Avioni me drogë, PD: Krim i veshur me pushtet

434
Partia Demokratike i ka bërë thirrje sot kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm të japin shpjegime për përfshirjen e policit në trafikun e drogës në Vlorë drejt Italisë. Deputeti demokrat, Flamur Noka, ka deklaruar se Rama ishte sot në vendin e krimit dhe nuk gjeti asnjë moment për ta dënuar ngjarjen e trafikut të drogës me avion. 
Deklarata e plotë e deputetit Flamur Noka:
Prej 4 ditësh, Kryeministri dhe ministri i tij nuk japin asnjë shpjegim për përfshirjen direkte të funksionarit të lartë të policisë së Vlorës në trafikun e drogës,ashtu sikurse nuk kanë dhënë asnjë shpjegim për përfshirjen e këtyre elementeve kriminal në nivelet drejtuese në Policinë e Shtetit. Edhe pse Rama gjendej sot në vendin e krimit, ai nuk gjeti asnjë moment për ta dënuar ngjarjen e përfshirjen e zyrtarëve të lartë në trafik droge, ashtu sikurse nuk ka gjetur asnjë moment të shpjegojë hashashizimin e Shqipërisë duke treguar në këtë mënyrë qe gjithçka ka edhe ka pasur bekimin e tij dhe mburojën e sejmenit të tij. Megjithëse Partia Demokratike dhe opozita kanë denoncuar pareshtur me fakte trafikun e drogës me avionë, megjithëse ju ngeci në rërë Riformato, përsëri ky trafik ka vazhduar të zhvillohej dhe do të zhvillohej dhe sot e kësaj dite nëse nuk do të ndërhynin autoritetet italiane. Trafikantët kishin garanci për aktivitetin kriminal nga shefi i policisë së Vlorës, dhe shefi i policisë së Vlorës kishte garanci e imunitet edhe më lart për trafikun e drogës. Përgjegjësia shkon tek Ministri i Brendshëm. Ky është rasti tipik i krimit të veshur me pushtet e pushtetit të veshur me krim. Derisa sejmeni ministër nuk jep asnjë shpjegim se përse u rikthye në detyrë shefi i policisë i kapur në krye të trafikut, pasi ishte përjashtuar në 2007 me po këto argumente, nuk jep përgjigje se kush i jepte atij pushtet për të lëvizur drogën, cili deputet apo qeveritar i ofronte atij mbrojtje e paprekshmëri, atëherë ministri i Brendshëm është vetë drejtpërdrejt i lidhur me këtë aferë e duhet të mbajë përgjegjësi për të.
Sigal