Nis lëvizja “ T’ja mbathim nga Shqipëria’

471

Investimet marramendëse prej 1.3 miliard euro “marrin udhën”  drejt vendeve të   Ballkanit. Shkak  taksat e larta dhe konkurrenca e pandershme e oligarkëve të lidhur me qeverinë. Bashkë me bizneset nis edhe zbrazja e qyteteve ku moshat e reja në  Fier dhe Elbasan  kapin shifra rekord. Ja denoncimet e kompanive

Sigal

INSTAT/ Fieri dhe Elbasani kanë “humbur” më shumë banorë në dy dekada

Nis lëvizja “T’ia mbathim nga Shqipëria”

Durrësi është renditur në vitin 2020 në qarkun e dytë më të madh në vend, pas Tiranës, duke ia kaluar në këtë mënyrë Fierit, që deri tani ishte pas kryeqytetit, sa i takon numrit të popullsisë. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2020, Durrësi kishte 290.7 mijë banorë, me rritje të lehtë prej 0.2%,  duke ia kaluar për herë të parë Fierit. Ky i fundit zbriti në 289.9 mijë banorë, pasi popullsia e tij ra me rreth 1.7%.

Në fakt Fieri së bashku me Elbasanin, rezultojnë qarqet që kanë pasur reduktimet më të mëdha të popullsisë, që nga viti 2001, kur INSTAT raporton të dhënat. Të dy këto qarqe kanë humbur nga rreth 92 mijë banorë në dy dekadat e fundit.

Me zvogëlim në dy dekadat e fundit rezultojnë dhe të gjitha qarqet e tjera, Kukësi, Lezha, Gjirokastra, Shkodra, Korça, Berati.

Në raport me popullsinë përkatëse, qarku që është reduktuar më shumë është Gjirokastra, që pothuajse është përgjysmuar. Në Gjirokastër në 2020-n, jetonin 59 mijë banorë, nga rreth 113 mijë në vitin 2001. Kjo ka bërë që ky qark të jetë sot më i vogli në vend, ndërsa në vitin 2001, ishte Kukësi me më pak banorë.

Dibra është një tjetër qark që ka humbur gati 40% të popullsisë në dy dekada, duke zbritur në 116 mijë banorë.

Berati është reduktuar me -37% në krahasim me vitin 2001, Kukësi me -32%, Shkodra me -22%, Korça me -23%, Elbasani me -25%, Fieri me -24%.

Pothuajse e pandryshuar, me një rënie të lehtë prej 2% ka mbetur popullsia e Vlorës.

Rritja e fortë e Tiranës dhe më pak e Durrësit

Tirana dhe më pak Durrësi, reduktojnë të vetmet qarqe që kanë njohur rritje të popullsisë në dy dekadat e fundit, pasi kanë përfituar nga migrimi i brendshëm i popullsisë.

Teksa të gjithë duan të jetojnë e punojnë në kryeqytet, popullsia e saj është rritur me 52% në dy dekadat e fundit, duke arritur në 906 mijë banorë, nga 597 mijë në vitin 2001.

Edhe Durrësi është zgjeruar me 19%, duke u bërë në këtë mënyrë qyteti i dytë më i madh në vend, nga i katërti që ishte në vitin 2001, pas Tiranës, Fierit e Elbasanit.

Rritja e Tiranës dhe Durrësit nuk kanë arritur të kompensojnë tkurrjen e qarqeve të tjera dhe si rrjedhojë, popullsia e Shqipërisë është reduktuar me 217 mijë persona në dy dekadat e fundit, ose me madhësinë e një qyteti sa Korça. Në 2020, Shqipëria vlerësohet se ka rreth 2.84 milionë banorë. Gjithsesi, do të jetë censi, që aktualisht u shty për shkak të situatës së krijuar nga pandemia, i cili do të japë një panoramë të saktë të popullsisë që ka mbetur në vend.

Emigracioni dhe rënia e lindshmërisë janë faktorët që kanë ndikuar në tkurrjen e popullsisë gjatë dekadave të fundit.

Investime marramendëse “marrin udhën” për t’u aktivizuar në vende të tjera, ku ndryshe nga Shqipëria, kanë lehtësira si taksat më të ulëta në rajon, subvencionime të drejtpërdrejta nga shteti deri në masën 50%

Bizneset shqiptare po ikin jashtë; Investohen 1.3 mld euro në periudhën 2013–2019

Maqedonia e Veriut është bërë vitet e fundit mjaft tërheqëse edhe për disa biznese shqiptare, të cilat janë maturuar në tregun e brendshëm dhe po ndërtojnë strategji zgjerimi në rajon. Tendenca e fundit tregon se, përveç sektorëve të tregtisë dhe ndërtimit, tani bizneset shqiptare po transferojnë edhe linjat e prodhimit jashtë vendit.

Kompania e farmaceutikës “Fufarma”, vitin që vjen pret të aktivizojë linjën e prodhimit të medikamenteve në Maqedoni, një investim prej 20 milionë eurosh; “Agna Group”, përveç distribucionit, ka aktivizuar fabrikën e prodhimit të biskotave që do të jetë nga më të mëdhatë në Ballkan.

“Skojpe East Gate”, (SGE), një investim i ngjashëm me qendrën tregtare “TEG”, po ndërtohet me ritme të shpejta nga grupi “Balfin” në Maqedoni, kurse në Kosovë,  ka një zgjerim të mëtejshëm në sektorët e ndërtimit dhe energjisë nga kompanitë shqiptare. Burimet zyrtare nga “Balfin Group” pohuan se gjatë vitit 2019, janë investuar gjithsej 112 milionë euro, 50% e të cilave ishin jashtë vendit.

Banka e Shqipërisë përllogariti se në vitin 2019, u investuan nga bizneset vendase 42 milionë euro jashtë vendit. Kjo ishte rritja më e madhe që nga viti 2015, por tendenca vijoi edhe në tremujorin e parë të vitit 2020, me 12 milionë euro investime jashtë. Në harkun kohor të një viti, nga prilli 2019 në mars 2020, kompanitë shqiptare investuan jashtë vendit 62 milionë euro.

Pas një rënie prej gati tre vitesh, stoku i investimeve jashtë u rrit ndjeshëm gjatë vitit 2019 dhe ka vijuar të njëjtin trend edhe për vitin 2020. Në vitin 2019, stoku i tyre arriti në 1 miliardë e 303 milionë euro, me një zgjerim prej 4% në krahasim me vitin 2018. Ministri i investimeve Vendore në Maqedoni, Hisen Xhemaili, tha se “Balfin Group” ka përfunduar rreth 60% të investimit prej 300 milionë eurosh.

Ai shpjegoi se linjat e prodhimit në farmaci dhe industri ushqimore subvencionohen  50% nga shteti dhe përfitojnë një seri lehtësish. Burimet nga kompania “Fufarma” pohuan se zgjodhën Maqedoninë, për shkak se 50% e investimit subvencionohej, teksa u krijuan shumë lehtësi në lidhje me infrastrukturën mbështetëse. Të njëjtat burime thanë se investimi është në fazën përmbyllëse dhe vitin tjetër, linjat e prodhimit do të vihen në punë.

Me pandeminë e COVID-19, tregu i farmaceutikës po përballet me kërkesë jo të zakontë për barna dhe vitamina, ndaj “Fufarma” e shikon me optimizëm investimin në Maqedoni. Për arsye të ngjashme ka investuar edhe “AGNA Group”, në hapjen e fabrikës së prodhimit të biskotave.

Ministri Xhemaili: Lehtësitë që morën investimet shqiptare në Maqedoni

Maqedonia e ka pikë të fortë të zhvillimit të saj thithjen e investimeve të huaja. Ai tha se, deri më tani, investimet nga Shqipëria, janë duke u realizuar me ritme pozitive, sidomos investimi nga “Balfin Group”, që ka arritur të realizohet në masën 60% dhe që në total, kap vlerën e 300 milionë eurove. Xhemaili pohoi se, sa i takon këtij investimi që është kryesisht privat, lehtësitë janë në dhënien e lejeve të nevojshme, efikasitetin e shërbimeve dhe mbështetjen e nevojshme nga ana e institucioneve shtetërore dhe komunale e taksat më të ulëta në rajon. Ndërsa për bizneset shqiptare që do të prodhojnë në Maqedoni, lehtësitë  janë edhe më të mëdha, tha ministri. “ “Fufarma”, me fabrikën “Sagem”, kanë lehtësime dhe subvencionime të drejtpërdrejta nga shteti deri në masën 50% nga investimi i përgjithshëm, lehtësime për mospagesë të tatimit nga fitimi për 10 vitet e ardhshme, lehtësi për tokën (toka me qira deri në 99 vjet) etj. Maqedonia, sipas raportit të Bankës Botërorë  të “Doing Business 2019”, renditet në të 10 kriteret kryesore, shumë para Shqipërisë. Maqedonia u rendit e 13 në botë për lejet e ndërtimit, ndërsa Shqipëria në vendin 151-të në botë.

Eksportohet  modeli i qendrave tregtare shqiptare

Qendrat tregtare në Shqipëri, që menaxhohen nga grupi “Balfin”, kanë qenë nga modelet më të suksesshme të biznesit. “Balfin”, që aplikoi i pari këtë model në vendin tonë, po zhvillon një të ngjashëm, si qendra “Tirana East Gate” në Shkup, me projektin “Skopje East Gate”. Punimet për ndërtimin e qendrës tregtare në Shkup, që është investimi më i madh i këtij lloji atje, kanë nisur në maj të vitit të kaluar. Punimet  kanë vijuar në të gjithë projektin. Faza e parë synon ndërtimin e qendrës tregtare, në të cilën janë konceptuar 250 dyqane në 51 mijë metra katrorë, një nga më të mëdhatë në Ballkan.

Në fazën e dytë, investimet e kompanisë  “Balfin” në Maqedoni përfshijnë ndërtimin e 1600 banesave. Në fazën e tretë dhe të fundit, do të realizohet ndërtimi i 5 blloqeve të godinave, për qëllime biznesi, në një hapësirë totale prej 67.000 metrash katrorë. Bëhet fjalë për parkun e parë të zyrave të klasit të lartë për biznesin në Maqedoni. Burimet zyrtare nga nga “Grupi Balfin” pohuan se më 2018 janë realizuar 64 milionë euro investime, nga të cilat 70% të investimeve ishin në Shqipëri dhe rreth 30% jashtë, ndërsa gjatë vitit 2019,  “Grupi Balfin” ka pasur rreth 112 milion euro investime prej të cilave rreth 50% janë në Shqipëri dhe 50% jashtë. Gjeografikisht, “BALFIN Group” është i pranishëm në Austri, Shqipëri, Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë, Maqedoni Veriore, Mali i Zi dhe Holandë, me afërsisht 6’000 punonjës në total. Aktivitetet e Grupit “BALFIN” përfshijnë zhvillimin dhe menaxhimin e pasurive të patundshme, shitjet me pakicë, industrinë minerare, sistemin bankar, turizmin, energjinë, logjistikën, etj.

Maqedonia tërheqëse për prodhuesit, po ndërtohen dy fabrika shqiptare

Sektori prodhues në Shqipëri, sidomos në industrinë e përpunimit, nuk paraqet leverdi për investime në vend. Mungesa e subvencioneve në prodhim dhe lëndë të para, kostot e larta të ambalazhit dhe lëndës djegëse i nxjerrin prodhimet shqiptare më të shtrenjta se importet. Për shembull, një litër salcë që prodhohet në Shqipëri del 15% më shtrenjtë se një sasi e ngjashme nga importi, për shkak të kostove të larta. Kjo vlen edhe për prodhimet e tjera, sidomos në sektorin e agropërpunimit. Duke qenë afër Shqipërisë dhe e populluar në një masë të madhe nga shqiptarë, me taksa të ulëta dhe me subvencion 50% të investimit në zonat e lira, Maqedonia arriti të thithë  edhe projektet e prodhuesve shqiptarë, krahas kompanive të mëdha ndërkombëtare. Kompania “Fufarma” po zhvillon një fabrikë për prodhimin e produkteve farmaceutike në Maqedoni afër Shkupit, me një investim 20 milionë euro. Burime nga kompania thanë se, investimi ka përparuar dhe do të vihet në punë vitin që vjen. Të ardhurat e kompanisë “Fufarma” në vitin 2018 ishin 1,2 miliardë lekë, ose rreth 10 milionë euro. Kompania, me përvojë të gjatë në treg, që nga viti 1946, ka në themel të aktivitetit në Shqipëri paketimin dhe shpërndarjen e produkteve farmaceutike. Ndërsa kompania “Agna” ka instaluar në Maqedoni një fabrikë për prodhimin e biskotave. “Agna” është një nga grupet më të mëdha të shpërndarjes në vend.

Stoku i investimeve shqiptare jashtë arrin në 1,3 miliardë euro

Stoku i investimeve shqiptare jashtë vendit arriti në 1,3 miliardë euro në vitin 2019, duke u zgjeruar me 4% në raport me vitin 2018, sipas të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë.  Stoku i investimeve shqiptare jashtë vendit në vitin 2019 ishte sa 10% e PBB-së dhe është sa 19% e stokut të investimeve të Huaja Direkte në vendin tonë. Investimet shqiptare jashtë vendit panë një rritje jo të zakontë në vitin 2013, kur ato shënuan nivelin më të lartë prej 1,4 miliardë eurosh, duke u dyfishuar në raport me një vit më parë kur ky treguesi ishte vetëm 779 milionë euro. Nga viti 2013 – 2019, stoku i investimeve shqiptare jashtë ishte mesatarisht 1,3 miliardë lekë, me një tendencë rritje në mars 2019 dhe mars 2020.

Shqipëria,  jokonkurruese, nxit investimet jashtë

Nga një matricë krahasuese e Këshillit të investimeve  për “Politikat incentivuese për nxitjen e investimeve: Shqipëria kundrejt vendeve” shihet se Shqipëria është vendi me barrën më të lartë fiskale për investitorët dhe ka lehtësitë fiskale më të ulëta në raport me Maqedoninë, Serbinë, Malin e Zi, Kosovën dhe Bosnjën. Nga matrica rezulton se, në renditjen rajonale Shqipëria ka barrën më të lartë fiskale për tatimfitimin 15%,  gati 50% më të lartë se norma rajonale për këtë tatim që nuk është më shumë se 10%. Edhe Serbia e ka tatimfitimin 15%. Me nivelin maksimal të përshkallëzimit të tatimit mbi pagën prej 23%,  Shqipëria e ka tatimin mbi të ardhurat personale më të lartin në rajon. Maqedonia e ka tatimin mbi të ardhurat personale të sheshtë 10%,  në Serbi varion 10-20%, në Mal të Zi, 9-11%. Në Kosovë është progresive nga 0 në 10% dhe në Bosnjë, e sheshtë, 10%. Shqipëria bashkë me Serbinë shihet të ketë nivelin e TVSH-së më të lartë në rajon, në nivelin e 20%,  teksa vendet e tjera e kanë këtë tatim 17-19%. Maqedonia e ka të gjithë barrën të transferuar te punëmarrësi, në nivelin e 27%. Kjo është një nga arsyet kryesore që Maqedonia rezulton me normën më të ulët të taksës ndaj përqindjes së fitimit të bizneseve (12.9%). Edhe Mali i Zi ndjek të njëjtën logjikë, ku kontributet e paguara nga punëdhënësi janë vetëm 5% dhe ato të punëmarrësit 24%. Edhe në Bosnjë, punëdhënësi paguan 10.5% dhe punëmarrësi 31%. Nivelin më të ulët të kontributeve e ka Kosova, me 5% punëdhënësi dhe po aq punëmarrësi.

Pas zvarritjeve në Shqipëri, investimi strategjik i Akuaponisë, 26 mln euro, mund të zhvendoset

Pse po ikin investimet nga Shqipëria? Ja përgjigja e një biznesmeni të zhgënjyer me qeverinë

Flet Endlers Kërtusha, administrator i kompanisë “Aquatiq”

Endlers Kërtusha, administrator i kompanisë “Aquatiq”, po shqyrton mundësinë të zhvendosë projektin 26 milionë euro për ndërtimin e një ferme Akuaponike që kultivon perime dhe peshq në të njëjtën kohë përmes ujit, nga Shqipëria në Maqedoni.

Projekti, i cili ka mbështetje gjermane dhe është më i madhi i këtij lloji në Ballkan, nuk po realizohet në Shqipëri, për shkak të burokracive. Zoti Kërtusha tha se “po shohim Maqedoninë si një opsion dytësor për të mos dështuar projektin në tërësi, për shkak të burokracive dhe vonesave të ndryshme që shkaktohen nga institucionet shqiptare”. Ai shtoi se, Maqedonia gjithashtu ofron mbështetje më të madhe dhe masa nxitëse për investime inovative dhe të qëndrueshme, si në vlerën e investimit, në punësim dhe lehtësive fiskale të lidhura me to.

Pse nuk keni përparuar me investimin në Shqipëri?

Koha më e madhe e kaluar në rrugëtimin tonë në Shqipëri janë pritjet e tejzgjatura që vijnë si rrjedhojë e burokracive të ndryshme, e ndikuar edhe nga situatat e ndryshme që ndodhin në vend. Nisur nga ato politike, fatkeqësive natyrore dhe pandemike.

Ne, si ish-investitorë  strategjikë, u bëmë të tillë pasi mbaroi afati dyvjeçar dhënë nga KIS, pa arritur të marrim në kohë nga institucioni përkatës një asistim të duhur e të denjë. Në bazë të specifikave të investimit dhe zonës ku do të zhvillohet projekti, aplikuam përsëri në janar 2020 për statusin e Investitorit Strategjik, ku kësaj radhe aplikojmë për një projekt shumë herë më të madh, gjithëpërfshirës në zonë, me një vlerë investimi rreth 26 milionë euro, ku krijohen rreth 1500 vende pune.

Ky investim që lind dhe mbështetet fort nga partnerë gjermanë e austriakë, është i pari i këtij lloji në Ballkan nga teknologjia dhe nga më të mëdhenjtë në fushën e bujqësisë. Vlen të theksojmë se nuk ka një respektim të afateve e procedurave. Gjithashtu vihet re një mosrespektim i radhës ku, deri diku, lë edhe shije klientelizmi, në asistimin e subjekteve për realizimin e investimeve. Arsye këto të ndara, ose së bashku, shkaktojnë mjaft vonesa dhe mospërparim në realizimin e investimeve.

Pse keni vendosur që ta shihni edhe Maqedoninë si opsion?

Duke qenë se projekti ynë është i lidhur ngushtë nga kërkesë-oferta e tregut dhe synohet 90% e prodhimit për eksport. Shohim Maqedoninë si një opsion dytësor për të mos dështuar projektin në tërësi, për shkak të burokracive dhe vonesave të ndryshme që shkaktohen nga institucionet shqiptare. Klima e Maqedonisë është e përafërt me atë të Shqipërisë dhe për nga ana logjistike, ka pak më shumë përparësi se Shqipëria. Thënë ndryshe është një pozicion mjaft i favorshëm strategjik midis dy tregjeve të synuara të kompanisë sonë, atij europian dhe Gadishullit Arabik.

Në çfarë sektori do të investoni dhe sa është plani i investimit?

Deri në momentin që nuk do të kemi rezultate nga asistimi që duhet të bëhet nga AIDA, si dritare unike për mbarëvajtjen e investimeve strategjike, nuk do të humbim më tepër sesa kemi humbur kohë në Shqipëri dhe të gjithë investimin dhe projektin e fermës Aquaponike do ta zhvendosim në Maqedoni. Vlera e investimit, sektori dhe numri i të punësuarve mbetet po i njëjtë.

A bëjmë dot një krahasim të procedurave, burokracive dhe lehtësive fiskale mes dy vendeve, pra Shqipërisë dhe Maqedonisë, ku jeni duke parë opsionet e investimit?

Ne jemi në kontakte të ngushta me institucionet përkatëse maqedonase për të pasur të gjithë informacionin e nevojshëm dhe hapat nëpër të cilat do të kalojmë, por nuk di të themi saktësisht, sepse Maqedonia është vend ende i pashkelur nga ne. Duhet të them se, nisur nga përvoja e sipërmarrjeve të tjera dhe feedback të kompanive të ndryshme internacionale në Ballkan, vend i preferuar për të investuar shikohet Maqedonia, për sa i përket rrugëtimit institucional.

Nga informacionet që kemi, koha e burokracive është 1/3 krahasuar me ato në Shqipëri. Gjithashtu ka një mbështetje të madhe dhe masa nxitëse nga institucionet maqedonase për investime inovative dhe të qëndrueshme, si në vlerën e investimit, në punësim dhe lehtësive fiskale lidhur me to.