhen vlerësuar të gjitha kontributet. Nga ana tjetër duhet respektuar edhe institucioni i lidershipit. Partia Demokratike është në një moment të ndërthurjes, të gjeneratës që ka kontribuar deri tani dhe një gjenerate të re. Unë mendoj që edhe më shumë duhet të ketë fytyra të reja në aktivitetin dhe dinamikën e Partisë Demokratike”, vlerësoi ish-Kreu i Shtetit. Ai i dha një këshille edhe opozitës. “Është më shumë se kurrë sot që opozita të hapi një hetim parlamentar për çështjen e kanabisit. Nuk është këtu fjala vetëm për kultivimin e kanabisit, por për mënyrën si është përdorur për të përdorur politikën, si është përdorur për të influencuar qytetarin, për ta presuar qytetarin”, tha Nishani. Më tej, ish-presidenti i Republikës nënvizoi se zgjedhja e kryeprokurores së përkohshme, Arta Marku, ishte një dhunim flagrant i Kushtetutës. “Euralius dhe Opdat nuk kanë të drejtë të interpretojnë Kushtetutën”, tha Nishani, duke iu referuar sugjerimit të misioneve të asistencës lidhur me mënyrën e zgjedhjes së drejtuesit të përkohshëm të Prokurorisë së Përgjithshme.
Sigal