Mungesa e Kosovës, Bushati bojkoton takimin

526
Respektimi i shtetit të Kosovës dhe pjesëmarrja në të gjitha konferencat rajonale dhe ndërkombëtare, mbetet prioritet i diplomacisë shqiptare. Për shkak të mungesës së ftesës për Kosovën në Konferencën e Ministrave të jashtëm të Ballkanit Perëndimor, organizuar me iniciativë Ministrisë së Punëve të jashtme të Bosnje-Hercegovinë, parashikuar për t’u mbajtur më datë 23 shkurt, në Banja Luka, kryediplomati shqiptar Ditmir Bushati ka refuzuar pjesëmarrjen e tij në këtë konferencë Zëdhënësja e MEPJ, Edlira Prendi sqaroi për ATSH, se ministri Bushati ka informuar me një letër homologun e tij boshnjak Igor Crnadak, në të cilën shpreh keqardhjen e tij për mosrespektimin e formatit të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ftesën e munguar për Kosovën, duke bërë me dije në këto kushte mospjesëmarrjen e tij në këtë takim. Në argumentimin e vet, ministri Bushati i ka komunikuar ministrit Crnadak se nuk mund të ketë diskutim kuptimplotë dhe të dobishëm mbi rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt BE-së, pa qenë të pranishëm të gjithë anëtarët e Ballkanit Perëndimor, në frymën e mirëkuptimit, respektit dhe gjithëpërfshirjes. Në fokus të konferencës që pritet të mbahet sot është “Ballkani Perëndimor dhe anëtarësimi në BE: bashkëpunim më i fuqishëm rajonal për një proces më të shpejtë të integrimit evropian”.
Sigal