“Në progres-raportin e KE-së, nuk janë përmbushur detyrimet e maxhorancës”

572
Sigal

INTERVISTA/Flet zv/kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, Arta Dade

“Kjo maxhorancë vuan nga moszbatimi i ligjit”

Edhe dje në Kuvend, PD-PS shkëmbyen raketat e polemikës kundër njeri-tjetrit, për t’i shkarkuar barrën e përgjegjësive të mosrealizimit të 3 kushteve të vëna për statusin kandidat. “Filozofi e bojkotit” e cilësoi  Patozi, kryetari i grupit parlamentar të PD-së, qëndrimin e PS-së. Ndërsa homologu Ruçi, ia ktheu duke i kujtuar Patozit, vendimet e gjykatës për Qarkun e Fierit. Zonja Arta Dade, deputetja e PS-së, në intervistën për “Telegraf”, 3 kushtet e kushtëzimit të statusit i shikon si mosrealizime të maxhorancës, madje, përmend edhe angazhime të tjera të parealizuara. Zonja Dede argumenton se “moszbatimi i ligjshmërisë, është problemi kryesor i kësaj maxhorance”.  Njëkohësisht, zonja Dade është skeptike, përsa i përket rritjes së besueshmërisë ndaj Gjyqësorit, edhe pse votohen reforma në Gjyqësor. Këto ditë dy personalitete, ministri i jashtëm i Serbisë dhe Kryeministri i Bullgarisë vizituan Tiranën, por nuk u takuan me Kryetarin e opozitës. Sipas zonjës Dade, e cila ka qenë edhe ministre e Jashtme,  mostakimi i tyre me Kryetarin e opozitës nuk përmban asnjë rëndësi, pasi ata ishin për vizitë pune dhe jo vizitë zyrtare.

-Zonja Dade, plotësimi i 3 kushteve të statusit të kushtëzuar, ka mbetur te dëshira e PS-së, që të japë konsensusin e saj. Ju, kështu e shikoni?

– Ky është një spekulim i pastër i maxhorancës, sepse plotësimi i 12 kritereve ka pësuar një vonesë të pajustifikuar, pikërisht nga ana e maxhorancës qeverisëse. Kjo, për faktin se duhet të ishin plotësuar 3 vjetët e shkuara.  Në atë kohë grupi parlamentar i PS-së avancuan një rezolutë që adresoheshin të 12 çështjet të përfshira në opinionin e Këshillit Europian dhe kjo rezolutë u rrëzua nga parlamenti, pikërisht në datën 23 dhjetor 2010-s. Prej asaj kohe, PS-ja ka qenë e angazhuar, madje ka qenë vetë ajo autore e ligjeve që  kërkonin votën e cilësuar, pasi aktet e paraqitura nga qeveria kishin mangësitë dhe në njëfarë mënyre, PS-ja është edhe autore e atyre ligjeve që ne i kemi miratuar me 3/5 e votave. Të gjitha kriteret e përmbushura deri tani mbajnë siglën e PS-së dhe këtu e kam fjalën për reformat që kërkonin votën e cilësuar, si edhe zgjedhja e Avokatit të Popullit. Po të shikojmë pikat e tjera që kërkohen në opinionin e Komisionit Evropian, janë angazhimet e qeverisë, që rezultojnë të papërmbushura, që nga lufta kundër korrupsionit e lufta kundër krimit të organizuar, institucionet e pavarura, respekti për to, çështja e pronave të pronarëve të ligjshëm dhe çështja e minoriteteve dhe veçanërisht e komunitetit rom, të cilat, nuk është se edhe në raport-progresin, konstatohen të përmbushura.

– Për 3 kushtet, secila palë politike e hedh raketën e përgjegjësisë politike te kundërshtari. Cilin realitet duhet të pranojmë?

– Lidhur me tre pikat që kanë mbetur si kushte, deri në dhjetor, të cilat kanë të bëjnë me reformën në Gjykatën e Lartë, PS-ja e shprehur  qartë qëndrimin e saj, që nuk ka kuptim që të miratohen ligje, kur ato mbeten të pazbatuara. Dhe rasti  konkret i reformës së Gjykatës së Lartë, ka të bëjë pikërisht me vendimet që kjo gjykatë ka marrë, problematikën shumë serioze të qarkut të Fierit. Vendimet e të cilave janë të papërmbushura nga strukturat shtetërore që drejtohen nga kjo maxhorancë. Ky është artikuluar si kusht, që ne të votojmë ligjin për Gjykatën e Lartë, por në fakt kjo është edhe domosdoshmëri, sepse nuk mund të shpallet vullneti i votuesve, ashtu siç kanë votuar, me makinacionet e paligjshme të kryera nga eksponentë të maxhorancës, për qarkun e Fierit. Gjithashtu, bllokimi që i është bërë një pushteti tjetër, në mënyrë të paligjshme, nga ana e qeverisë, pushtetit vendor, i cili e ka të pamundur të kryejë detyrat e domosdoshme në shërbim të qytetarëve, është i paligjshëm, një shkelje flagrante e Kartës së Europiane  të Autonomisë të  Pushtetit Vendor, të cilin Shqipëria e ka nënshkruar dhe ratifikuar, dhe duhet t’i përmbahet në linjën e detyrimeve që ka si shtet kur anëtarësohet në Konventa, apo nënshkruan Kartëra të tilla. Pra, plotësuar këto kushte, pa zhbllokuar buxhetin e pushtetit vendor dhe pa zbatuar vendimet  e Gjykatës së Lartë për Qarkun e Fierit, nuk ka se si ne të votojmë ligjin e Gjykatës së Lartë. Edhe për arsyen e thjeshtë, që në të gjitha raportet në vazhdimësi për progresin të BE-së, por edhe të organizmave të tjerë, problemi i moszbatimit të legjislacionit, është një nga problemet më serioze.

– Besoni që reforma  për Gjykatën e Lartë,  që pritet  të votohet, do të rritë shkallën e besueshmërisë ndaj gjyqësorit?

– Sigurisht, që jam skeptike lidhur me këtë çështje, për arsye se kjo maxhorancë vuan nga moszbatimi i ligjit. Lidhur me pavarësinë e drejtësisë, ju e dini shumë mirë që propozimet e PS-së që trajtonin çështjet se si duhen zgjedhur nga parlamenti anëtarët e Gjykatës së Lartë e Kushtetuese, si edhe Prokurori i Përgjithshëm, këto u hodhën poshtë nga maxhoranca, madje u etiketuan edhe me terma mjaft të papërshtatshme, për  këtë parlament. Dhe, përsa kohë mungon vullneti për ta realizuar një drejtësi të paanshme, e cila të ngjallë besueshmërinë te publiku, se mund të veprojë jashtë diktatit të politikës, është mjaft e vështirë që kjo të realizohet, nëse ne nuk marrim masa të tjera.

– Reforma e kufizimit të imuniteteve do të rritë besimin që përpara ligjit të gjithë, pa përjashtim, janë të barabartë?

– Për këtë arsye, edhe ligji që kaluam për kufizimin e imuniteteve mbetet i mangët, nëse neve nuk do të kemi një drejtësi, realisht të pavarur.

– Mbeten të paqarta, nëse PS-ja do të vijë në pushtet, këto amendamente, që ju përmendët, të cilat u rrëzuan nga maxhoranca, a do të përpiqeni t’i jetësoni?

– Sigurisht, që kjo kërkon një vullnet nga të gjitha palët, fakti që kërkohet një shumicë e cilësuar në parlament, gjë që do të thotë, që asnjë forcë politike nuk mund t’i realizojë këto ndryshime kushtetuese, por kjo nuk do të thotë, që të mos bëhen përpjekjet e duhura.

– A zotohet PS-ja elektoratit, që po të vijë në pushtet, do ti kalojë amendamentet e saj për ndryshimet kushtetuese që kërkoi tani?

– PS-ja është shprehur që për aktet ligjore, të kaluara nga ky parlament, që ne kemi qenë kundër, në mënyrë të veçantë, ato që  direkt cenojnë përmirësimin e jetesës të kategorive të ndryshme, padyshim, që ne do t’i ndryshojmë.

– Faleminderit!