“Në 2 gusht të marshojmë për të kujtuar revoltën e Burrelit”

818
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, Adem Allçi, kreu i Shoqatës Mbarëkombëtare të të Burgosurve dhe të Dënuarve Politikë
Natën e 1 gushtit duke u gdhirë data 2 gusht të 45 viteve më parë, shpërtheu një nga revoltat e para të ish të burgosurve politikë, revoltë e cila u shtyp me gjak, por ishte sinjali i parë i revoltave të tjera masive, të cilat tronditën sistemin komunist, më të egër në Europë. Adem Allçi, kreu i Shoqatës Mbarëkombëtare të të Burgosurve dhe të Dënuarve Politikë, një qëndrestar i fortë antikomunist, i cili për 27 vjet me radhë ka provuar të qëndrojë në të gjithë burgjet e vendit, pjesëmarrës në revoltat antikomuniste të Burrelit, Spaçit, Qafë Barit, në një intervistë për “Telegraf”, ka kërkuar pjesëmarrje të gjerë në përkujtimin e 2 Gushtit të vitit 1967, revoltës së parë antikomuniste në burgun famëkeq të Burrelit. Para revoltës së Spaçit, në burgjet dhe kampet e diktaturës komuniste, kishin shpërthyer edhe revolta të tjera, si ajo e kampit për ndërtimin e aeroportit të Kuçovës, ajo e Gjadrit dhe mbi të gjitha, shpërthimi i burgut të Burrelit më 2 gusht të vitit 1967 nga trimat guximtarë: Adem Allçi, Dhori Gërnjoti dhe Sazan Hadëri, që e tronditën thellë aparatin shtypës të diktaturës komuniste në Shqipëri. Allçi, i vetmi i mbetur gjallë, thotë se si përgjigje ndaj kësaj dhune dhe torture të pajustifikueshme ndaj fajtorëve pa faj, kanë ndodhur me dhjetëra raste kur ish të dënuarit bënin tentativë arratisjeje, me shpresa shumë të pakta për të fituar lirinë dhe që, në fakt, përfundonin me vrasjen e tyre, ose me dënime shumë të rënda burgimi. Një e tillë është edhe revolta e Burrelit, burgut më famëkeq në Shqipëri, ndërsa atë ditë të nxehtë, tre të rinj, të syrgjynosur nga pushteti Popullor ngritën në këmbë mbi 500 të burgosur për të shpërthyer portat e hekurta që mbanin brenda lirinë dhe rininë e tyre, mbanin brenda përmes torturave udhëheqësit e vendit, pak prej të cilëve shpëtuan, e shumë pak prej të cilëve jetojnë ende. Por edhe ata që jetojnë, janë më të mjerë se atëherë, janë dy herë të torturuar, dy herë të masakruar, dy herë në jetë të pa jetuara. Pjesa më e madhe e kësaj shtrese nuk kanë marrë asgjë nga dëmshpërblimi dhe jetojnë në mjerim, ku pjesa më e madhe po largohen nga kjo jetë, duke u torturuar jo vetëm nga komunizimi në burgjet famëkeqe, por edhe në demokraci nga pushtetarët, të cilët u ngritën në qeveri me votën e ish të përndjekurve.
Zoti Allçi, si po shkon deri tani dëmshpërblimi i ish – të dënuarve politikë? Në çfarë kushtesh janë ish – të përndjekurit?
Sa për të mos na lënë në harresë fare ata kanë filluar të japin dëmshpërblimin e viteve të burgut. Vihet re një lloj talljeje me ish të përndjekurit, sepse shteti nuk i është përmbajtur premtimeve të bëra për afatin kohor të këtij likuidimi. Nga ana tjetër kësti i dytë është i vonuar. Minimalisht vetëm në Durrës për çdo vit, vdesin deri në 10 prej atyre ish të Burgosurve Politikë, qëndrestarë të antikomunizmit. Fëmijët e tyre janë deri në 16 vjeç dhe janë në mjerim të plotë, në listat e veresieve janë emrat e familjarëve të ish të përndjekurve politikë. Sa dhjetëra e dhjetëra të tjerë janë larguar nga kjo jetë. Trashëgimtarëve të tyre duhet tu jepet dëmshpërblimi i menjëhershëm! Kemi ankesa shumë të mëdha. Këta të vdekur i kanë lënë fëmijët të vegjël. Fëmijët e tyre janë pa bukë e të pastrehë, sepse në 20 vjet nuk është bërë asnjë gjë. Asnjë lloj përparësie nuk u është dhënë si ish të dënuar.
Çfarë po diskutohet deri tani për këstin e dytë? Kanë mbetur edhe disa muaj nga zgjedhjet parlamentare, cilat janë kërkesat tuaja?
Duhet të ecin me ritme të shpejta, sepse ne e kemi votuar këtë qeveri, duhet të plotësojnë premtimet që na bënë para 7 vjetësh kur u ngjitën në pushtet. Për vonesën e këstit të dytë thuhen plot gjëra, disa prej të cilave janë të sakta e disa të tjera thuhen nga dëshpërimi. Midis të tjerave shqetësimi kryesor i ish të përndjekurve politikë ka të bëjë me vonesën e këtij procesi. Në mënyrë kategorike asnjë i dënuar politik nuk është punësuar në shtet. Ne i kemi kërkuar edhe institucioneve shtetërore të punësojnë disa prej familjeve më të varfra, por kjo nuk ka ndodhur. Autoriteti Portual, nuk punësoi asnjë prej të përndjekurve.
Cilat janë kërkesat tuaja si shoqatë mbarëkombëtare?
Kërkesa është që të nisë menjëherë dëmshpërblimi i këstit të dytë, pa përjashtim, se njerëzit po vdesin dita ditës dhe nuk kanë kohë të presin gjersa të firmosë shkresat qeveria. Gjithashtu, unë kërkova respektimin e premtimit qeveritar për afatin kohor, sepse vonesa është shumë e madhe. Kurse deri tani vonesa ka qenë e pashpjegueshme.
Ju në 2 gusht do të marshoni për në burgun e Burrelit? Pse?
Kam për detyrë t’i njoftoj të gjithë të përndjekurit dhe ish të burgosurit. Është një burg famëkeq, ku në ato vite ne shpërthyem diktaturën komuniste. Atë ditë të dy gushtit forca jonë rinore shpërtheu dyert dhe kjo ishte revolta e parë. Një shok u vra aty tjetri u plagos, ashtu si edhe unë. Ishte viti kur gjendja me ndërkombëtarët ishte në zi, më shumë se kurrë më parë. Ishte një vit shumë i ngarkuar, vit kur Enver Hoxha me kisha e me xhami i prishi dhe futi në kooperativa të gjithë njerëzit, nga zonat fushore deri në mal me dhunë. Ishte një vit i zi. Kur ne e nisën revoltën Enver Hoxha u tërbua, sepse nuk e dinte sa njerëz kishim dalë.
Si filloi revolta? Çfarë ndodhi më pas?
Ne morëm çelësat e burgut në fillim, fikëm dritat dhe disa prej nesh dolën. Më pas nisi agresioni. Na futën në biruca e në hetuesi, na dënuan me pushkatim disa prej nesh. U masakruan me tortura ashtu si unë edhe shokët e mi. Në ballë ka qenë treshja Adem Allçi (unë), Sazan Hadëri dhe Dhori Gërnjoti. Ishte një diktaturë e paparë dhe poshtërsi e madhe. Për dy muaj na kanë lidhur me litarë këmbë e duar në biruca. Edhe në banjë shkonim me litarë të lidhur. Tortura çnjerëzore dhe për të tre ne u dhanë vendimet me vdekje dhe me pushkatim.
Sa kanë mbetur gjallë nga ata ish të burgosur politikë të Burrelit?
Ah janë shumë pak, kanë vdekur në burgje dhe pak kanë mbetur gjallë sepse kanë vdekur këto 20 vjet. Mosha e tyre sëmundjet, fukarallëku i madh, ata që dolën kanë vdekur para kohe. Janë familjet më të varfra të shoqërisë.
A ka ardhur koha që para zgjedhjeve parlamentare dhe para se të votoni të kërkoni premtimet e pa mbajtura dhe garanci për votën e ish të burgosurve dhe të përndjekurve politikë?
Problemi qëndron se të burgosurit janë të ndarë në disa shoqata. Do të bëjmë presion deri në minutën e fundit ndaj qeverisë demokratike. Për Edi Ramën nuk do të votojmë kurrë, por nga të djathtët kërkojmë garanci në zgjedhjet e 2013, për ish të përndjekurit.

Burreli vijoji me revoltën e Spaçit
Dhuna dhe torturat në vendet e vuajtjes së dënimit ishin në raport të drejtë me acarimin politik të gjendjes në vend ose në arenën ndërkombëtare. Kur situatat acaroheshin, si në rastet e prishjes me Jugosllavinë, e revolucionit hungarez, e prerjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, e daljes nga Traktati i Varshavës, e prishjes me Republikën e Kinës etj., jo vetëm që shtoheshin arrestimet, por edhe dhuna e terrori ndër kampe dhe burgje, ndaj të dënuarve politikë, kishte rritje të konsiderueshme. Kërkesat e tyre legjitime binin në vesh të shurdhër e dhuna vazhdonte të ushtrohej si më parë. Preludi i revoltës së Spaçit, fillon pikërisht me shpërthimin e birucave nga ish i burgosuri guximtar, Hulusi Pashollari. Ai, me një levë hapi katër birucat, duke lëshuar prej tyre 12 bashkëvuajtës, që vuanin dënimin. Atje filloi edhe përleshja me rojet e brendshme të kampit, të cilët u zmbrapsën të tmerruar nga të burgosurit dhe u detyruan të dilnin jashtë kampit. Kampi ra në duart e të burgosurve të revoltuar.

Burgu i “Të fortëve”
Burgu i Burrelit, një ndër më të vjetrit në vend është ndërtuar gjatë kohës kur mbretëronte Ahmet Zogu. Ky burg është ndërtuar në vitin 1938 dhe shiriti i përurimit të tij është prerë nga kryeministri i kohës Koço Kota, për të cilin për ironi të fatit, ky burg do të bëhej edhe varri i tij. Vetëm pak vite më pas, kur ky burg u mor në dorëzim nga fitimtarët e luftës nacional-çlirimtare, ish-kryeministri Kota është vrarë, pas dënimit që mori në këtë burg. Ahmet Zogu e ka dizenjuar për kriminelë ordinerë me rrezikshmëri të lartë dhe me këtë justifikohen edhe masat e larta të sigurisë në ndërtimin e tij. Në këtë burg për 40 vite me radhë janë mbajtur në qelitë e tij të dënuar, të cilët kishin tradhtuar interesat e Atdheut, nisur nga pikë vështrimi dhe rregullat e atij sistemi. Burgu i Burrelit ndodhet vetëm pak metra larg godinës së Komisariatit të Policisë duke krijuar një lidhje mes uniformave të dy institucioneve, që në fakt kanë varësinë nga dy ministri të ndryshme. Por nëse burgu do të mund të hapej, prania e tyre në publik mund të kthehet në një fatkeqësi me përmasa të mëdha. Mund ta quajmë burgu i “Të fortëve”, pasi në këtë institucion vuajnë dënimin persona, të cilët kanë dënimin maksimal të dhënë nga gjykata.