Ditën e sotme Partia Socialiste ka mbledhur grupin parlamentar, ku mësohet se Edi Rama ka vendosur se çfarë do të ndodhë dhe me vendin vakant, të lënë pas dorëheqjes së Fatmir Xhafajt.
Nesër Kuvendi do të mbajë një seancë të jashtëzakonshme, ku mësohet se Sandër Lleshi do të vendoset në postin e zëvendësministrit të Brendshëm, dhe përmes një VKM-je do të ushtrojë detyrat e ministrit si i komanduar.
Në Kuvend nesër do të votohet dhe largimi i Xhafajt.
Kjo situatë e jashtëzakonshme u krijua për shkak të refuzimit që presidenti Meta i bëri dekretimit të Sandër Lleshit, me propozim të Edi Ramës. Meta u shpreh në arsyetimin e tij se ai nuk kishte krijuar bindjen e plotë për emrin e Lleshit, dhe për këtë shkak i kërkoi kryeministrit që të çonte një emër tjetër për postin.
Mesa duket kreu i qeverisë Rama e ka vendosur që Lleshi të marrë vendin e Xhafajt dhe për këtë shkak ai ka kërkuar që ta zgjidhë ngërçin, pa qenë e nevojshme që emri të kalojë sërish nga presidenca.
Vendimi i Metës ka qenë një rast i paprecedentë, pasi në shumicënb e rasteve presidentët që vendi ka pasur kanë kaluar çdo propozim të bërë nga kryeministrat për qeverinë.
Shumë analistë janë ndarë më dysh në qëndrimet e tyre, ku një pjesë e konsideron lëvizjen e Metës tentativë për të ngritur profilin e tij politik, ndërsa të tjerë e kanë cilësuar të drejtë vendimin e Metës, sa kohë që Kushtetuta ja lejon dhe ai nuk mund të funksinojë si noter i kryeministrit.



















