Vjeshtë e lugë apo lumë e përlumë?!

731
Sigal

Kristo MËRTIRI

Përsiatje nga cikli “ Antiharresa”

Vjeshta migjeniane e sivjetme, sikur i ndezi më tepër gjakrat e Polit(h)ikës. Mirëpo, ca të vërteta dolën më në dritë thjesht si “gjakim për pushtet”. Bollëk me denoncime, padi e arrestime, sharje sipërore, përgjime, lëkundje në karrige dhe “dorëheqje” hipokrite e intrigante! Tamam si një erë e fortë dhe e papritur që sjell shira e stuhira. Podiume shtetërore e partiake me mjekra të rruara e të parruara, me gjëmime e kërcënime, me akuza e kundër-akuza. Si në mazhorancë dhe në opozitë. Njerëzia vjen rrotull, ngre supet e rëna nga hallet e varfëria dhe pyet drejtpërdrejt veten e të tjerët: „Vjeshtë e lugë apo lumë e përlumë?!“ Breshëria e kallashnikovit në Bularat, sikur i ngadalësoi hapat e revanshit partiak në llogoret e majta e të djathta. Por teshtimat e Lirisë nuk u pakësuan dhe as dëgjuam “Shëndet!” apo “Plaç!”… „Rri që rri, na shkruaj një hajmali, mbase na sjell mbarësi!” ,- lëshuan shpotinë e tyre natyrale, miqtë e mi të vjetër e të rinj në Labëri.

– Aman, të kemi rixha, vetëm mos na ngop me lugë bosh dhe as me gjysmë luge. Se metropoli i Polit(h)ikës këtë bën përditë, gdhihet e ngryset nëpër “altoparlantë të ushqyer me paratë e shtetit” e dalëboje për gati 3 dekada pluralizëm. Vazhdon të na e bëjë mendjen ujem: Ku bubullijnë hallet e miletit dhe ku i bie teneqesë dovleti! Dëshironi ta verifikoni këtë mënyrë habitore? Është fare e thjeshtë. Ja, qysh sot në sabah kontaktoni ballë për ballë ose me telefon me cilindo zyrtar të lartë ekzekutiv a legjislativ. Përshëndete dhe pyete drejtpërdrejt, pa lajle e lule, pa fjalë kabara e pa temenara:

-Zotëri politikan mazhorance e opozite (në Parlament ose jashtë tij), dini gjë si u gdhinë a si u ngrysën sot në nahijen e Dragobisë, Lumës, Gollobordës, Çermenikës, Martaneshit, Mokrës, Gorë-Oparit, Tomoricës, Kurveleshit, Dangëllisë, Buzit, Zagorisë, Theollogos, Rrëzomës e Konispolit?… Na shpofshin neve në hundë, po u përgjigj për së mbari dikush! Madje mund të të pagëzojnë edhe si pakëz të luajtur nga fiqiri dhe, më e pakta, se mos ke kaluar ndonjë krizë a temperaturë të lartë gjatë natës. Dhe bëhet fjalë për një pyetje kaq të thjeshtë, mbishekullore e tepër njerëzore, pyetje që po zhduket nga leksiku politik e mediatik dhe ka marrë arratinë në drejtim të paditur! Një arrati e dhunshme e dëshpëruese nga Njeriu, nga realiteti ekonomik; social; shëndetësor e arsimor; financiar; infrastrukturor; kulturor; bujqësor e blegtoral; pronësor; policimi në komunitet; gjyqësor; shërbimet tregtare e komunale etj. Më tutje. Doni të merrni përgjigje sa hap e mbyll sytë? Fjala vjen, pyeteni secilin, se sa padi penale janë depozituar nga mazhoranca për opozitën dhe anasjelltas; ku i kalon pushimet verore e dimërore Presidenti, Kryeministri, Ministri, Deputetët; ç’lloj makinash kanë kolegët dhe pinjollët e tyre; a ka ndonjë haber taze nga “qytetari digjital”; sa përgjime janë “rrëmbyer” nga kasafortat e Prokurorisë; kush mban më shumë qenër e mace në vila e apartamente luksoze; kush është mjeshtër në baste e kazinora e kush pi cigare bosi; kujt i pjell edhe këndesi etj., etj. Shumica, me siguri i kanë përgjigjet në majë të gjuhës. Me lugë të madhe a të vogël, gati të gjithë sikur hanë në një çanak! Nuk ka thënë kot i mençuri i moçëm: “Politikani i lig, me lugë të kon, me bisht të verbon…” Miqtë e mi të vjetër e të rinj, në Labëri e gjetkë, zemërimin dhe zhgënjimin për këtë klasë politike nuk e mbajnë të kyçur me shtatë palë “çelësa sekretë”. Ata ua heqin dushkun fjalëve dhe u gjejnë jastëk, pa i rrumbullakosur e pa i nakatosur me fjalorin “modern” të pluralizmit rrumpallë. Me tribunat, vitrinat e podiumet e metropolit janë velur gjer në grykë nga ekranet që derdhin pa pushim vezullime e ligjërime bajate. Për shembull, përgjigja e plotë e pyetjes së vetme që sugjeruam më lart, vlen sa për dhjetëra raporte e fjalime zyrtare që mbulojnë si shushamë opinionin publik. Sikur të përballen vetëm me ato krahina të Shqipërizës sonë, politikanët e 3 dekadave të fundit dalin menjëherë lakuriq në sy të botës demokratike! Atje gjen edhe varfëri mesjetare deri te mungesa e koromanes thatë, pa dritë elektrike e pa pikën e ujit të pijshëm. Pa u ndalur te moshatarët e shumtë të “Lulit të vocërr”; te gratë shtatzëna e lehona që nuk prekin dot dorën e shtetit të së Drejtës; te pleqtë e vetmuar që presin dy kokrra ilaçe nga fëmijët në qytete a në emigracion dhe që kanë vite pa parë doktorë me sy në fshat; harruan të lëçitin edhe gazetat që nuk shkojnë fare nëpër zonat malore e kodrinore dhe… presin fushatat elektorale për të provuar pak çaste “bismilah” me ndonjë politikan që u vjen rrotull me përgjërim sa për rrëmbimin e votave! Edhe tani që trokiti e po ikën vjeshta, po denden me llafe e gënjeshtra. Majtas e djathtas. Ashtu me shpresa të thyera, ndjekin ekranet pendë-fryra me akuza e padira. Pena le e civile, por edhe sokëllima me këmborë e zile. Lumë e det! Dhe nuk pushojnë së foluri “hudhër në kungull”, kodra pas bregut. Muajin që sapo iku, disa e quajtën fët e fët si “Revolucioni i tetorit të Ramës”(?). Ca e emërtuan Vjeshtë e Lugë. Të tjerë i ranë shkurt: Lumë e përlumë! Së pari, lind natyrshëm pyetja: Në Shqipërizën tonë hallemadhe, ka më tepër korrupsion apo shpifje? Pyesim kështu, sepse iu mëshua aq fort kësaj të fundit si “aksion me goditje të përqendruar”, sa që duket sheshit zbatica përballë korrupsionit. Dhe harrojnë se një ditë, luga e lakmia e madhe të shqyejnë gojën! Njerëzia nuk janë as shurdh e as qorra. Dhe nuk mund t’i shtyjnë ditët dhe netët e perëndisë duke dëgjuar vetëm padira në gjykata e prokurori. Apo u bë deti kos dhe ndonjë demagogu i humbi luga ?! Sepse pasanikët e parave të pista nuk bëhen kurrë esëll, siç mund të bëhen pas degustimit e gostive pranë kades së bekuar me verë bio…Po qyrkun e fajit, kush po e vesh ? Për këtë nismë daulleshpuar, nga intelektualë jo dosido thuhet se “nuk ka për të ndryshuar asgjë, veçse do të rrisë intensitetin e goditjes së saj autokrakike”. Ndërsa ditët e fundit, në kuvendim e sipër, një miku im ish-deputet e drejtues në PS, bëri një pyetje me spec:

-Më thoni, kush i inkurajoi e kush i katërfishoi lojërat e fatit me uljen e detyrimeve tatimore? Apo i vëmë kapakun “shpifje” dhe lajmë duart nga përgjegjësia konkrete(!)…

Së dyti, a po e kryen mirë detyrën Opozita? Sulmet e saj me breshëri denoncimesh, nganjëherë ngjajnë edhe me “shpërndarje zjarri” që mund të fiken vetiu nëpër pellgjet korruptive të rrumpallës ekonomike e sociale. Sepse vërshimi marramendës vetëm me akuza, shpesh katandiset si kokoshi një thelë. Unë personalisht nuk besoj se një ditë opozita shqiptare “do të lerë edhe çizmet nëpër gjyqe me mazhorancën”! Në fund të fundit, vetëm batutat nuk janë argumente të patundshme me tuta e pa tuta. Dhe as i shpëton dot një tabor me jargashë e hyzmeqarë “analistë”… Së treti, mos vallë “gjyqtarët e korruptuar”(siç na janë shitur me shumicë nga politika hipokrite) do të pastrojnë e llagarepsin imazhin e mjaft zyrtarëve mehmurë e pa mullë nga “shpifjet”?! Lumi i padive nuk mund t’i shpëtojë dot ata që sillen si pushtues me pushtetin ekzekutiv të djeshëm e të sotëm dhe nga ana tjetër reklamohen si pa dashje me fasada të majta e të djathta. Por mua, mjaft nga ata paditës më ngjajnë me ca zorraxhinj që qajnë pa rrahur! Sepse realisht janë të tjerë ata idealistë të vërtetë në vite (jashtë borderove shtetërore), që u rrahën, u persekutuan, u dënuan e u poshtëruan nëpër sheshe e salla gjyqesh. Dhe një ditë krejt të tjerë në sofër u shtruan me tepsinë përpara. Le të presim sahatin kur do dalë në dritë qari dhe zarari ! Veçse kam bindjen, gati të gjithë dallohen nga “gjakimi për pushtet”…

Së fundi, disa paditës “profesionistë” nga mazhoranca e opozita (që nuk kanë zënë me dorë punë tjetër në jetën e tyre!), gjithnjë e më shpesh duken tëpkë si ai gomari që vishte lëkurën e luanit dhe kujtonte se ishte bërë trim i çartur. Në të vërtetë, janë tepër larg njerëzve të thjeshtë hallexhinj e që të japin ujë në bisht të lugës. Ata prototipa rrinë vazhdimisht si sapun mbi gunë përballë votuesve, duke aktruar e mashtruar pa karar. Dhe jo rrallë kërkojnë të hanë me dy lugë në të dy krahët. Ndërsa lakmia e pafre i çon deri atje sa nuk durojnë hiç dhe luftojnë t’i vënë edhe pleshtit zile!… Shkurt, i gënjen mendja kur mendojnë se njerëzia mund të ngopet edhe me lugë të zbrazët. Dhe këta lumëmëdhenj përpiqen të hedhin ca gurë në lumenjtë e përrenjtë me padira, përgjime e prokurorira. Vjeshtë e lugë, por edhe lumë e përlumë…!?