Agim Nesho: Shqipëria sot është shembulli i një shteti të kapur nga korrupsion dhe krimi i organizuar

641
Sigal

Interviste ekskluzive me Agim Neshon, ish ambasador në SHBA

Diferenca midis dy udhëheqësve, Albin Kurti dhe Edi Rama qëndron në pozicionet e kundërta dhe vizionin e ndryshëm që kanë në lidhje me integrimin e faktorit shqiptar.

Thirrja e zotit Kurti në Tiranë për Makroshengenin shqiptar ishte nevoja për bashkëpunim të faktorit shqiptar në Ballkan sidomos midis dy shteteve shqiptare si një domosdoshmëri për të rritur rolin e faktorit shqiptar në rajon. Shekulli i 21 është shekulli i shqiptarëve dhe zgjidhjes së çështjes së tyre kombëtare

Agim Nesho, ish ambasadori i Shqipërinë në SHBA dhe OKB në intervistën për gazetën “Telegraf”  shprehet se Kryeministri i Kosovës Albin Kurti u shpreh në Munih për “MakroShengenin shqiptar” për të kundërshtuar projektin ballkanik e inicuar nga serbët. Zoti Nesho thotë se për kryeministri Rama çështja shqiptare mund të zgjidhet vetëm dhe nëpërmjet bashkëpunimit me serbët. Zoti Nesho shprehet haptaz se Shqipëria sot është shembulli, ku shteti është i kapur nga krimi i organizuar dhe korrupsioni. Ndërsa SHBA dhe BE gjithmonë e më shumë po ndërgjegjësohen se Shqipëria është në kushtet e një krize të thellë institucionale dhe kushtetuese

– Zoti Nesho,  “Makro Shengeni shqiptar” është diçka e re idea që shprehu kryeministri Kurti në Tiranë në takimin me kryeministrin Rama? A ka dallim nga idea e “Shqipërisë së Madhe”?

– Kryeministri kurti gjatë vizitës së tij të parë në Shqipëri u shpreh se më shumë se ‘mini-shengen Ballkanik’ ka nevojë për ‘makro-shengen Shqiptar’. Qëllimi i kësaj shprehje ishte kundërshtia e tij për një projekt ballkanik të inicuar nga serbët, që ka për qëllim rritjen e dominimit serb në rajon. Thirrja e zotit Kurti ishte nevoja për bashkëpunim të faktorit shqiptar në Ballkan sidomos midis dy shteteve shqiptare si një domosdoshmëri për të rritur rolin e faktorit shqiptar në rajon. Albin Kurti asnjëherë nuk e ka fshehur idenë e bashkimit të kombit shqiptar, si një domosdoshmëri për të vendosur në realitet atë padrejtësi historike copëtimit të Shqipërisë. Format e realizimit të saj janë të varura nga shumë faktorë ndërkombëtarë, por e rëndësishme është që faktori shqiptar të jetë i përgatitur dhe i gatshëm për këtë sfidë. Shekulli i 21 është shekulli i shqiptarëve dhe zgjidhjes së çështjes se tyre kombëtare.

Për Z. Rama çështja shqiptare mund të zgjidhet vetëm dhe nëpërmjet bashkëpunimit me serbet, ku faktori serbo-shqiptar do të jetë forca lëvizëse e Ballkanit Perëndimor.

Faktori shqiptar nuk mund të zhvillohet dhe përparojë në bazë të projekteve serbe dhe atë që serbët kërkojnë në dëm të shqiptarëve dhe kundër stabilitetit ballkanik. Është më së paku naivitet në besimin për një rol të rëndësishëm me të, në prosperitetin dhe të ardhmen e Ballkanit.

Ju si e gjykoni reagimin e kryeministrit Rama kundër idesë së Kurtit?

– Asnjëri nuk kundërshtoi njëri-tjetrin, por dukej që kryeministri Rama ishte nervoz në mbrojtje të projektit të tij të mini-shengenit ballkanik. Diferenca midis dy udhëheqësve qëndron në pozicionet e kundërta dhe vizionin e ndryshëm që kanë në lidhje me integrimin e faktorit shqiptar. Për Z. Rama çështja shqiptare mund të zgjidhet vetëm dhe nëpërmjet bashkëpunimit me serbët, ku faktori serbo-shqiptar do të jetë forca lëvizëse e Ballkanit Perëndimor. Ky vision, që për të është kopja e ngjashme e marrëdhënieve Francë-Gjermani që bënë të mundur krijimin e BE-së, është sa idealist aq edhe naiv në kushtet e realiteteve ballkanike. Serbia nuk e njeh realitetin e pakthyeshëm të Republikës së Kosovës, nuk e ka dënuar asnjëherë krimet dhe genocidin ndaj shqiptarëve si dhe punon për mos-njohjen e Kosovës. Faktori shqiptar nuk mund të zhvillohet dhe përparojë në bazë të projekteve serbe dhe atë që serbët kërkojnë në dëm të shqiptarëve dhe kundër stabilitetit ballkanik. Sot kur Serbia shikohet gjithmonë e më shumë si një satelit i Rusisë dhe rritjes se interesave ruse në rajon, është më së paku naivitet në besimin për një rol të rëndësishëm me të, në prosperitetin dhe të ardhmen e Ballkanit. Zoti Albin Kurti, duke dënuar ndërvarësinë e pashpjegueshme të Tiranës nga Beogradi, kërkon në radhë të parë integrimin e shqiptarëve më vete.

 

– Ju mendoni se do të ketë një qasje të re, më bashkëpunuese, midis kryeministrave Rama-Kurti, sesa Rama- Haradinaj? Përse ende nuk kemi një politikë bashkëpunimi, bashkërendues për Shqiptarinë midis politikanëve shqiptarë në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe Mali i Zi.

– Të dy kryeministrat qëndruan në pozicionet e tyre, duke ruajtur qetësinë dhe përgjegjësinë përpara shqiptarëve se divergjencat janë të kalueshme. Çështjet u vunë në pah se së shpejti mbledhja e ardhshme e ‘mini-shengenit ballkanik’ do të mbahet në Serbi dhe Kosova e ka kundërshtuar hapur këtë iniciativë që e sheh Kosovën si një vend jo-sovran. Kryeministri Rama është para një udhëkryqi të vështirë: ose do të zgjedhë Kosovën dhe interesat e kombit Shqiptar, ose do të zgjedhë Vuçiç dhe projektin që do të mundësojë një pushtet të fuqishëm personal. Heqja dorë nga projekti është dhe dalja e tij nga loja rajonale, ku ai e ka projektuar veten si përfaqësuesi më kryesor i faktorit shqiptar. Përplasja midis tyre është jo vetëm përplasje midis dy vizioneve të ndryshme, por edhe humbja e një lidershipi të vjetër (Ramës) në favor të një lidershipi të ri (Kurti).

Kryeministri Rama është para një udhëkryqi të vështirë: ose do të zgjedhë Kosovën dhe interesat e kombit Shqiptar, ose do të zgjedhë Vuçiç dhe projektin që do të mundësojë një pushtet të fuqishëm personal.

Mosrespektimi i shtetit ligjor, mungesa e pavarësisë së institucioneve, mungesa e Gjykatës Kushtetuese dhe mungesa e transparencës dhe llogaridhëniesnpara opinionit publik, e kanë kthyer Shqipërinë në një shtet autokratik dhe regjim jo-liberal.

– Këto qëndrime të shprehura midis Ramës-Haradinaj, apo edhe Rama- Kurti, ju mendoni se janë thjesht antipati personale midis tyre, dhe reflektohen në marrëdhëniet shtetërore midis Shqipëri-Kosovë?

Marrëdhëniet midis Kosovës dhe Shqipërisë duhet të jenë gjithmonë të mira në funksion të interesave të kombit. Nuk mund të vlerësohen marrëdhëniet qeveritare në funksion të individëve që drejtojnë të dy vendet. Këto marrëdhënie dëmtohen, kur ka personalizim të politikave nga individë të caktuar. Në këtë rast, Kryeministri Rama ka luajtur sipas interesave dhe ideve të tij. Për sa kohë që kemi një anomali të tillë, çdo individ në Kosovë do të shikohet si kundërshtar dhe pengues i projekteve. Kurti si dhe Haradinaj nuk do të bëjnë dallim në marrëdhëniet me Shqipërinë për sa kohë prevalojnë në axhendën e tyre interesat kombëtare.

– Përse SHBA, BE nuk theksojnë se Reforma në Drejtësi, kështu siç zbatohet, po devijon nga qëllimi i kathatsis të Gjyqësorit, se pushteti ekzekutiv po kontrollin edhe (pa)varësinë e imstitucioneve të reja të Drejtësisë?

-Sigurisht i përkas asaj kategorive që besoj se edhe reforma në drejtësi është nën presionin e hapur të regjimit për t’u vënë në shërbim të tij. Drejtësia është një nga pushtetet e pavarura të domosdoshme në ekzistencën e një demokracie funksionale. Shqipëria sot është shembulli i një shteti të kapur nga korrupsion dhe krimi i organizuar, ku pushteti ekzekutiv po kontrollon gjithnjë e më shumë shtetin. Mosrespektimi i shtetit ligjor, mungesa e pavarësisë së institucioneve, mungesa e Gjykatës Kushtetuese dhe mungesa e transparencës dhe llogaridhëniesnpara opinionit publik, e kanë kthyer Shqipërinë në një shtet autokratik dhe regjim jo-liberal. Për të mbajtur regjimin llogjika të çon që drejtësia nuk mund të jetë e pavarur. Duke qënë se komuniteti ndërkombëtar ka një rol të rëndësishëm në kryerjen e kësaj reforme, pushteti përpiqet jo ta nënshtrojë plotësisht, por ta deformojë në shërbim të tij. Sot janë evidente faktet kur ekzekutivi ndërhyn në procesin kushtetues të krijimit të institucioneve të drejtësisë, të votës imponuese të mazhorancës për projekte alternative të presioneve të hapura ndaj drejtësisë. Kapja e shtetit nuk mund të ndodhë pa kapur drejtësinë.

Mos vallë ambasadorët e huaj në Tiranë kanë prioritet vetëm karrierën e tyre diplomatike, prandaj shumë herë heshtin ndaj shkeljeve të standarteve demokratike nga qeveria?

– Së pari, reforma në drejtësi është reformë e Rilindjes që u përkrah pa paragjykim dhe në mirëbesim nga SHBA dhe BE. Zhvillimet e deritanishme po tregojnë gjithnjë e më shumë tendencat e pushtetit për të kapur drejtësinë. Roli i tyre është konsultues, pavarësisht se propaganda e regjimit e ka paraqitur sikur reforma po kryhet prej tyre. Mendoj se gjithmonë e më shumë faktori ndërkombëtar po ndërgjegjësohet se Shqipëria është në kushtet e një krize të thellë institucionale dhe kushtetuese (deklarata e Bundestagut Gjerman). Në kundërshtim nga dëshira dhe logjika jonë, SHBA dhe BE flasin jo vetëm për ecurinë e një reforme të vetme, por kur proceset çojnë në realitete që bien ndesh me vlerat dhe parimet demokratike dhe situata ka cuar në procese të pakthyeshme. Ata do flasin për këto fenomene më tepër, kur raportet  stabilitet/demokraci dhe përkrahja popullore të krijojnë ato disbalanca të dukshme dhe regjimi është bërë pengesë për bashkëpunim. Është qasje pragmatiste dhe në shumë raste e papranueshme për ne që duam prononcimin e tyre edhe për një veprim të vogël.

Mendoj se gjithmonë e më shumë faktori ndërkombëtar po ndërgjegjësohet se Shqipëria është në kushtet e një krize të thellë institucionale dhe kushtetuese (deklarata e Bundestagut Gjerman)

Zoti Nesho, Shqipëria nuk do të mundet të përmbushë dot 9 kushtet që BE kushtëzoi të plotësohen deri në maj 2020 për hapjen e negociatave,  dhe e para është nuk ka Gjykatë Kushtetuese dhe të lartë, korrupsioni i pandëshkuar, por shumë shtete thonë se negociatat duhet të hapen. Pse shtetet e BE janë në kontraditë me vetveten në çështen e hapjes së negociatave të Shqipërisë me BE?

– Ne jemi larg plotësimit të rekomandimeve të vendosura nga Gjermania dhe disa shtete të tjera europiane. Ajo që është e rëndësishme për Shqipërinë është rikthimi i legjitimitetit të institucioneve shqiptare duke filluar nga Parliamenti. Në të njëjtën kohë ka një perceptim të vendeve të BE-së, për një vendim politik për integrimin e këtyre vendeve në BE, për të shmangur rritjen e influencave të huaja jashtë-europiane.  Metodologjia e re European për zgjerimin  nuk pakëson kriteret dhe nuk ul kërkesat për vendet e Ballkanit, por i fut këto vende në “kornizën” Europiane. Ngjarjet e fundit pas Samitit të Brukselit, inisiativa e “Mini-Shengenit”, kriza në Libi, ndërgjegjësuan BE-në për një qasje ‘gjeopolitike’. Kjo inisiativë e re nuk krijon kontradiksion, por i mban këto vende nën kontrollin Europian.  Është në interes të shqiptarëve dhe Shqipërisë, që në kushtet e një pushteti të pakontrolluar, të kemi ndihmën dhe përkrahjen Europiane. Kjo nuk do t’i justifikojë liderët e korruptuar ta largojnë vending tonë nga rruga Europiane.

– Faleminderit!