Ndahet nga jeta ish-shefi i Pentagonit, Donald Rumsfeld

225
Sigal

Donald Rumsfeld, i cili shërbeu dy herë si sekretar i mbrojtjes si dhe konkurroi si kandidat për president i Shteteve të Bashkuara, u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare. Figura e zotit Rumsfeld, i cili kishte marrë emër si drejtues i aftë e vizionar për ushtrinë moderne amerikane, u njollos nga ndërhyrja e tejzgjatur dhe e kushtueshme ushtarake e Shteteve të Bashkuara në Irak.

I respektuar nga kolegët për zgjuarsinë, nuhatjen e mprehtë politike dhe patriotizmin e tij, Donald Rumsfeld pati një karrierë të shquar nën katër presidentë si dhe për afro 25 vjet në drejtim në korporata private.

Donald Rumsfeld me Presidentin George W. Bush
Donald Rumsfeld me Presidentin George W. Bush

Në vitin 2001 ai filloi mandatin e tij të dytë në krye të Pentagonit gjatë administratës së Presidentit George W. Bush, por synimet e tij për të “transformuar” forcat e armatosura dolën në plan të dytë nga sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001. Ai mbikqyri ndërhyrjen ushtarake amerikane në Afganistan dhe më pas në Irak. Ai u bë objekt kritikash të forta kur plasi skandali i burgut Abu Graib në Irak lidhur me abuzimin e të burgosurve si dhe për reagimin e vonuar ndaj një kryengritjeje të dhunshme në Irak.