Nga e hëna hapje totale, përveç transportit publik, palestrave, teatrove, aktivitetit sportiv në ambiente të mbyllura

294
Sigal

Kryeministri Edi Rama deklaroi në komunikim online në rrjetet sociale se nga 18 maji nis hapja totale e aktiviteteve dhe jetës sociale në vend, por me disa kufizime. “Nga e hëna përveç transportit publik, aktivitet sportive në mjediset e mbyllura, nuk do të kemi më asgjë të mbyllur. Transportin publik ende nuk i hapim. Hiq palestrat, teatrot, kinema dhe klube nate, apo lokale lodrash për fëmijë, bare, restorante gjithçka do të jetë e hapur. Ekspozimi do të jetë i lartë sidomos me baret dhe restorantet, sepse e rrezikshme të ulesh në to dhe të mos respektosh rregullat dhe protokollin.”

Kryeministri Rama sqaroi se qytetet që janë shpallur zona të kuqe, kufizimi i daljeve do të vazhdojë.

“Në zonën e kuqe do të ketë disa kufizime. Më pyesin pse mbahen fashat e orareve, por sigurisht që ato kanë rol në dekurajimin e daljeve të tepërta, pasi në zonat e kuqe duhet të mbrohesh. Edhe kufizimi i daljeve në fundjavë është e domosdoshme.”

Ende jemi në kushtet e rezistencës, tha kryeministri Rama, dhe këto masa duhet të kombinohen me respektim të masave për një kohë, sidomos gjatë periudhës të verës.

“Turizmi nuk do të jetë si në vitet e tjera dhe duhet të pranojmë kufizimet. Nuk mundemi që për 15 ditë plazh të shkojmë në një rimbyllje totale. “

Po ashtu kryeministri theksoi se është e domosdoshme respektimi i rregullave. “Siç e keni parë në informacionet e Ministrisë të shëndetësisë, ku ministria e shëndetësisë doli sot në konferencë për shtyp për të lëshuar një mesazh të qartë që numrat lëvizin, dhe nëse do të vazhdojnë të jetë kështu do të jetë problem. Prandaj në këtë situatë, në këtë fazë sjellja në raport me rregullat është decizive dhe nuk është çështje eskluzive e inspektorëve, policisë në momentin e hapjes, por e vetëdijes dhe kontributit shoqëror. Dua të përseris, pasi dëgjoj sojin e papërgjegjshëm, që kjo është e rendomtë, këtu nuk ka asgjë, po bëhet për protestat. Duhen lënë këto broçkulla dhe t’i referohemi burimeve ndërkombëtare.”