Elona Caslli: Nuk arrij të dalloj kufirin mes një ambasadoreje dhe një anëtareje partie

619
Sigal

Yuri Kim, nisur nga shfaqjet e dendura pranë ministrave, deputetëve, dhe kryebashkiakut rilindas, e kam të pamundur të dalloj kufirin që ndan një ambasadore të një vendi me një anëtare partie.

Ju shfaqeni aq dendur dhe aq e përzemërsisht pranë tyre, sa sikur mos ta dija që ju përfaqësonit një vend që shqiptarët e duan dhe e çmojnë, do t’ju ngatërroja lehtësisht me një anëtare të Partisë Socialiste, që po orvatet të rrisë figurën e saj brenda partisë duke pozuar pranë deputetëve ose ministrave.

Nuk ka nevojë të kesh lexuar asnjë faqe mbi diplomacinë për të ditur se mes një ambasadoreje dhe mes personazheve të politikës në një vend, duhet të ekzistojë një distancë e shëndetshme.

Tragjikja në këtë mes është që ju nuk e mbani këtë distancë as privatisht dhe as publikisht. E thënë me dy fjalë; As për protokoll nuk e mbani distancën e duhur publikisht.

Shqiptarët janë të fyer nga shfaqjet tuaja zonjë. Janë të fyer kur ju servirni ” Reformën në Drejtësi” si sukses, ndërkohë që është një dështim i suksesshëm, pasi shqiptarët e ndiejnë padrejtësinë çdo çast në të përditshmen e tyre.

Ekziston një fjalë e urtë që thotë- Fatkeqësia ime nuk mund të jetë gjella juaj.

E thënë shkurt, ju po ushqeheni vullnetarisht me gjellën fatkeqe të shqiptarëve. Ju po ushqeheni me shtypjen e tyre, me poshtërimin e tyre, me plaçkitjen e tyre.

Shqiptarët nuk kanë nevojë t’i përqafoni ju. Fëmijët e shqiptarëve nuk kanë nevojë t’i puthni ju. Bëjnë edhe pa puthjet tuaja edhe pa përqafimet tuaja.

Shqiptarët kanë nevojë veç për një gjë;

Mbani vendin që ju takon zonjë dhe mjaft i dhatë serum grabitësve dhe plaçkitësve të këtij vendi.

Është mirë t’u riktheni shqiptarëve dashurinë dhe respektin që kanë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky akt rikthimi mund të nisë duke mbajtur distancën e duhur nga rilindasit në mënyrë që të dallohet qartë kufiri mes ambasadores dhe anëtares së Partisë Socialiste.

Post Scriptum- Jemi njerëz Yuri Kim. Nuk jemi kavje laboratori.