Ndalimi i tubimeve gjatë fushatës, Kushtetuesja zbardh vendimin: Masat kufizuese pa afat, anti-kushtetuese

182
Sigal

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin e dhënë pas padisë së Partisë Republikane, ku ka vendosur pranimin pjesërisht të kërkesës.

Më 4 dhjetor PR depozitoi një padi ku kërkonte rrëzimin dhe shfuqizimin e urdhrit të ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliut, të datës 17 nëntor 2020, që ndalon grumbullime me shumë se 10 persona, tubimet, mbledhjet partiake, ceremonitë martesore etj, të cilat nuk kishin një afat të fundit se kur mund të mbaronin.

Për këtë Partia Republikane pretendonte se akti normativ bie ndesh me parimet, të drejtat dhe liritë themelore të mbrojtura nga Kushtetuta dhe konventat ndërkombëtare të ratifikuara nga Shqipëria, ndalon aktivitetin politik të saj dhe të partive të tjera opozitare dhe zhvillimin e mbledhjeve partiake dhe të tubimeve, tërësisht, pa asnjë dallim.

Urdhri duhet të kishte një kohëzgjatje të përcaktuar për zbatimin e tij, afat i cili duhet të përfundonte përpara fillimit të fushatës zgjedhore. Si përfundim, Gjykata, bazuar në arsyetimin e mësipërm, vlerëson se urdhri nr. 633/2020 i MSHMS-së, në drejtim të caktimit të masave kufizuese pa afat, cenon standardet kushtetuese të nenit 17 të Kushtetutës.

Për këto arsye, 

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të neneve 131, pika 1, shkronja “c”, 134, pika 1, shkronja “gj”, dhe 132, pika 2, të Kushtetutës, si dhe të neneve 72, 76, pikat 1 dhe 4, dhe 81, pika 3 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, me shumicë votash,

Vendosi:

  • Pranimin pjesërisht të kërkesës.
  • Shfuqizimin e shprehjes “deri në një urdhër të dytë” në pikën 1 të urdhrit nr. 633, datë 17.11.2020 të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
  • Detyrimin e organit kompetent të rishikojë kohëzgjatjen e kufizimeve brenda një jave nga shpallja e këtij vendimi.

Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e publikimit në Fletoren Zyrtare.