Ndryshimi i terminalit të udhëtarëve përplas bashkinë Dibër me kompanitë e transportit

216
Sigal

Fadil Dufi është pensionist dhe udhëton shpesh nga Bulqiza për në Peshkopi për vizita mjekësore. Por të shtunën përpjekjet e tij për të gjetur një mjet transporti për në Bulqizë shkuan kot. Asnjë nga furgonat e linjës nuk ishte në terminal. Dufi u detyrua që të udhëtonte sërish pas afro 1 km, në afërsi të qendrës së Peshkopisë për të gjetur një furgon.

Arsye për varravingon boshe është një vendim i Bashkisë Dibër, e cila që prej 1 majit të këtij viti ka vendour që terminali i udhëtarëve të zhvendoset tek ish-parku i automjeteve. Vendimi, ka sjellë protestë prej operatorëve të transportit të udhëtarëve që prej disa ditësh refuzojnë të zbatojnë vendimin.

Në shkresën drejtuar Bashkisë Dibër, Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban Veri, kërkon që pozicioni i terminalit të udhëtarëve të mos ndryshohet pasi vendodhja është larg qytetit dhe nuk ju shërben qytetarëve, por gjithashtu do të shtojë edhe mjetet e palicensuara. “Kur është marrë vendimi i Këshillit Bashkiak, grupi i interesit nuk është njoftuar”, thuhet në letër. Sipas tyre vendimi i Këshillit Bashkiak për këtë terminal është marrë pa tender të hapur dhe çmimet e aplikuar do rrisin koston e transportit.

Prefekti i Dibrës, Nexhbedin Shehu në një bisedë telefonike për BIRN u shpreh se në Peshkopi nuk ka pasur një terminal udhëtarësh të miratuar dhe se ky vendim ishte i nevojshëm. “Për qytetarët patjetër që do të kenë vështirësi, por nuk mund të nisen furgonat në çdo cep të qytetit, pasi kjo nuk është normale dhe krijon probleme edhe në trafik.” u shpreh Shehu.

Adnan Vranezi, administratori i subjektit që ka në pronësi terminalin i tha grupit të investiguesve se ai është përpjekur të krijojë kushtet optimale për udhëtarët. Vranezi shprehet se kontrata me Bashkinë Dibër është për një periudhë 20-vjeçare.

Kryetari në detyrë i Bashkisë Dibër, Shkëlqim Murrja në një dalje për mediat pas protestës së kompanive të transportit tha se një vendim i tillë për ndryshimin e terminalit të udhëtarëve është marrë nga Këshilli Bashkiak, pasi furgonat që ndaleshin në disa vende të qytetit ishin kthyer në problem për banorët. “Ne si bashki jemi investuar për të gjetur një vendqëndrimi tjetër për terminalin e udhëtarëve, por një nga kriteret bazë për të ngritur një terminal janë kriteret e sipërfaqes, që duhet të jetë jo më pak se 10 mijë m2. Ne në qytet nuk kishim një vend tjetër qëndrimi me një sipërfaqe të tillë.” shprehet Murrja.

Por drejtuesit e kompanive të transportit nuk janë dakord. Ata i thanë grupit të investiguesve se vendimi do të rrisë kostot e transportit dhe qytetarët do të kenë një barrë të shtuar ekonomike pasi janë të detyruar të përdorin urbanët me 30 lekë për të shkuar në terminal. Ata thanë po ashtu se shumë shpejt do të ketë edhe rritje të çmimit të biletës.

Tarifa ditore e miratuar nga Këshilli Bashkiak për mjetet e transportit që do të futen në terminal është 150 lekë për linjat ndërqytetase dhe 100 lekë për linjat rrethqytetase dhe kjo sipas tyre do të rëndojë te qytetarët.

Këta të fundit kanë filluar të ndjejnë efektet e ndryshimit. Sefedin Shkodra, i cili vjen disa herë në vit nga Durrësi në Peshkopi në ujërat termale, tha se pozicioni i ri i terminalit të udhëtarëve është shumë larg nga llixhat. Ai duhet tani të paguaj një taksi për të shkuar deri në destinacion.