Mospublikimi i përgjigjeve të konkurruesve për vendet vakante në Administratën Publike, është mungesë transparence

384
Sigal

Forumi/ Taksapaguesit duhet të shikojnë si i plotësojnë kriteret e punësimit, ata kandidatë që nesër do t’i paguajë me taksat e veta

Maxhoranca e majtë, për t’i dhënë fund marrëdhënieve klienteliste të punësimit në Administratën Publike, u zotua se do të ndërmerrte një reformë të thellë, ku meritokracia do të ndërtonte një administratë të re funksionale. Një nga instrumentet ekzekutuese të kësaj reforme, u cilësuan konkurset. Mirëpo, për çudi, edhe me konkurse për vendet vakante të Administratës Publike, që shpallen vakante, fituesit që marrin poste drejtuese, zbatojnë menjëherë politika të spastrimit politik të të gjithë nëpunësve, siç ndodhi në shumë DAR-e (ku gazeta “Telegraf” i ka denoncuar me shkrime), apo për drejtoritë e shkollave të mesme profesionale në Tiranë, pa konkurse drejtoreshë emërohet motra e një deputeteje, si edhe bashkëshorti i zv-kryetares të ZAZ-it.  Apo emërimet nepotike të një drejtoreshe të Përgjithshme, e cila ka 13 familjarë të emëruar në poste shumë të rëndësishme. Gazeta “Telegraf” i drejtoi një pyetje ministres së Administratës Publike, përse nuk publikohen online edhe vlerësimet për çdo kandidat, në mënyrë që taksapaguesi të shikojë si u morën në punë ata nëpunës që ia i paguan me taksat e veta. Ministrja Harito, përgjigjet se fituesit shpallen online, por nuk e ka ligji që të publikohen edhe vlerësimet e tyre. Pikërisht, këtu qëndron edhe mostransparenca, pasi jo rastësisht, edhe ata drejtues që emërohen në Administratën Publike, janë ithtarët e politikave të spastrimit të Administratës Publike nga nëpunësit që nuk kanë bindje partiake me qeverinë.

Pyetja që shtron “Telegraf” për forumin:

A duhet të publikohen online dhe vlerësimet që marrin kandidatët që japin provim për punësimin e vendeve vakante në administratën publike që të dimë përse ky kandidat mori vendin e punës, nga të tjetrët?

 Knut Fleckenstein – Raportuesi për Shqipërinë: Personalisht kam marrë ankesa nga qytetarët shqiptarë për administratën publike

-Personalisht marr shumë letra e mesazhe nga qytetarët shqiptarë, që ankohen për administratën publike dhe kam biseduar me Avokatin e Popullit, se sa e rëndësishme është që të ndiqen ato, që të ndërmerren veprime.

  Edmond Spaho, deputet: Ka vlerësime abuzive dhe të gënjeshtërta

 -Po të jepeshin vlerësimet për çdo kandidat do vështirësohej çështja, sepse çdo kandidat do fillonte të gërmonte mbi vlerësimin e tij dhe në çdo rast të vlerësimit abuziv dhe të gënjeshtërt, do mund të viheshin institucionet para përgjegjësisë.

 Zef Preçi, ish zv/ministër: Duhen publikuar edhe emrat e pjesëmarrësve dhe rezultatet e vlerësimit

Mendoj se jo, por secili mund të kërkojë dhe duhet të marrë përgjigje për përfundimet personale të testimit. Po kështu, duhet të jetë shpallur më parë edhe instanca e apelimit, nëse pjesëmarrësit kontestojnë rezultatin e publikuar. Problemet e ndërtimit të administratës publike dhe mënyrës së plotësimit të vendeve vakante, të janë një tregues kuptimplotë i mënyrës sesi funksionon shteti ynë në ditët e sotme. Për fat të keq, edhe mbas ndërrimit të maxhorancës qeverisëse, kjo administratë mbetet inkompetente, e politizuar dukshëm dhe e zhytur dukshëm në konfliktin e interesave. Të jemi të qartë: kjo histori nuk fillon sot, por as që po kapërcehet, me gjithë angazhimet e përbetimet e drejtuesve politikë të vendit. Në fakt, kemi të bëjmë thjesht me zëvendësimin e një administrate me një tjetër, pavarësisht mbrojtjes ligjore, por po aq të politizuar sa ajo e mëparshmja. Unë mirëkuptoj vështirësitë për mbajtjen e premtimeve të fushatës zgjedhore, sepse ekonomia jonë fetare është mbi 80% private, por kurrsesi kjo nuk justifikon politizimin e administratës publike, apo të shërbimeve shtetërore në sektorë dhe nivele të ndryshme. Një nëpunës publik, që merr postin si shpërblim për angazhimin në fushatën zgjedhore, apo më keq, për shkak të sponsorizimit në favor të kësaj, apo asaj force politike, ka vetëm një objektiv: të rifitojë paratë e veta e kjo mund të bëhet vetëm duke shkelur ligjin, duke penalizuar qytetarët, që presin të marrin shpërblime publike në institucionet shtetërore. Ndërsa një numër nëpunësish publikë bëjnë gjithçka për të devijuar fondet publike në drejtim të bizneseve të veta, ose të personave të lidhur me ta. Kjo deformon konkurrencën dhe nxit korrupsionin me fondet publike. Sa u takon konkurseve, në shumicën e tyre ato janë formale dhe thjesht për kompletimin e dosjes në konformitet me ligjin. Pavarësisht kësaj, mendoj se duhen respektuar rregullat e njohura dhe praktikat e mira të qeverisjes, sipas të cilave, përveç publikimit të kritereve transparente të rekrutimit, duhen publikuar të paktën në faqen përkatëse të internetit edhe emrat e pjesëmarrësve dhe rezultatet e vlerësimit. Gjithashtu, është e nevojshme që të jepet koha e nevojshme për shqyrtimin e ankesave (apelimin) dhe arsyetimin e renditjes së shpallur. Kjo do të respektonte jo vetëm barazinë e palëve, por edhe do të mundësonte edhe uljen e kostos së shqyrtimeve gjyqësore nga kontestimet e kandidatëve, por edhe evitimin e vendeve të punës formalisht vakante dhe në procese gjyqësore dhe administrative që në disa raste zgjatin me vite.

Zaçe Islami, jurist

-Për të pasur një tejdukshmëri të plotë, patjetër që duhet të jepen drejtpërdrejt, por kjo nuk mund të bëhet për arsye se pastaj nuk mund të marrin lekët nga kandidatët për vendin e punës. Fatkeqësisht, kjo është gjendja sot për sot.

Prof. Tritan Kalo: Nuk e kemi atë shkallë emancipimi për të komentuar edhe rezultatet online

-Ne si popull nuk e kemi atë shkallë emancipimi për të komentuar edhe rezultatet online. Ato mundet të jenë individuale, sipas një fjalëkalimi specifik, sepse më pas lindin komente të pavenda për x apo y person.

Gjovalin Kadeli, deputet: Që nuk shpallen, do të thotë që procesi dhe vetë përzgjedhja nuk ka transparencë

 -Patjetër, që opinion duhet të informohet kush fitoi dhe si fitoi. Të ketë plotësisht një proces transparent. Që nuk shpallen, do të thotë që procesi dhe vetë përzgjedhja nuk ka transparencë.

Gjergj Papa, deputet: Gjithkush ka të drejtën e informimit ndaj kandidatëve

-Personalisht, unë jam që vlerësimet e çdo kandidati të shpallen online, që gjithkush, qoftë pjesëmarrësit në këto konkurse që kërkojnë të punësohen, por edhe vetë qytetarët, të shikojnë rezultatet e përgjigjeve dhe të jenë edhe ata kriter vlerësimi. Gjithkush ka të drejtën e informimit ndaj kandidatëve, sesi ata i plotësojnë kriteret për të qenë fitues i çdo vendi pune, derisa janë taksapaguesit, që  paguajnë rrogat e nëpunësve të administratës publike.

Ministrja Milena Harito: Rezultatet nuk publikohen, sepse kështu e kërkon ligji

Rezultatet nuk publikohen, sepse kështu e kërkon ligji, për të lejuar mundësinë e ankimimit. Rezultatet përfundimtare, pas periudhës 15 ditore të ankimimit, publikohen dhe janë të shpallura.

Av. Idajet Beqiri: Rama po përpiqet ta bëjë një gjë të tillë, por po ecet me hapat e breshkës

-Rama po përpiqet ta bëjë një gjë të tillë, por po ecet me hapat e breshkës! Online duhet të dalin jo vetëm emrat e fituesve, por mbi të gjitha e kaluara, gjeni i familjes së tyre, arsimimi, kualifikimet, punët dhe institucionet e mëparshme ku kanë shërbyer fituesit, rezultatet e testimit e madje edhe në cilat shkolla, universitete, shtete, e deri me cilët profesor me emër i kanë kryer kualifikimet apo ku kanë qenë të punësuar dhe kë kanë pasur udhëheqës e drejtues atje ku kanë qenë të punësuar, apo për kualifikime, këta fitues.

Jakup B. GJOÇA