Skandali me regjistrimin e banorëve nga zyrat e PS, Petrit Vasili: Shërbimet e paguara me taksa nuk mund t’i rrëmbejë një zyrë e fëlliqur elektorale

234
Sigal

Ditën e sotme, Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili ka folur në një emision televiziv, në lidhje me skandalin e publikuar për regjistrimin e banorëve të Bashkisë së Tiranës.

Vasili ka thënë se veprimet që kryhen vetëm në zyrën e shtetit po kryhen në zyrat elektorale të PS, teksa shton prokuroria duhet të nisë menjëherë hetimet dhe arrestimet.

Fjalët e plotë të Petrit Vasilit: 

Rilindja dhe Edi Rama, duke qenë të qartë që e kanë të humbur bëjnë të mundur shpërdorimin dhe kthimin e shtetit në një filial të rilindjes, sepse veprimet që mund të kryhen vetëm në zyrat e shtetit, të verifikuara, pa falsifikime dhe janë në përputhje me ligjin, po kryhen në zyrat elektorale të PS. Pra manipulojnë të dhënat e qytetarëve, bëjnë transferimet fiktive të qytetarëve, normalisht ky investigim shumë i rëndësishëm ka treguar qartë që në Shqipëri nuk ka qeverisje, por ka një rrëmbim nga rilindja të të gjitha funksioneve të shtetit, që nuk janë në funksion të rilindjes, është në funksion të të gjithë qytetarëve dhe të ligjit. Këto shërbime njerëzit i kanë paguar nëpërmjet taksave dhe kurrë nuk mund t’i rrëmbejë një zyrë e fëlliqur elektorale e një partie të caktuar. Ky është fundi i fundit. Janë vërejtur në proceset elektorale parregullsi, shpërdorime të administratës  shtetërore, vajtja e njerëzve nëpër mitingje, krimi i kollajllëqeve për të bërë veprime më shpejt në rrugë ligjore, por që një zyrë elektorale partie jep dhe merr certifikata, manipulon të dhënat e banesave të qytetarëve, heq dhe vendos gjoba, kjo është nuk e di. I bëra kërkesë publike prokurorisë që të zbatonte ligjin dhe të bënte sekuestrimin urgjent të zyrave elektorale të rilindjes dhe të ndërmerrte veprime të menjëhershme, arrestime dhe ju të gjithë keni mbetur të çuditur. Ju jeni në një media ku policia dhe shteti kanë qenë të rrufeshëm për të ardhur këtu. Faktet janë atje dhe ulërasin, që thonë shkatërrimin e plotë të shtetit. Nëse do të kishim një kryeministër minimalisht të përgjegjshëm përpara shtetit, sot nuk do të ishte në detyrë, por do ishte shkarkuar me gjithë të vetët dhe do kishte dhënë dorëheqjen.