Në Britaninë e Bashkuar, firmoset marrëveshja për transferimin e të burgosurve, mbetet problem ndryshimi i procedurës në të dy vendet

196
Sigal

Shteti Shqiptar dhe Britania e Bashkuar kanë firmosur sot marrëveshjen për transferimin e të burgosurve në vendin e tyre të origjinës. Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ishte e pranishme sot në Londër, ku dhe nënshkroi marrëveshjen nëpërmjet së cilës bëhet e mundur transferimi i shtetasve shqiptarë nga burgjet e Mbretërisë se Bashkuar në vendin tonë dhe, e anasjelltas.

Në këtë mënyrë mundësohet mirëqenia e të burgosurve dhe riintegrimi në shoqëri në vendin e tyre të origjinës, ku ata mund të kontaktojnë  familjet e tyre.

Megjithatë, në këtë marrëveshje haset problemi i ndryshimit të procedurës së transferimit në të dy vendet. Për palën britanike, transferimi përbën një proces administrativ që ndiqet nga ‘National Offender Management Service’, përderisa transferimi kryhet vetëm në bazë të urdhrit për transferim, me të cilin kërkohet vazhdimi i dënimit (pa njohje nga gjykata),  ndërsa në Shqipëri, është një proces administrativ gjyqësor për të cilin Kodi i Procedurës Penale Shqiptare, parashikon dhe  rregullon konvertimin e dënimit, me përjashtim të rastit kur ka marrëveshje.

Nuk është përcaktuar ende një mënyrë për të zgjidhur këtë problem.