Nard Ndoka nxjerr paktin me PD: Si më tradhtoi Basha, krim dhe pabesi!

188
Sigal

Ish-deputeti Nard Ndoka nuk  i ndahet kryedemokratit Basha pas humbjes së 25 Prillit ku kreu i Partisë Demokristiane mbeti jashtë Kuvendit.

Sipas Ndokës, Basha nuk e ka mbajtur fjalën dhe paktin e firmosur mes partive aleate gjë që sipas tij ka sjellë edhe mbetjen jashtë Kuvendit të Nard Ndokës.

Ndoka akuzon se Basha nuk ka zbatuar paktin e firmosur me partitë aleate në prill të vitit 2019, ku parashikonte që krerët e këtyre partive të caktoheshin në vendin e tretë në listat e PD-së.

Deklarata e Nard Ndokës: 

Të nderuar miq që paragjykoni! Po flasim për një fenomen politik. Partia Demokristiane e Shqipërisë është nder 4-5 partitë kryesore në vend, më e vlerësuar më vota se PAA, LZHK e PBDNJ, pra ndjehemi të diskriminuar dhe përjashtuar edhe në raport me partitë aleate. Unë jam i vetmi kryetar partie që i kam fituar në mazhoritar betejat politike përballë PD e PS në vendlindjen time.

Sot ndjehem i trishtuar, se kolegët demokrat me grabitën votat edhe në vendlindje, duke më lënë vetëm 24 vota, turp, krim, pabesi! Kjo është marrëveshja e firmosur nga 6 parti politike, përfshire z.Basha si Lideri i Opozites, nga këta firmëtarë vetëm PDK dhe unë si kryetar i saj jemi jashtë Kuvendit.

E kemi mbështetur PD për 8 vite në opozite, në kauza, protesta, çadra, lënien e mandateve, mos regjistrim në zgjedhjet lokale, etj. Mbështetje pa rezerva për Opozitën e Bashën, në fund u ndjemë të tradhtuar, të pavlerësuar dhe të persekutuar. As sot pas disfatës, nuk ka një falje, apo reflektim njerëzor dhe politik!

Çfarë parashikonte marrëveshja?

Sipas dokumentit të firmosur nga Basha në emër të PD-së mes 6 partive aleate parashikonte që t’i jepte përparësi krerëve të partive të koalicionit të djathtë, duke i vendosur në emrat e parë, pra në listat fituese.

“Për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Partia Demokratike do të përfshijë në listat shumemërore të kandidatëve të saj të gjithë kryetarët e partive nënshkruese të kësaj marrëveshjeje, duke e renditur secilin prej tyre në numrin rendor 3 të një qarku dhe kur dy amë shumë se kryetarët e këtyre partive do të përfshihen njëherazi në listën shumë emërore të Partisë Demokratike në një qark, atëherë ato do të renditen njëri pas tjetrit, duke filluar nga numri 3. Renditja e tre në këtë rast do të bazohet në rezultatet historike zgjedhore për Kuvendin e Shqipërisë”, thuhet në pikën 7 të kësaj marrëveshjeje të firmosur në 10 prill 2019.

Por tani vetëm Ndoka mbeti jashtë Parlamentit, pasi ai ishte i teti në listën e Shkodrës. Ndërsa deputetë u bënë të gjithë aleatët kryesorë të PD-së, Dashamir Shehi LZHK-së, Fatmir Mediu i PR-së, Vangjel Dule i PBDNJ-së dhe Agron Duka i PAA-së. Në pikën 10 të paktit përcaktohet se ai nuk mund të ndryshojë pa pasur konsensusin e aleatëve.