Ndizet fushata, kërkohet “koka” e Haki Çakos

399
Kërcënimet, Luan Rama: Të shkarkohet Haki Çako, mbështetës i dhunës ndaj LSI
Pas kërcënimeve të shtuara në drejtim të mbështetësve të LSI-së dhe kandidatëve për deputet të kësaj force politike, ka reaguar ashpër edhe nënkryetari Luan Rama. Gjatë një konference për shtyp në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, Rama bëri përgjegjës për situatën e krijuar, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako. Për pasojë, ai kërkoi edhe shkarkimin e këtij të fundit nga detyra. Luan Rama foli për banda të organizuara politike, të cilat sipas tij drejtohen nga qarqe të caktuara të Policisë së Shtetit. Duke iu referuar tre rasteve të kërcënimeve të mbështetësve të LSI në Pukë e Fushë Krujë, Luan Rama akuzoi drejtuesit e policisë në këto rrethe për mosreagim. Për Ramën, përshkallëzimi i dhunës ndaj LSI-së ka ardhur nga simpatizantët e PS-së, që sipas tij kanë krijuar banda të organizuara politike. “Është goditur me mjete të forta në Fushë-Krujë, Blerim Çela, anëtar i LSI-së, koordinator atje i cili bashkë me një grup veprimtarësh të tjerë prisnin të nisnin analizën e punës. Persona të armatosur e kanë qëlluar atë me levë në kokë. Mos veprimi i komisariatit të policisë në Fushë-Krujë është skandaloz, ashtu sikundër edhe komisariati në Pukë, pasi persona të shumtë, burra, cuba, banditë të rilindjes kanë dhunuar dy gra, kryetaren e LSI dhe atë të LRI”, tha Luan Rama. Për këto ngjarje dha edhe emra konkret. “Disa prej tyre janë Astrik Kuçi, Pal Doçi, Pëllumb Prenga. Kemi informuar strukturat përkatëse, kemi denoncuar targat dhe presim reagimin ligjor të këtyre strukturave. Kjo situatë e gjen zanafillën te thirrja e kryetarit të Rilindjes që i fton policët të marrin vota”. ishin fjalët e nënkryetarit të LSI-së.
Sigal