Prej katër ditësh, prokurorët belgë mbërritën në Tiranë duke mbledhur të dhëna për dosjen ‘Toyota Yaris’, ku në 2018-ën u kapën 3.4 mln euro.
Prokurorët kanë marrë në pyetje rreth 20 persona, mes të cilëve edhe kreun e PD Lulzim Basha pasditen e djeshme në SPAK, për më shumë se dy orë.
Sipas informacioneve nga SPAK, prokurorët belgë largohen sot nga Shqipëria për të vazhduar hetimet në Bruksel. Por, dosja e ‘Toyota Yaris’ nuk ka qenë çështja e vetme më të cilën janë marrë.
Sipas një medie prokurorët kanë mbledhur të dhëna edhe për disa dosje të hapura. Ata po hetojnë grupe kriminale dhe persona të përfshirë në krime të ndërlidhura mes Shqipërisë dhe Belgjikës. Kujtojmë se vetëm në dy javët e fundit tre shqiptarë të lidhur me krimin kanë humbur jetën në Belgjikë.
“Toyota Yaris” është një dosje e hetuar në bashkëpunim me belgët, ku në qershor të 2018 u sekuestruan 3,4 milionë euro të fshehura në automjete në portin e Durrësit.
Në atë kohë Basha akuzoi Taulant Ballën në parlament se ishte pronar i parave të drogës në makinat ‘Toyota’.