Ndriçon ylli i Lulzim Bashës për udhëheqjen e PD-së

444
Sigal

Fushata elektorale e 2013-ës, veç të tjerash, zbardhi edhe perspektivën e vazhdimësisë të udhëheqjes së PD-në, në epokën post-Berisha. Piketat janë hedhur që nga 2011-ta, kur Lulzim Basha, nga ministër  i Brendshëm i qeverisë Berisha, hodhi kandidaturën për kryetar i Bashkisë së Tiranës. Investimi politik që Berisha i përkushtoi kandidaturës së Lulzim Bashës, ravijëzoi edhe projektet sekrete të Berishës të udhëheqësit të ardhshëm të PD-së. Natyrisht, këto projekte ishin në dijeninë e një grupi të pakët njerëzish,  tejet të besueshëm të Berishës.

Perëndimi i ambicieve të Topallit

 Hapi i dytë i zbardhjes së këtij projekti ishte kandidatura e Presidentit. Berisha qëllimisht luajti  bukur dhe me diplomaci kartat e djegies së kandidaturës së Jozefina Topallit, duke u munduar të shmangë pakënaqësitë dhe reagimet publike të Kryetares së Kuvendit,  me qëllim shfronësimin e mitit të saj, si numri dy i PD-së. Hapi i tretë ishte mbledhja e kryesisë së PD-së, natën e së hënës, 6 maj 2013, kur Berisha zbardhi para anëtarëve të kryesisë listat e kandidatëve për deputetë. Nga kjo listë, në Qarkun e Shkodrës u shmangën të gjithë deputetë- përkrahësit e Jozefina Topallit, sikurse Trashani, Bushati, Çobaj, Uldedaj, dhe futjen në listë të kandidatëve të cilët gëzojnë përkrahjen e lobit tjetër kundërshtar të Topallit në PD. Në atë mbledhje nuk munguan edhe sherret e mëdha, aq sa Topalli në mënyrë demonstrative është larguar nga mbledhja. Burime brenda PD-së bënë me dije se gjatë largimit të saj, Jozefina Topalli, është shprehur se: “Jam me dhimbje koke dhe po largohem. Tani jemi më pak demokratë dhe më shumë ‘qelbësira’”, duke lënë të nënkuptohet se kreu i demokratëve ka gabuar me futjen në listën. Topalli është shmangur, fillimisht, duke i krasitur njerëzit e saj në listat e deputetëve. Edhe në vazhdimësi, Topalli në fushatën e deritanishme elektorale është e vetme pa patur mbështetjen kryesore të Berishës. Ehe ish nënkryetari i PD-së dhe aktualisht kryetari i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi e theksoi  faktin se Topalli ka ngelur fillikat në PD: “Unë e kam pasur kolege, natyrisht nuk më ka ardhur mirë për trajektoren e politikës së saj. Dhe mos mendoni se sot më vjen mirë që më së fundmi e kanë kuptuar dhe ata që janë atje që kryesojnë, që ta lënë ashtu siç e kanë lënë, fillikat . Duket sikur ka një ulje të dukshme të përfaqësimit të saj. Duket sikur është vetëm sot,”.

Lulzim Basha, udhëheqësi i PD-së në epokën post-Berisha

Dita e parë e çeljes së fushatës elektorale për PD-në filloi nga Tirana dhe fjalën e hapjes e bëri Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Simbolikisht, kjo do të thotë që Lulzim Basha prezantohet edhe si udhëheqësi i ri partiak i PD-së, nëse PD-ja humbet zgjedhjet dhe Berisha do të largohet nga drejtimi i PD-së. Është brenda logjikës, që Berisha do të largohet nga drejtimi i PD-së, nëse humbet zgjedhjet, pasi nuk mund të qëndrojë më në krye të opozitës, në pritje të një mandati të mëvonshëm të ardhjes në pushtet. Basha po e kalon me sukses “stazhin” politik, si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, ku deri tani, ka mbajtur distancë nga politika qendrore, është larg polemikave, ruan një stil udhëheqësi të politikave të balancuara, jo konfliktuale, duke krijuar një imazh të ri të udhëheqjes. Jo më kot, Berisha përçdoherë ka stimuluar promovimin e arritjeve të Bashës në Bashkinë e Tiranës.  Basha fiton përditë e më shumë reputacionin politik të domosdoshëm brenda partisë, sigurisht, në dëm të klaneve kundërshtarë Topalli- Bode, ka edhe mbështetjen e simpatinë e ndërkombëtarëve, duke e bërë më të besueshëm qasjen e tij si lideri i ardhshëm i PD-së në kohën pos-Berisha.