Av. Ndue Pjetra: Prokurori që Vjen i Papërgatitur dhe Gjykata që Vendos pa Konkluzione: Turpi i Drejtësisë Shqiptare

Ky është turpi i drejtësisë shqiptare: kur një proces gjyqësor zhvillohet pa dokumente, pa konkluzione dhe me vendime të parapërgatitura. Nëse drejtësia nuk reagon ndaj këtyre shkeljeve, atëherë nuk mund të flasim më për drejtësi, por për një ritual bosh, ku qytetari humb besimin, dhe padrejtësia bëhet normë.

Prokurori që Vjen i Papërgatitur dhe Gjykata që Vendos pa Konkluzione: Turpi i Drejtësisë Shqiptare

Nga Av. Ndue Pjetra – Kryetar i Shoqatës së Avokatëve Antikorrupsion Shqiptarë (SHAASH)

NOA

Botuar në “Gazeta Antikorrupsion”

Kur drejtësia humb seriozitetin në sallën e gjyqit.

Në çdo sistem të drejtë gjyqësor, prokurori është përfaqësuesi i interesit publik, i ngarkuar nga shteti për të mbrojtur ligjin dhe për të garantuar një proces të drejtë.

Por në disa çështje që zhvillohen në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit, është vënë re një praktikë e papranueshme që cënon drejtpërdrejt parimet themelore të procesit të rregullt ligjor.

U desh të arrestohej një avokat për të filluar ‘lumi’ ankesave për standartet e proceseve gjyqësore në të gjitha shkallët e gjyqësorit. Shumë ankesa në drejtim të SHAASH për mungesën e përgatitjes në gjykim më shumë se një herë nga prokurori Apelit Altin Binaj që paraqitet në seanca pa konkluzione të përgatitura me shkrim, duke deklaruar në mënyrë të habitshme para trupit gjykues:

“Nuk i kam me shkrim, do t’i përgatis dhe do t’i sjell pas gjykimit.”

Megjithatë, po aq të çuditshme, gjykata jep vendimin menjëherë pas kësaj deklarate, pa pritur e pa pasur në dosje konkluzionet e prokurorit, pra pa e njohur zyrtarisht qëndrimin e tij të argumentuar ligjërisht.

Ky veprim përbën shkelje të rëndë të procedurës dhe cënon parimin e kontradiktoritetit të procesit, të parashikuar në nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe nenin 42 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, që garantojnë një proces të drejtë, të paanshëm dhe transparent.

Sipas nenit 361, pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, prokurori ka detyrimin të paraqesë konkluzione të arsyetuara në përfundim të shqyrtimit gjyqësor.

Mungesa e tyre ose deklaratat e përgjithshme si “nuk jam dakord me mbrojtjen” nuk përbëjnë konkluzion ligjor, por një moskryerje të detyrës funksionale.

Gjithashtu, neni 358 i K.Pr.Penale parashikon se pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, fjala i jepet prokurorit për konkluzione, të cilat duhet të jenë të plota, të motivuara dhe të dokumentuara në procesverbal.

Kur prokurori refuzon ose neglizhon ta bëjë këtë, ai pengon gjykatën të marrë vendim mbi bazë ligjore dhe i heq të pandehurit të drejtën për t’u mbrojtur në mënyrë të barabartë.

Këto konstatime të përcjella nga avokatët tregojnë se përveçse groteske është dhe një sinjalizim që ‘Inspektori i Lartë i Gjumit’ (Insektori i Lartë i Drejtësisë) të zgjohet nga gjumi letargjik dhe të heqë dorë nga qokat por t’i japë vëmendjen e duhur kësaj problematike sa ligjore aq dhe logjike.

Veprimet e tilla bien ndesh me Ligjin nr. 97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, konkretisht:

Neni 64, pika 1, shkronja “ç” – parashikon përgjegjësi disiplinore për “mospërmbushje të detyrave funksionale me përkushtim dhe profesionalizëm”.

Neni 65, pika 1 – i jep të drejtë Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) të nisë hetim disiplinor ndaj çdo prokurori që me veprim ose mosveprim dëmton imazhin e institucionit.

Në rastin konkret, prokurori Altin Binaj jo vetëm që nuk ka përmbushur detyrimet e tij ligjore, por ka kompromentuar integritetin e procesit gjyqësor, duke e lënë gjykatën të vendosë në errësirë procedurale dhe pa transparencë.

Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion Shqiptarë (SHAASH) i bën thirrje Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD) të nisin hetime të menjëhershme disiplinore ndaj prokurorit Altin Binaj dhe të verifikojnë nëse praktika të tilla janë bërë rregull në gjykatat e apelit.

Ky është turpi i drejtësisë shqiptare: kur një proces gjyqësor zhvillohet pa dokumente, pa konkluzione dhe me vendime të parapërgatitura.

Nëse drejtësia nuk reagon ndaj këtyre shkeljeve, atëherë nuk mund të flasim më për drejtësi, por për një ritual bosh, ku qytetari humb besimin, dhe padrejtësia bëhet normë.