Myslim Pasha: Greqia po kërcënon ujërat tona territoriale

446
Sigal

Zbulohet për herë të parë Harta e Hapësirave Ekonomike Ekskluzive e Greqisë e dërguar ne OKB

Marrëdhëniet shqiptaro-greke pritet të marrin një zhvillim të ri, ndërsa zbulohet Harta e Hapësirave Ekonomike Ekskluzive që Greqia ka dërguar në OKB. Ndërkaq, dje gjatë një interviste ambasadori i Greqisë përsëriti pretendimin për marrëveshjen detare që është rrëzuar përfundimisht nga Gjykata jonë Kushtetuese. Në këtë kuadër, gazeta “Telegraf”, intervistoi Kolonelin që denoncoi paktin detar me Greqinë, Profesor Myslim Pashën. Ai theksoi se, më këtë hartë të re të Greqisë Shqipëria është e kërcënuar për ujërat territoriale të saj, ndërsa shteti ynë hesht në mënyrë të pafalshme. Ndaj dhe, sipas tij duhet të bien kambanat e alarmit.

 – Profesor Pashaj, Greqia së fundmi ka çuar në OKB pretendimin territorial për ujërat, komenti juaj?

– Qeveria greke nëpërmjet Shërbimit Hidrografik Helen është duke përgatitur hartën me koordinata të Hapësirave Ekonomike Ekskluzive të Greqisë. Kjo është një punë me vlerë për qeverinë greke dhe askush nuk ka se çfarë të thotë mbasi secili shtet interesohet të ketë sa më shumë përfitime nga Ligji i Detit për kufijtë detarë që ndahen midis shteteve. Por ne mund të shtojmë se Greqia e tepron me synimet e saj dhe mënyrën se si do që të përfitojë. Të mos harrojmë problemet që ajo ka me Turqinë, Egjiptin dhe Libinë me të cilët nuk ka ndarë kufijtë e HEE. Me Turqinë ka pasur një “gjendje lufte” që atë ditë kur Greqia ratifikoi Marrëveshjen e Montego Bay . Greqisë tanimë i është shtuar edhe problemi i kufirit detar me Shqipërinë, për të cilin ajo nuk ka asnjë faj sepse vet Qeveria e Regjimit të Berishës përgatiti në fshehtësi t’i dhuronte Greqisë 350 km 2. Në këto kushte Greqia ka përgatitur këtë hartë me koordinata që t’ia bëj të ditur OKB dhe kjo e fundit të ndikojë që të realizohet ndarja detare. Kësilloj, në këtë hartë është edhe HEE e Marrëveshjes famëkeqe të hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese.

– Dje Ambasadori i Greqisë në një intervistë deklaroj se ne kemi një marrëveshje për Ujërat detarë me Shqipërinë? Ishte një “lapsus” apo?

– Nuk besoj se ka qenë një “lapsus”. Është thënë edhe më parë një frazë që vjen butë- butë dhe ashtu natyrshëm, për të kërcënuar qeverinë e Regjimit,  këtë bashkëndarëse të Detit që ia firmosi Paktin atdhetar e famëkeq. Ata në të vërtetë e kanë “firmën” e Regjimit dhe atë do ta tundin sa herë që të duan. Kjo është alarmante për Shqipërinë e Regjimit  që dërdëllis në konferenca shtypi se, “ajo marrëveshje nuk ekziston etj., etj…”, kur ja ashtu tinëz… pas dërgimit në OKB të hartës me koordinata të HEE del në një intervistë Ambasadori grek. Dhe asnjë reagim nga Qeveria e tradhtisë së madhe. Kjo ndodh këtu në fqinjërinë tonë. Dhe ne bëjmë sikur nuk dëgjojmë dhe sikur nuk shikojmë.

– Çfarë ndikimi do të ketë kjo kërkesë për vendin tonë?

– Kjo kërkesë është e natyrshme për Greqinë dhe synimet e saj. Ndërkaq ndaj nesh hapet syri i vigjilencës sipas të cilit duhet gjetur nëse ata e kanë paraqitur hartën e vijës së ndarë sipas paktit famëkeq apo kanë një vijë tjetër. Nëse ata kanë paraqitur të njëjtën hartë me po të njëjtat koordinata kjo tregon se Greqia nuk heq dorë nga Marrëveshja, tanimë e rrëzuar. Kështu, pra, do të bien kambanat. Po për cilët vesh? Të këtij Regjimi që ka hequr edhe ligjin e brendshëm të kufijve tokësorë dhe detarë?

– Në të vërtetë, sa të kërcënuara janë kufijtë ujorë të vendit tonë, duke parë edhe diskutimet apo lëvizjet e fundit të qeverisë sonë dhe asaj greke?

– Ne rrezikohemi nga vetvetja që do të thotë se Regjimi i Berishës vijon edhe sot e kësaj dite ta quajë ashtu  “heshtur” se marrëveshja nuk ka qenë në dëm të Shqipërisë, vetëm e vetëm për të mbuluar krimin e rëndë, kështu që çdo ndërmarrje është dyshuese. Qeveria që do të vijë pas votimeve të qershorit do të sjellë një koncept tjetër ndaj kufijve detarë dhe tokësorë duke mos i shpërfillur interesat kombëtare me dinjitet por duke u mbështetur edhe tek ligjet e brendshme dhe ato ndërkombëtare.

– Në kohën kur Greqia po përballet me vështirësinë më të madhe financiare si e shihni këtë kërkesë, vjen ajo në kohën e duhur?

– E thamë se secili shtet sheh interesat e tij. Në kushtet e sotme të rënies së madhe krizore ekonomike dhe shpirtërore, qarqet studimore të Greqisë ofrojnë nevojën dhe mundësinë e kërkimeve në det të hidrokarbureve për të cilët aq shumë nevojë ka ekonomia greke.

– Pas kësaj kërkese ka përfitime monetare për Greqinë apo thjesht pretendime territoriale?

– Kërkesa është në një shkallë të madhe,  mbasi  HEE e Greqisë janë të konsiderueshme, dhe ku sa më shpejtë  do të  fillojnë ( e një pjesë kanë filluar) të kërkimeve në det. Ndërkaq me Shqipërinë janë dy probleme:

1.   HEE midis të dy vendeve ku dihet se ka rezerva nafte

2.   Hapësira detarë në Kanalin e Korfuzit ku është drejtpërdrejt kërcënim territorial sepse ka të bëjë me Det Territorial i cili është njëlloj sikundër edhe kufiri tokësor.

Dhe ky Berisha “kombëtar”, ky lojtar tartakut me retorikën e mashtrimit e ka vënë në “zap” Shqipërinë, dhe pse krimi  rëndë, kaq unik  në historinë e botës ia bën” muuuu…” deri në kupë të qiellit.

– Ju faleminderit!