Nga heshtja lindën përbindëshat e zjarreve dhe plagët e tjera të kombit

197
Sigal

Analizë nga Prof.Dr.Lush Susaj:Korrupsioni është shkatërruesi më i madh i shtetit, mjedisit, ekonomisë dhe pasurisë së djegur dhe shkatërruar të qytetarëve. Korrupsioni, PPP-të e plehrave dhe qokat për oligarkët po prodhojnë ndotje, evazion fiskal dhe zjarre për fikjen e të cilave mungojnë paisje më minimale për MKZ, ndërkohë që qeveria, harxhon miliarda për helikopter dhe avion luksi. U hodhën në rrugë qindra specialistë dhe administrata u zëvendësua me patronazhistë  dhe gazetarë servilë

 

 

  • Korrupsioni, shkatërruesi më i madh i shtetit, mjedisit dhe ekonomisë
  • Hetimi i zjarreve do të mund të zbulojë korrupsionin me tenderat dhe MKZ-të
  • Nga korrupsioni buron edhe ndotja mjedisore dhe pandemia e evazionit fiskal
  • Shqiptarët heshtin edhe pse ju digjen përpara syve pyjet, vreshtat, ullishtet, blegtoria dhe banesat.
  • Nga kjo heshtje lindin përbindëshat e zjarreve dhe të gjitha plagët e tjera të kombit dhe të shoqërisë shqiptare
  • Zjarret e këtyre 15 ditëve, treguan se edukimi profesional, tenderat dhe inevstimet për paisje dhe bazë materiale për strukturat e MKZ, janë vetëm shifra e fjalë
  • Janë me qindra specialistë e nëpunës të kualifikuar të MKZ-ve, tashmë të përjashtuar e të lënë në punë të rëndomta, jashtë profesionit
  • Shumë emigrantë, që vijnë për pushime habiten për moszbatimet e ligjit në plazhe
  • Janë dreka e darka në grup e që kushtojnë deri në 500-600 euro, ku në asnjë rast nuk pritet kupon tatimor

-Kohët e fundit flitet shumë për Reformën në Drejtësi, por sërish KLSH po paraqet dhjetëra tendera me probleme të shumta. Pra këtu tregohet qartë se korrupsioni nuk di të ndalet. Nga ana tjetër zjarret masive në mbarë Shqipërinë po tregojnë se Emergjencat Civile u gjetën të papërgatitura për situatën dhe ende me mjete të amortizuara. Por, dhe pse situata është shqetësuese shqiptarët heshtin edhe pse ju digjen përpara syve pyjet, vreshtat, ullishtet, blegtoria dhe banesat. Këto janë disa nga problemet që Prof. Susaj ngre në këtë intervistë

 

Korrupsioni që prodhon zjarre, ndotje dhe evazion fiskal

 

-Flitet shumë për korrupsionin, por ende nuk po duken “peshqit e mëdhenj”. Edhe pse jemi në pikun e Reformës në Drejtësi, korrupsioni ende vazhdon pasi KLSH shikon dhe përcjell me qindra tendera me probleme. Si do ta cilësoni këtë situatë?

-Për mua korrupsioni, mbetet shkatërruesi më i madh i shtetit, mjedisit dhe ekonomsë

At Zef Pllumi (2005), ka thënë: Ne jemi nji popull që kemë kalua një diktaturë shumë të vështirë. Por, para kësaj diktature, përveç një periudhe shumë të shkurtë lirie, kemë kalue nji robni 500-vjeçare. Në këtë mënyrë, ky popull asht mësue që, edhe me i shtie opangën në gojë, nuk flet, as bërtet. Këtu nuk jam dakord me popullin tem”. Këto fjalë janë më aktuale se kurrë. Që të gjithë përjetojmë mënyrën turpëruese e shkatërrimtare të heshtjes përballë korrupsionit dhe debilizimit të vazhdueshëm e të qëllimshëm të administratës shtetërore e politike, nga ku burojnë të gjitha të zezat tona, sikurse janë vjedhja, varfëria, konfliktualiteti, zjarret masive, ndotja mjedisore, shkatërrimi i turizmit dhe resurseve të tjera prodhuese, evazioni fiskal, shpopullimi etj. Në konventat dhe standartet ndërkombëtare për korrupsionin (p.sh. Konventa e Kombeve të Bashkuara), si dhe në sistemin juridik shqiptar, me termin korrupsion kuptohet:“shpërdorimi i pushtetit të besuar ose i funksionit publik për përfitim privat”. Edhe filozofi i antikitetit Platoni, kur flet për republikën dhe ligjet, arrin në përfundimin se: “Nuk duhet t’i jepet një pushtet i madh një individi të vetëm apo një elite, sepse pushteti ka tendencë të korruptojë dhe pushteti absolut korrupton në mënyrë absolute”. Dhe Platoni vazhdon duke thënë se: “Shteti sëmuret kur politika i lëshon terren korrupsionit, qoftë ky edhe për një qëllim, që në vetvete do të ishte në interes për të”. Politika e kalbur dhe e korruptuar e Shqipërisë, akoma nuk e ka kuptuar që korrupsioni është degraduesi dhe shkatërruesi më i madh i shtetit, mjedisit dhe ekonomisë.

Fatkeqësisht, shqiptarët janë i vetmi popull i rajonit dhe Europës që ka heshtur dhe nuk ka reaguar as kur miqtë e shumtë të Shqipërisë, përfshirë këtu edhe ambasadorët e nderuar të BE dhe të SHBA, bënin dhe vazhdojnë të bëjnë thirrje publike për të reaguar kundër korrupsionit dhe keqqeverisjes së vazhdueshme të këtyre viteve e dekadave. Shqiptarët heshtin edhe pse ju digjen përpara syve pyjet, vreshtat, ullishtet, blegtoria dhe banesat. Heshtin edhe pse ju shkatërrohet turizmi nga sharlatanë e nga mashtrues politik e ordiner, të cilët krijojnë kaos e vonesa të qëllimshme e gjithnjë në shërbim të vjedhjes dhe të evazionit fiskal. Heshtin edhe kur ju shkatërrohet sistemi i vlerave dhe meritokracisë, gjithnjë në shërbim të kakistokracisë, debilizimit dhe amoralitetit politik e kulturorë. Nga kjo heshtje lindin përbindëshat e zjarreve dhe të gjitha plagët e tjera të kombit dhe të shoqërisë shqiptare.

 

-Çfarë problemesh nxorën në pah zjarret masive nga veriu në jug? A do të bëhen hetime për këto zjarre që e shkatërruan ekonominë e vendit dhe sollën pështjellim te turistët?

-Duhet bërë patjetër pasi hetimi i zjarreve do të mund të zbulojë korrupsionin me tenderat dhe MKZ-të Njëlloj sikurse në vitet e tjera, pushimet i kalova në plazhet e kristalta tëDhërmiut, të Himarës, të Bunecit dhe të Lukovës. Si zakonisht, rruga ime e preferuar, është ajo që kalon nga Vlora dhe Llogaraja. Këtë vit, për shkak të zjarreve të qëllimshme, përgjatë periudhës 27 Korrik deri me 5 Gusht 2021, kjo rrugë nuk e pati atë shkelqimin, as atë bukurinë e atraksionin e viteve të tjera. Kjo për shkak se duke filluar nga Rrogozhina e deri në Vlorë, Radhimë, Dukat, Karaburun dhe Llogara, gjelbërimin dhe ajrin e pastër e të freskët, e kishte zevendsuar mbulesa dhe era e rëndë e tymit dhe thëngjillit. Si asnjëherë tjetër, këtë vit zjarri është zgjeruar sipas natyres së vet, duke djegur edhe banesat, edhe stanet me bagëtidhe llojet e kafshëve të egëra të pyllit. E njëjta pamje, madje në përmasa edhe më tragjike, është ajo që pash e qëështë transmetuar (nga mediat) për zjarret që kanë përfshirë e shkatërruar fushat dhe kodrat pjellore të Piqerasit, të fshatrave që shtrihen përballë Gjirokastrës e deri në Tepelenë, në Memaliaj e në Mallakastër. Veçoria thelbësore e këtyre zjarreve qëndron në atë që asnjëri prej tyre nuk ka ndodhur për shkaqe natyrore, si dhe zjarret e ndezura janë rritur e përhapur pa ndonjë pengesë apo reagim të mirëfilltë profesional. Të gjithë kemi folur e kemi kërkuar edukim, kapacitete dhe masa konkrete për strukturat e MKZ. Ndërsa zjarret e këtyre 15 ditëve, treguan se edukimi profesional, tenderat dhe investimet për paisje dhe bazë materiale për strukturat e MKZ, janë vetëm shifra e fjalë të shkruara në letrat e dosjeve fiktive. Kjo, sepse, në terren nuk ka funksionuar asgjë. Në kodrat e djegura dhe në terenet fushore të Piqerasit, Gjirokastrës, etj, nuk pashë askund breza toke të punuar e të gjerë sa për të ndalur zjarrin. As në terrenet e pjerrëta nuk pashë asnjë motorrsekë e asnjë puntor që të presë trungjet e të krijojë breza pa bimësi, të gjerë e të gjatë aq sa për të ndaluar përhapjen e zjarrit. Nuk pashë askund grupe të specializuara puntorësh me pompa shpine që shërbejnë për të fikur e penguar flakët. Pavarësisht nga demagogjia, ajo që pamë që të gjithë, është dëmi i madh që është shkaktuar, e që është fytyra e vërtetë e asaj që shkakton çdo lloj qeverisje fiktive dhe e korruptuar në Shqipëri e kudo në botë. Them fiktive për shkak se në dosjet e pluhurosura të strukturave të MKZ-ve, ka me mijëra shkresa që tregojnë për hyrje e dalje fiktive të paisjeve, që nuk i pa askush, e që nuk u përdorën e nuk funksionuan asnjë minutë. Në dosjet fiktive të korrupsionit do të ketë me qindra raste të emërimit të militantëve partiakë, e pa asnjë përvojë e kualifikim shkencor mbi ndërhyrjet kundra zjarreve. Përkundrejt faktit që janë me qindra specialistë e nëpunës të kualifikuar të MKZ-ve, tashmë të përjashtuar e të lënë në punë të rëndomta, jashtë profesionit dhe kualifikimit që kanë bërë. Në një bisedë të sinqertë me njërin prej tyre, mësova mënyrën se si ai (dhe shumë të tjerë si ai), ishin specializuar në shkollën dhe kurset tre mujore, që kanë funksionuar pranë MKZ-së, në Kombinat, në ish godinat, që ndodheshin aty ku është sot komisariati i policisë së Kombinatit. Ky specialist i nderuar, me bindje të majta e shumë i talentuar, aktualisht punon polic tek burgjet. E solla këtë shëmbull për të treguar faktin se kjo është mënyra tipike e shkatërrimit të administratës dhe shtetit. Duket që në Shqipëri, asnjëri nuk punon do të sipas meritës dhe as sipas kualifikimit që ka bërë. Korrupsioni e ka bërë të pamundur punën e secilit në profesionin e tijë dhe aty ku e bën punën më mirë. Në këtë mënyrë, në këto 30 vite kemi parë e po shohim mënyrën se si agronomi me tre muaj kurs e me dy gisht letër të lëshuar nga kryetari i parties është bërë menjëherë jurist. Specialisti i MKZ-së, është bërë roje burgu. Mjeku është bërë inxhinier e drejtor pyjesh,.Veterineri është bërë ekspert kriminalistike. Akoma më keq, oficeri i këmbsorisë është bërë agronom e drejtor bujqësie, e kështu me radhë deri tek hajduti, injoranti dhe krimineli që janë bërë biznesmenë, deputetë e ministra. Tek ky model sjellje duhet ta kërkojmë edhe shkakun e zjarreve, që po shkrumbojnë pa ndonjë pengesë të gjitha pyjet, kullotat dhe fshatrat e Shqipërisë. Një hetim i thelluar dhe i kujdesshëm i ngjarjeve në terren dhe tenderave e dosjeve fiktive, me patjetër që do të zbulojë të vërtetën mbi shkaqet reale të mungesës së mbrojtjes dhe të reagimit të shpejtë e profesional kundër zjarreve.

-Ju si faktor kryesor të të gjitha situatave të pakëndshme që ndodhin këto kohë në Shqipëri, si kryefjalë të ditës ngrini vetëm korupsionin, pra moszbatimin e ligjit…Po në plazhe çfarë vihet re? A zbatohet ligji, kuponi tatimor dhe ndëprerja e muzikës pas orës 12:00?

 

Saktë, pasi nga korrupsioni buron edhe ndotja mjedisore dhe pandemia e evazionit fiscal!

Në plazh, ndodh që të takohesh dhe të bisedosh me njerëz dhe emigrantë të shumtë, të cilët punojnë e jetojnë në vende e në profesione të ndryshme. Pavarësisht nga vimë e ku punojmë, shqetësimi është i njëjtë për të gjithë. Shqetësimet kanë të bëjnë me faktin që, në shumë prej hoteleve të bregut, në vend që muzika të ndalej në orën 12 (sipas ligjit), muzika me dixhej vazhdonte të binte deri në 3-4 të mëngjesit. Hallin më të madh e kanë patur ata që kishin fëmijët e vegjël. Pushuesit e shohin dhe kuptojnë shumë mirë faktin se, mungesa e zbatimit të ligjit apo edhe zbatimi i ligjit në mënyrë selektive, ka për bazë vetëm korrupsionin dhe asgjë tjetër. Shqetësimi i dytë për të gjithë pushuesit janë koshat e mbushur me mbeturina, të cilat pastroheshin rrallë, e për pasojë derdheshin anash kazanave ku kullosnin macet, qentë, gomerët, mushkat, e në disa raste edhe kuajt. Stononte aq shumë uji i pastër e i kristaltë i plazhit të Lukovës, me pamjen e trishtë të kazanave të plehërave të derdhura e shpërndara në afërsi të një ulliri të vjetër. Të gjithë e dinë fort mirë faktin që tenderat dhe paratë për pastrimin e rregullt të plazheve janë dhënë sipas kontratave dhe në masën 100%. Ndërsa pisllëku dhe ndotja që pushuesit përjetojnë janë mungesë e kontrollit dhe e kërkesës së llogarisë, e cila buron vetëm nga korrupsioni e asgjë tjetër. Një tjetër temë e përditshme që flitej midis pushuesve është edhe ajo që ka të bëjë me mungesën totale të lëshimit të kuponit tatimor. Janë hotele ku kushton deri në 200 euro/nata. Janë dreka e darka në grup e që kushtojnë deri në 500-600 euro, ku në asnjë rast nuk pritet kupon tatimorë. Në të gjitha objektet janë vendsur kasat fiskale vetëm sa për t’u parë. Ndërsa në asnjë rast nuk pashë që të përdoren, ose kuptohet se mund të përdoren për 5-6 fatura të vogla ditore. Kjo më ka bërë të mendoj që në Shqipëri, evazioni fiskal (që është vjedhje e buxhetit të shtetit) është mbi 60-70%.Të gjithë duhet të kuptojnë që evazioni nuk ndodh për shkak të mungesës së strukturave apo administratës fiskale, dhe as për shkak të kundërshtimit të biznesit të vogël e të mesëm. Përkundrazi, edhe kjo dukuri e shëmtuar ka për bazë shkatërrimin e qëllimshëm, që i është bërë administratës fiskale, duke e mbushur e defaktorizuar me militantë e me njerëz të korruptuar. Për aq sa shohim, seicli nga ne mund të kuptojë pasojat e rënda të korrupsionit në ekonomi, në mjedis, në punësim dhe në të gjithë veprimtarinë njerëzore. Në këtë mënyrë secili nga ne do të mund të kuptojë edhe arsyen se përse i duhet thënë sa më parë e me zë të lartë stop korrupsionit dhe qeverisjeve amorale e të korruptuara.