Basha bashkëpunim me CDU e Merkel për programin qeverisës, për zgjedhjet e ardhshme

470
Kreu i PD-së, Lulzim Basha bën të ditur se partia CDU e Kancelares gjermane Angela Merkel i jep mbështetje të plotë dhe të gjithanshme Partisë Demokratike në aksionin e saj politik dhe në hartimin e programit qeverisës. “Partia Demokratike po bashkëpunon ngushtësisht me kristiandemokratët e Kancelares Angela Merkel për hartimin e alternativës së saj; programin qeverisës të demokratëve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. CDU, po na jep ekspertizën e saj për ofertën tonë të zhvillimit të vendit dhe kthimit të shpresës qytetarëve tanë që të ndërtojnë të ardhmen në Shqipëri dhe jo të shohin si shpresë emigrimin.”- deklaroi Basha.

Në faqen e tij zyrtare në “Facebook” Basha thekson se “me zyrtarët e lartë gjermanë, ndamë shqetësimet lidhur me zhvillimet në Shqipëri, të cilat po shkojnë në drejtim të kundërt me parimet e vendeve demokratike dhe janë larg përmbushjes së standardeve europiane. Kusht i panegociueshëm për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian mbetet për partnerët gjermanë, dekriminalizimi i politikës shqiptare. Gjatë takimeve që zhvillova në Berlin, deputetët gjermanë vlerësuan propozimet e Partisë Demokratike dhe inkurajuan miratimin me konsensus të ligjit për dekriminalizimin.”

“Një tjetër shqetësim i diskutuar në takimet me deputetët gjermanë ishte dhe procesi zgjedhore i 21 qershorit. Deputetët gjermanë dhe kreu i Komisionit për Çështjet Europiane në Bundestag, Gunther Krichbaum, i kanë cilësuar tërësisht të papranueshme për një vend që aspiron të bëhet anëtarë i Bashkimit Europian, shkeljet e konstatuara në raportin e OSBE-ODIHR-i, për zgjedhjet.”- thekoi Basha. Lideri i demokratëve tha se “mega afera CEZ, ishte po ashtu çështje e bisedës. “Mora mbështetjen e plotë të partnerëve tanë gjermanë, për iniciativën e Partisë Demokratike, për të angazhuar hetues ndërkombëtarë për zbardhjen e kësaj afere si mënyra më e mirë për një hetim të plotë dhe të besueshëm.”- theksoi Basha.
Sigal