Gjuha shqipe e sulmuar

    641
    Sigal

    Në prag të 40-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit të gjuhës shqipe dhe debatit për standardin

    Kur panë se gjuhës
    S’i hodhën dot prangat,
    Lëshuan drejt saj
    Gjithfarë merimangash.

    Ismail Kadare

    1.
    Qysh në ditët e para të bashkëpunimit tim me Zërin e Amerikës më ra në sy kujdesi që bëhej në Uashington për të transmetuar në një shqipe të pastër dhe sa më korrekte emisionet, duke respektuar me skrupulozitet normat e gjuhës letrare të njësuar, apo shqipes standarde, siç quhet sot.
    – Duhet ta dish, – më pati thënë me humor Elez Biberaj, – se ne këtu “nuk i kuptojmë” disa fjalë që ju në Tiranë e Prishtinë i përdorni shpesh në shtyp apo biseda si lider, lidership, bilateral, konsensus, staf, bord, interpelancë, intervenim, uorkshop, association, maltretim, kredibilitet, etj. Por, të lutem, edhe ti “të mos i mësosh” e të mos i përdorësh…
    Dhe ai ishte vërtet i kujdesshëm për të mos lejuar fjalët e huaja që prej pakujdesisë kishin hyrë në fjalorin e përditshëm të shqiptarëve dhe kishin fituar të drejtën e qytetarisë midis tyre. Sidomos gjatë viteve të fundit, te një sërë politikanësh, intelektualësh, shkrimtarësh e gazetarësh, është kthyer në mani futja e sa më shumë fjalëve të huaja si një tregues i “erudicionit dhe kulturës së gjerë e të gjithanshme” të tyre. Mirëpo, disa zhvleftësohen pikërisht për këtë arsye, pasi i përdorin këto fjalë vend e pa vend dhe, shpesh, gabimisht.
    Kjo vëmendje që tregohej për gjuhën shqipe te Zëri i Amerikës, nuk vërehej te radiot simotra, as te Radio Tirana e, aq më pak, në TVSH.
    Mirëpo, gjatë këtyre viteve në Shqipëri ndodhi edhe ajo që mund të besohej më pak se mund të ndodhte: u sulmua pikërisht ajo që dukej më e mbrojtur se çdo gjë tjetër – Fortesa e gjuhës. U vu pra, në dyshim gjuha letrare e njësuar shqipe, që shpesh, me të drejtë është quajtur një nga arritjet më të mëdha të historisë së kulturës sonë kombëtare. Disa gjuhëtarë e jo gjuhëtarë, brenda dhe jashtë Shqipërisë, gjetën rastin ta shpallnin Kongresin e vitit 1972 për drejtshkrimin e gjuhës shqipe si “një gabim të rëndë” dhe “të imponuar nga regjimi komunist dhe posaçërisht nga Enver Hoxha”, pavarësisht se ai ka qenë një Kongres mbarëkombëtar, me një pjesëmarrje të gjerë të shkencëtarëve tanë, edhe nga viset jashtë kufijve shtetërorë. Parimi themelor i atij Kongresi ishte ai që tashmë ishte shpallur më 1968 në Konsultën Gjuhësore të Prishtinës: Një komb – një gjuhë.
    Megjithëse dukej një përpjekje donkishoteske e atyre që kërkonin të kthenin kokëposhtë dhe të korrigjonin me themel Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës dhe, ndonëse dukej që ata ishin në pakicë, ishte një çështje që meritonte vëmendje. Duhej diskutuar, duhej mbajtur një qëndrim, duhej dhënë një përgjigje…
    Në qershor të vitit 1995 në Tiranë u mbajt një tryezë e rrumbullakët me temë Profesionalizmi dhe integrimi informativ, organizuar nga radio Tirana dhe Fondacioni Soros, me pjesëmarrjen e radiove shqiptare dhe shqipfolëse. Ndër çështjet që u prekën dhe u diskutuan në atë tryezë ishin dhe problemet gjuhësore. Ra në sy trajtesa cilësore që i bënë kësaj çështjeje gjuhëtari nga Tirana, kryeredaktori i revistës Gjuha Jonë, Prof. Emil Lafe dhe gjuhëtari Qemal Murati nga Tetova.
    Pak ditë pas përfundimit të asaj tryeze mora në intervistë Prof. Emil Lafen, të cilit midis të tjerash i drejtova dhe këtë pyetje:
    – Gjuha letrare e njësuar është bërë tashmë një realitet, por herë pas here shprehen pikëpamje e teza që e vënë në diskutim. Ç’mendim keni për këtë çështje?
    Profesori, tepër i vëmendshëm dhe skrupuloz, u përgjigj prerë:
    – Mendoj se gjuha letrare e njësuar është një arritje e madhe kulturore, shkencore e kombëtare, është kurorëzim i një dëshire të shprehur që në fillimet e Rilindjes sonë. Me Kongresin e Drejtshkrimit shqiptarët bënë atë që popuj të tjerë e kishin arritur shekuj më parë. Të tilla ishin rrethanat tona. Duhet thënë se kjo arritje i ka qëndruar kohës. Gjuha letrare e njësuar është bërë një faktor i fuqishëm i integrimit kulturor dhe i njësisë shpirtërore të shqiptarëve. Dua të kujtoj se në Jugosllavinë e dikurshme janë bërë përpjekje djallëzore për të krijuar artificialisht një gjuhë të veçantë, njëfarë shiptarski jezik të ndryshme nga allbanski jezik, d.m.th. nga gjuha e shtetit shqiptar. Mbaj mend që Radio Prishtina fliste na shiptarskom jeziku, ndërsa Radio Beogradi, që transmetonte për Shqipërinë, fliste na allbanskom jeziku. Synimi është i qartë: duke krijuar dy gjuhë, të krijohen edhe dy popuj të ndryshëm. Por, fatmirësisht, vëllezërit tanë në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi nuk ranë në këtë kurth. Pra, ato teza që përmendët ju, ose janë mendime diletantësh, ose kanë qëllime të mbrapshta. Ne shqiptarët jemi një popull, kemi një prejardhje, një histori, një kulturë, një gjuhë. Le të përpiqemi të gjithë së bashku ta pasurojmë, ta lëvrojmë, ta zhvillojmë këtë gjuhë, së cilës poetët tanë më të mëdhenj i kanë thurrur aq vargje të bukura…

    Intervista me profesor E. Lafen u transmetua në Zëri i Amerikës më 2 korrik, duke u çmuar si një nga intervistat më të mira, ndërsa Agimi e Shaqiri, dy kosovarët simpatikë dhe mjaft dashamirës, nuk ngurruan ta quanin të shkëlqyer.
    Ata e ndienin ndoshta më tepër se të tjerët problemin që trajtohej në atë intervistë.
    Mirëpo, nuk kaluan veçse disa ditë dhe, saktësisht më 9 korrik, u shfaq “papritmas” në Zërin e Amerikës Prof. Arshi Pipa, në një intervistë dhënë nga Tirana për të njëjtën çështje. Profesor Pipa paskësh qenë në Tiranë dhe, me sa dukej, nuk i paskësh pëlqyer intervista e Profesor Lafes. Dhe këmbënguli sërish në pikëpamjen e njohur të tij se njësimi i gjuhës letrare shqipe ka qenë krejtësisht i gabuar dhe se ai është bërë me imponim etj. Ai gjeti rastin te kjo intervistë që, nëpërmjet Zërit të Amerikës, t’i vinte “kryq” letërsisë shqipe të gjysmëshekullit të fundit. Saktësisht tha se letërsia e shkruar gjatë regjimit komunist është zero, ndërsa bëri përjashtim vetëm Kadarenë…
    Kur e dëgjova atë intervistë jam befasuar si rrallë herë dhe më ka ardhur shumë keq. Ishte një kundërvënie e hapur, natyrisht në emër të pluralizmit të mendimeve dhe ideve, për një çështje që mua gjithmonë më ishte dukur se, të paktën në seksionin shqip të Zërit të Amerikës, nuk vihej në dyshim.
    Këto teza janë ose mendime diletantësh, ose kanë qëllime të mbrapshta…, më feksi thënia e profesor Lafes.
    A ishte diletant Arshi Pipa? Këtë duhej ta dinin drejtuesit e Zërit të Amerikës në Uashington.

    2.
    Për gjuhën letrare të njësuar, pavarësisht nga kontestimet, gjuhëtarët tanë më të mirë si dhe albanologë të ndryshëm bashkohen në mendimin se është bërë një punë e lavdërueshme që kurrsesi nuk duhet shkatërruar. Në mbrojtje të saj janë ngritur të gjithë shkrimtarët dhe gjuhëtarët tanë më të mirë. Shkrimtari më i njohur i letrave shqipe në botë, Ismail Kadare, është nga mbrojtësit më të zjarrtë të gjuhës shqipe dhe mbase më i ashpri në reagimet ndaj atyre që sulmojnë këtë monument madhështor të identitetit tonë kombëtar dhe që qëndron denjësisht ndërmjet shtatë-tetë gjuhëve themelore të Europës. Madje, më tepër atë e irritojnë sidomos disa intelektualë shqiptarë kundërvënës, të cilët, më shumë se një herë, i ka quajtur as më pak e as më shumë, por të shitur.
    Natyrisht, kjo gjuhë e njësuar shqipe ka nevojë për përmirësime dhe pasurime, duke rishikuar disa probleme të marrëdhënieve të saj me dialektet dhe nëndialektet etj.
    Prof. Rexhep Qosja në artikullin e tij Gjuha e njësuar letrare, më 1996, thekson faktin se gjuhësia, shkolla dhe letërsia shqipe, gjatë këtij çerek shekulli, e kanë bërë gjuhën e njësuar gjuhë letrare, vërtet kombëtare – gjuhë të kulturës së popullit shqiptar në tërësi.
    Le të kujtojmë këtu gjithashtu faktin e pamohueshëm që njihet nga të gjithë dhe që e pohojnë të gjithë gjuhëtarët dhe albanologët, se, në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe më 1972, asnjë delegat nuk ka shprehur as më të voglin mospajtim me këtë vendim.
    Mirëpo, disa vjet më vonë, më 1989, Arshi Pipa botoi në SHBA një libër me titull: The Politics of Language in Socialist Albania (Politika Gjuhësore në Shqipërinë Socialiste). Këtë libër, profesori im i stilistikës në degën e Gazetarisë, Xhevat Lloshi, në një artikull të gjatë të botuar në revistën SOT më 1991, nën titullin Kultura shqiptare përpara shqetësimesh të reja (artikull që, më 1997, është përfshirë në librin Mbështetje për gjuhën letrare, të të njëjtit autor) do ta quante librin me mendësitë më të prapambetura në gjithë gjuhësinë botërore për atë vit (1989)…
    Në atë libër, A. Pipa ngrihej botërisht kundër Gjuhës Shqipe të Njësuar, ndërsa argumentonte se, e ashtuquajtura gjuhë letrare e njësuar as ka qenë e nevojshme dhe as e ka kërkuar populli shqiptar, meqë shqiptarët prej kohësh kanë qenë mësuar me bashkekzistencën e tyre paqësore dydialektëshe etj. Për të mbushur mendjen e lexuesit, ai sjell në libër një mori shembujsh, ku, në thelb, gjuhën letrare shqipe e quan një veprim hakmarrës të toskëve kundër gegëve…
    E, “imperializmin e Jugut ndaj Veriut, kolonizimin e Veriut nga Jugu, shfrytëzimin e Veriut nga Jugu, pushtimin e Veriut nga Jugu, shtypjen e Veriut nga Jugu”, me një fjalë, gjithë këtë mllef dhe urrejtje që Arshi Pipa shpalos në librin e tij kundër gjuhës së njësuar, madje më tepër se kundër gjuhës, kundër Jugut, Prof. Xhevat Lloshi, e quan “arshishkencë”, ndërsa, duke iu referuar psikanalizës frojdiane, e shpjegon me kompleksin e babait, ose siç njihet ndryshe kompleksi i Edipit.
    Në të vërtetë, Arshi Pipa në librin e tij, e më pas në intervistat që ka dhënë deri te Zëri i Amerikës, më shumë se më gjuhësi, merret me politikë. Nuk marr dot guximin t’i dal përpara asnjë gjuhëtari për të shpjeguar nivelin prej diletanti të A. Pipës në fushën e gjuhësisë, pasi këtë punë e ka bërë në mënyrë të shkëlqyer Prof. Xh. Lloshi që më 1991. Tashmë që kanë kaluar mbi dy dekada nga botimi i librit të A. Pipës, duke parë dhe jehonën e atij libri, përkrahësit e atyre ideve, mendoj se Xh. Lloshi me kundërvënien e tij të ashpër ka patur plotësisht të drejtë, pasi goditi thelbin e një dukurie të rrezikshme që filloi të shfaqet në horizontin e kulturës gati në të njëjtën kohë me shndërrimet e vrullshme politike të fillimit të viteve ’90. Nuk është pra thjesht denoncimi dhe demaskimi i pikëpamjeve të mbrapshta të një individi, por denoncimi dhe demaskimi i një fenomeni, frymëzuesi kryesor, në mos i vetmi i të cilit u bë Arshi Pipa.
    Duke bërë politikë, duke e politizuar edhe problemin gjuhësor, A. Pipa bëhet më i kapshëm, më i kuptueshëm në synimet e tij, pasi dihet se shqiptarët e pëlqejnë dhe merren në mënyrë të veçantë me politikë. Mjaftojnë disa pasazhe nga ky libër mbi qëndrimin tepër fyes të autorit ndaj popullit “mysliman” të Kosovës në përgjithësi dhe ndaj shkencëtarëve e rinisë kosovare në veçanti, ndaj “toskëve” siç i quan ai shqiptarët e jugut të vendit, për të provuar një ndjenjë pështjellimi të pashembullt. Ose, ofensiva denigruese që ndërmerr ai mbi disa nga figurat më të spikatura kombëtare si Fan Noli, Faik Konica, Ismail Qemali, Ismail Kadare, etj.
    Pse na e prishët rahatin me njat kongresin e 72-shit, me njat Fjalor të Gjuhës së Sotme Shqipe më 1980, me tan ato botime në gjuhën e toskëve? Ishim rahat, madje ishim fort të lumtun gegë e toskë, me dy dialektet si dy krenat e shqiponjës në bajrakun tonë, pra na allbanskom jeziku e na shiptarskom jeziku, duket sikur thotë pas çdo rreshti me një dhimbje të thellë Arshi Pipa. Ndërsa qëllimi i sulmeve kundër gjuhës shqipe të njësuar, kundër standardit të saj duket se është ky: të vihet në dyshim dhe të goditet parimi Një gjuhë – një komb.
    Më 1997, këtë polemikë pamfletiste me mërgimtarin politik që pretendon të jetë edhe personalitet në gjuhësi, Xhevat Lloshi e ribotoi në një libër, së bashku me disa studime të tjera në fushë të shqipes së sotme dhe problemet me të cilat ndeshet ajo. Ky libër i imët në dukje, ka një peshë dhe vlerë të njëmendtë, duke qenë një nga librat e rëndësishëm të këtyre viteve, për nivelin e lartë shkencor të të shkruarit, por mbi të gjitha, për misionin që shpreh në titullin e tij të thjeshtë: Mbështetje për gjuhën letrare. Dhe si i tillë meriton të përshëndetet e të evidentohet në morinë e madhe të librave që janë botuar gjatë kësaj periudhe. Që lind nevoja e mbrojtjes së gjuhës letrare, edhe pas dyzetë vjetësh pasi është bërë njësimi i saj, kjo do të thotë se ajo është sulmuar padrejtësisht dhe paturpësisht ndërkohë. Këtë e kanë bërë, fatkeqësisht, edhe disa ndjekës të A. Pipës në Kosovë. Njëri prej tyre, fjala vjen, M. Kelmendi në librin Carere Patria (Çabej, 1998), e çon më tej mendimin, duke futur dyshimin se gjoja edhe gjuhëtari më i madh i të gjitha kohërave i Shqipërisë dhe një nga firmëtarët kryesorë të Rezolutës së Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, Prof. Eqrem Çabej, paskësh qenë kundër njësimit të gjuhës shqipe!… Gjepura! Aq i pavërtetë është ky trillim, saqë, përveç ndonjë buzagazi të hidhur, nuk është marrë fare në konsideratë nga gjuhëtarët dhe nuk ka merituar prej tyre as përpjekjen më të vogël për ta hedhur poshtë.
    Në të vërtetë me këto sulme, duket se nuk kemi të bëjmë aspak me teza të diskutueshme për hir të pluralizmit të mendimeve dhe ideve, por me alternativa kundër, me një strategji shkatërruese të kësaj ngrehine të ngritur me aq mundim dhe sakrifica të dijetarëve, mendimtarëve e gjuhëtarëve tanë nga më të shquarit e të gjitha kohërave. Ndaj dhe me të drejtë këto sulme kundër gjuhës së njësuar letrare janë konsideruar më së shumti si dashakeqëse, armiqësore, madje me frymëzim shovinist.
    Ky i fundit, pra frymëzimi shovinist, duket si problemi që i ka shqetësuar më tepër gjuhëtarët tanë më të mirë të ndërmarrin studime të tjera gjatë dekadës së fundit në mbrojtje të gjuhës, duke parë njëkohësisht edhe evolimin e saj. Dhe është krejt e arsyeshme që në këto studime të mbizotërojë argumenti, arsyeja e shëndoshë.
    Prof. Xh. Lloshi e quan A. Pipën shkatërrimtari më i zellshëm i shqipes letrare, ndërsa librin e tij Politika gjuhësore… si burim i të gjitha çështjeve për diskutim. Zbulohet pa dashje një vlerë e librit të Prof. Pipës, nëse mund të quhet vlerë hapja e një debati të gjërë për çështje themelore të gjuhës. Sidoqoftë, është fakt se gjuhëtarët tanë më pas e kanë pranuar një lloj diktati politik në njësimin e gjuhës, por ky diktat nuk mund të absolutizohet deri në atë masë, sa të bëjë të pavlefshëm krejtësisht Kongresin e vitit 1972 dhe gjithë atë punë kolosale që është bërë për të arritur deri këtu. Sepse për të ardhur deri tek ai Kongres është përshkuar një rrugë e gjatë, tepër e gjatë dhe e mundimshme, me disa ngjarje kulmore përgjatë shekullit XX, midis të cilave shquajnë Kongresi i Manastirit më 1908, Komisia Letrare e Shkodrës më 1916-1917 dhe Kongresi i Drejtshkrimit më 1972. Është me vend të përmendim këtu gjithashtu një moment të rëndësishëm dhe me peshë në këtë drejtim: Konsultën gjuhësore të Prishtinës më 1968, e cila miratoi gjuhën letrare në përdorim në Shqipëri, duke hequr dorë nga gegërishtja. Duke e njohur kronologjinë e përpjekjeve, të cilën e jep përmbledhtas dhe qartë Xh. Lloshi në artikullin Shqipja: ngritja e një gjuhe në nivelin e standardit kombëtar, bindesh se, shkencëtarët tanë kanë përshkuar një rrugë normale dhe një proces normal, ashtu sikurse është vepruar edhe për gjuhët e tjera perëndimore. Prof. Lloshi çmon në mënyrë të veçantë qëndrimin e shkencëtarëve nga Kosova, merita e të cilëve për mbajtjen e Kongresit të vitit 1972, bëhet dyfish më e madhe me qëndrimin që kanë mbajtur më pas ndaj sulmeve që i janë bërë gjuhës letrare të njësuar vitet e fundit. Pasi, realisht, shqiptarët më tepër se me ndonjë defekt të gjuhës së njësuar, kanë për momentin probleme mjaft më të rëndësishme me të cilat duhet të merren seriozisht, sikurse janë fjala vjen braktisja e shkollave nga mijëra fëmijë, ringjallja e analfabetizmit, huazimet që po përçudnojnë çdo ditë shqipen tonë të folur e të shkruar etj.

    Shënim
    Kohët e fundit është hapur debati për çështje të gjuhës shqipe dhe të standardit të saj, i cili ka kapërcyer kufirin e ekspertëve. Gjatë dy dekadave të fundit ky debat është hapur e mbyllur disa herë, është ndezur e fashitur, për t’u rindezur sërish më me furi. Kjo është normale të ndodhë në një shoqëri demokratike dhe njerëzit kanë të drejtë të shprehen për gjithfarësoj problemesh, duke patur në thelb shqetësimin e pasurimit dhe përsosjes së gjuhës, e cila na identifikon si komb. Mirëpo jemi në 100-vjetorin e Pavarësisë Kombëtare dhe në 40-vjetorin e Kongresit që sanksionoi Gjuhën Standarde. Ndaj dhe me të drejtë pyetet: Sa produktiv dhe sa dobiprurës është ky debat? Është e natyrshme që këtu oponionet të ndahen në pro dhe kundër. Nuk janë të paktë ata që mendojnë se agresiviteti i shfaqur me synim shkatërrimin e standardit gjuhësor ka për qëllim moskremtimin e 40-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit në nëntor të këtij viti. Pavrësisht se kjo duket sikur është tjetër çështje, ka të bëjë me thelbin: Ta ruajmë apo ta prishim standardin? Problemi është tepër serioz. Dhe debatet vazhdojnë. Disa nga këto opinione janë botuar edhe në gazetën “Telegraf”. Dua të theksoj faktin se këto janë opinione personale të individëve që i kanë shkruar dhe jo të gazetës. Në këtë kuadër, janë të mirëpritur në faqet e gazetës sonë të gjithë ata që duan të debatojnë për këto çështje. Personalisht, duke e konsideruar Njësimin e Gjuhës si një nga arritjet më të mëdha kombëtare pas shpalljes së Pavarësisë, si dhe në shenjë mirënjohjeje ndaj firmëtarëve të vitit 1972 për shqipen standarde, të cilët ishin personalitetet më të shquara të kohës, po botoj këtë esé, e cila mendoj se ndihmon për të patur një koncept më të qartë mbi procesin evolutiv që ka ndodhur me shqipen deri në ditët e sotme, por edhe me problemet që janë shfaqur pas standardizimit.