Në Europë, testi i shpejt është falas, ose kushton sa 1 kafe në Shqipëri

242
Sigal

Nis viti akademik në të gjitha universitetet shqiptare. Vaksinimi i detyruar pa sukses, mbi 100 mijë studentët përplasen me policinë dhe paralajmërojnë protesta masive deri në dorëheqjen e qeverisë nëse nuk respektohet autonomia. Me testin PCR, po kërkohet të mbushen arkat e oligarkëve duke vjedhur studentët

 

Vaksinimi i detyruar pa sukses, studentët përplasen me policinë

 Rrëmuja në universitetet e vendit përshkallëzohet me thirrje të braktisjes së vitit akademik dhe protesta para MAS

 Pas më shumë se një viti, sot studentët do t’i drejtohen edhe një herë auditoreve të universiteve. Ndryshe nga sa pritej,  ky vit akademik do të nisë në një mënyrë aspak të zakontë. Për të marrë pjesë në mësim, studentëve u është vendosur detyrimi të provojnë se janë imunë ndaj Covid 19, duke paraqitur certifikatën e vaksinimit ose testin PCR negativ. Një detyrim që u konfirmua nga vetë rektori i Universitetit të Tiranës Artan Hoxha, që paralajmëroi studentët e pavaksinuar se nuk do lejohen të futen në auditore. Ndërkohë nëse iu referohemi  anketës së Bordit Kombëtar studentor, të publikuar më 30 shtator 2021,   31% (701) e studentëve të pyetur janë vaksinuar, 13% (283) e tyre nuk janë vaksinuar aktualisht, por kanë në plan të vaksinohen, ndërsa 56% (1278) nuk janë vaksinuar.

Si paraqitet situata në universitetet e rretheve për vaksinimin

Nga raportimet e bëra në Durrës ka rreth 20 mijë studentw, nga të cilët mbi 50% janë vaksinuar. Janë lejuar të futen në auditore vetëm studentët e vaksinuar.

Në Korçë, nga 3500 studentë janë vaksinuar një pjesë e vogël. 37 studentë u paraqitën për të marrë dozën e parw, gjatë javës që ishte në dispozicion të vaksinimit 11-17 tetor.

Dje janë paraqitur në dyert e universitetit pa tampon, në vazhdim do presin se si do procedohet. Në Gjirokastër janë lejuar të gjithë studentët të hyjnë në auditore. Do të vendoset se si do procedohet në vijim.

Në Elbasan janë lejuar gjithashtu të hyjnë në ambientet e shkollës të gjithë studentët. Në ditën e parë në universitetin “Aleksandër Xhuvani”sipas informacioneve të deritanishme, nga mijëra studentë, afro 200 e kanë bërë vaksinën, kurse nga rreth 200 pedagogë, vaksinën e kanë bërë 84% e tyre dhe pjesa tjetër është paraqitur me teste. Studentët e pavaksinuar nuk kanë sjellë si provë as dhe tamponin dhe  shprehur me përqindje, duhet thënë se shifra e të vaksinuarve ndërmjet tyre është shumë e ulët: vetëm 5%.

Në Shkodër vetëm 30 % e studentëve kanë bërë të paktën një vaksinë. Sot nuk do të lejohen të hyjnë pa test, ose vaksinë. Në vazhdim do vendoset sesi do të veprohet.

Në Vlorë nuk janë lejuar të futen në mjediset e universitetit asnjë student i pavaksinuar, ose pa tampon negativ. 98 është numri i studentëve të vaksinuar në qytetin e Vlorës. Por shumica e tyre janë të vaksinuar pasi vijnë nga rrethet.

 

Zv.dekania e Filologjikut: S’bëhemi gardianë në dyert e fakulteteve, të zhbëjnë urdhrin ose të bëjnë teste PCR falas

 Zëvendës dekania e fakultetit të Histori-Filologjisë, Elsa Skënderi në një intervistë ka thënë se shpreson që studentët të sensibilizohen për detyrën e tyre si qytetarë dhe të vaksinohen, pasi ato nuk do bëhen gardianë të dyerve të universiteteve. ‘Në auditor kanë hyrë edhe studentë të pavaksinuar. Nuk flitet për vendimmarrje, çdo fakultet ka vepruar i shtrënguar nga studentët. Ne nuk shndërrohemi në gardianë, shpresojmë që studentët të sensibilizohen për detyrën e tyre qytetare që të vaksinohen. Ne të gjithë jemi të vaksinuar, stafi i FHF-së është i gjithi i vaksinuar. Kjo javë duhet të shërbejë që të vaksinohen. Ka pasur pas studentë që janë paraqitur me test PCR. Ne nuk jemi gardianët e institucionit, jemi universitet, sepse kemi studentët. Vendimet tona nuk mund të jenë detyrues. Nuk kemi as kapacitet (roje) për të kontrolluar studentët nëse kanë vaksinë apo test. Duhet të mblidhen dhe të marrin një masë ose të zhbëjnë urdhrin ose të bëjnë teste PCR falas.’- tha Skënderi.

 

Përplasjet studentë-policë tek Filologjiku:  Shkolla është e jona

Ka pasur tensione të larta në fakultetet e Universitetit të Tiranës, për shkak të kontrolleve që po iu bëhen studentëve në hyrje të çdo fakultetit për vaksinën ose testin anti-Covid. Studentët janë përplasur me policinë në hyrje të Fakultetit të Filologjisë, pasi nuk janë lejuar të hyjnë në auditorë pa vaksinën anti-Covid ose test PCR. Studentët janë revoltuar nga ky vendim, ata përplasen me policët, duke iu kërkuar që t’i lejojnë të hyjnë brenda. Dëgjohen studentët, që thonë ‘Çfarë vaksinimi, hape rrugën për studentët’!

Almeta: Studentët panë sot tmerr me sy, policia në universitet nuk lejohet

Studenti Dardan Almeta, në një intervistë foli për faktin se studentëve iu duhet test antiCovid, që të hyjnë në ambientet universitare. Almeta thekson se prezenca e policisë në universitete nuk lejohet, duke shtuar se pedagogët janë me studentët.“Studentët panë sot tmerr me sy. Mbi 3 mijë studentë nuk hynin dot në auditore. Prezenca e policisë në ambientet e universiteteve nuk lejohet.

Studenti:  Me hapa ligjorë do bëjmë protestë, 60 mijë lekë testi

Një prej studentëve ka hedhur akuza të forta në hyrje të Fakultetit Histori Filologji në Tiranë, ku thotë se të gjithë studentët e pavaksinuar po diskriminohen nga punonjësit e administratës. “Ku jemi këtu në komisariat për të bërë shoqërime dhe për të vëretuar gjëra formale? Diferencimi i studentëve jo po ti je me vaksinë, jo po ti je i pavaksinuar! Ccfarë është kjo gjë, a keni lek me bo 60 mijë lekë test ju? Ku i keni të drejtat si studenta, kapini me fytyrë e pështyjini. Protestë mor, protestë në orën 10:00. Kam ardhur me pa a na lënë të hyjmë. Vetëm 15% e studentëve janë të vaksinuar. Ju që nuk doni të vaksinoheni mos bini pre e këtyre. Me hapa ligjorë do bëjmë protestë jo me shtyrje. Kapini kamerat, shifni ccfarw ftyrash kanë”,- shprehet studenti.

 

Debate te “FSHN”-ja, studentët e pavaksinuar nuk lejohen të hyjnë në auditore, përplasen me policinë

Studentët e pavaksinuar nuk lejohen të hyjnë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, dhe kjo ka sjellë përplasje mes tyre dhe punonjësve të sigurisë, të cilët kanë thërritur në ndihmë dhe efektivët e policisë. Raportohet se tashmë studentët kanë bllokuar qarkullimin e makinave në afërsi të Universitetit. Studentët e revoltuar me vendimin e FSHN-së që nuk i lejojnë të hyjnë në auditore, kanë bllokuar rrugën, ndërkohë që në zonë ka dhe punonjës të shumtë policie. Një prej studentëve, që nuk ka pranuar të vaksinohet, thotë se ata nuk kanë marrë një përgjigje si do të veprohet me ta, dhe se zgjidhja duhet të ishte mësimi online.

“Na kanë lënë pa përgjigje, duhet të dimë si do të veprohet me ne. Janë njerëz të paautorizuar, nuk i njohin vërtetimet që studentët i tregojnë”,- shprehet një prej studentëve protestues.

“Nuk mund të na mohohet e drejta që ne kemi për t’u arsimuar. Mes nesh ka edhe studentë të vaksinuar që na janë bashkuar, do të ndjekim çdo rrugë që të na respektohet e drejta kushtetuese”,- tha më tej studenti.

 Studentët në protestë

Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar, mëngjesi i kësaj të hëne është shoqëruar me përplasje në dyert e universiteteve, ku në Tiranë, në shumicën e fakulteteve nuk janë lejuar që të hyjnë studentët e pavaksinuar. Rreth orës 10:00, studentët u grumbulluan përpara Ministrisë së Arsimit, ku kundërshtuan vendimin për t’u lënë jashtë auditoreve. Ata shprehen se e drejta e arsimit është një e drejtë kushtetuese, dhe nuk mund të tjetërsohet nga asnjë vendim qeverie. Studentët e shpërndanë protestën pas rreth një ore, duke paralajmëruar të tjera tubime.

Pas protestave para ministrisë së Arsimit, studentët e FSHN lejohen të hyjnë në auditore

Protesta që studentët e Fakultetit të Shkencave Natyrore organizuan para ministrisë së Arsimit, duket se ka pasur një lloj ndikimi. Pasi më pas u njoftua se studentët e këtij fakulteti do të lejohen të hyjnë në auditore edhe nëse nuk janë vaksinuar apo nuk kanë një test PCR negativ.

Rrëmujë në universitetet e vendit, studentët thonë se do braktisin vitin akademik

Studentët në Durrës :Studentë të rinj të vitit të parë bachelor, por edhe të viteve të tjera janë ende të paaqartë sesi do të veprohet për këtë vit akademik, pasi ka student, të cilët janë paraqitur ditën e sotme pa test PCR apo certifikatë vaksinimi. Kanë qenë të shumë ata të cilët kanë deklaruar se nëse nuk do të lejohen në auditore të pavaksinuar, do të lënë shkollën. Deri më tani nuk ka shifra konkrete të personave të vaksinuar. Nga vëzhgimet në terren nuk është vënë re një shifër e lartë vaksinimesh pasi në ditë raportohen të jenë kryer 5-7 vaksina.

-Me shumë emocione, por do e marr me sportivitet. Nuk e kam bërë vaksinën, absolutisht nuk do e bëja. Nuk do jem dakord të bëj as testin. Po qe kështu do e lë shkollën fare. Do gjej një rrugëzgjidhje, por vaksinën nuk do e bëj.

-Nuk dua të bëj as vaksinën as testin, shumica nga ne nuk e përballojmë dot, mund edhe të lë vitin shkollor, por vaksinën nuk do e bëjmë. Ne jemi ngritur edhe në protestë, por prapë nuk kishte ndonjë ndryshim.

Studentët në Gjirokastër: -Kam bërë vetëm një dozë në lagjen ku banjo.

1-I kam bërë të dyja dozat, e kam marrë edhe certifikatën me vete.

2-E kam bërë vaksinën, por vetëm, sepse isha e detyruar.

Studentë në Vlorë : “Nuk dua ta bëj vaksinën, nuk kam siguri, ccfarëdo lloj gjëjë që të thotë ministrja e Shëndetësisë unë prap kam pasiguri. Personalisht nuk kam pasur asnjëherë frikë nga corona, do pres deri në momentin e fundit ose thjesht do lë vitin shkollor. Nuk duhet të bëhet e detyrueshme dhe të mos bëhet mësim.