Monika Kryemadhi: Transporti urban qytetas dhe zgjidhja e problematikave që ka shfaqur ky shërbim

235

Problematika financiare të kompanive të transportit sjellin pasoja të drejtpërdrejta si në punësim ashtu edhe në buxhet, me këtë projekt ligj mund të lehtësojmë situatën

Transporti qytetas është një hap i rëndësishëm në zgjidhjen e problematikave prezente që ka shfaqur ky shërbim gjatë kësaj periudhe. Shërbimi i transportit qytetas (urban) të udhëtarëve, në vendin tonë, ushtron veprimtarinë  e tij prej 11 vitesh në disa qytete kryesore si; Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier, Vlorë, Shkodër dhe Korçë. Ky shërbim organizohet kryesisht, nga subjekte private, të licencuara nga bashkitë përkatëse, por edhe me bashkëpunim ndërmjet subjekteve private dhe ndërmarrjeve të Bashkisë. Numri më i madh i shoqërive private të transportit urban qytetas operon në qytetin e Tiranës. Në Tiranë ushtrojnë funksion 7 kompani, të cilat të marra së bashku zotërojnë 178 autobusë dhe kanë të punësuar rreth 1000 punonjës.

Këto kompani kanë një impakt të konsiderueshëm edhe  në  buxhetin e shtetit, ku mesatarisht derdhin çdo muaj  rreth 7-8 milionë lekë të reja TVSH, 10-12 milion lekë të reja kontribute për sigurime shoqërore e shëndetësore, 1 milion lekë të reja  tatim mbi fitimin  dhe shumë detyrime të tjera në përfitim të buxhetit të shtetit. Burimi kryesor i këtyre të ardhurave realizohet nëpërmjet tarifave që paguajnë udhëtarët për këtë shërbim.

Një tjetër fakt i rëndësishëm i cili vihet re dukshëm në qytetin e Tiranës është rritja e cilësisë së udhëtimit me mjete të reja të standardit Europian, duke i ofruar qytetarëve kushte udhëtimi komode dhe të sigurta. Unë do ti përgëzoja këto kompani të cilat me cilësinë e mjeteve ndikojnë në rritjen e cilësisë së jetës të çdo udhëtari. Gjithashtu, do të sugjeroja që mjete të reja të sigurta me standard të lartë komoditeti të mundësohen edhe në Bashki të tjera të vendit, por edhe për linjat ndërqytetëse.  Kjo, për një arsye të thjeshtë: Ky shërbim nuk duhet të organizohet me dy standarde, sepse kjo pabarazi shërbimesh sjell diskriminim për qytetarët por edhe mbi shoqëritë që ushtrojnë këtë aktivitetet, sepse për të njëjtin shërbim, kompanitë që ushtrojnë aktivitet në kryeqytet, kanë kryer investime të larta dhe operojnë me kushte të njëjta si ato kompani të cilat nuk kanë kryer investime. Të dhënat e mësipërme tregojnë se kompanitë e kryeqytetit luajnë një rol të rëndësishëm në punësim, në rritjen e të ardhurave të buxhetit të shtetit, në rritjen e cilësisë së udhëtimit. Për këto arsye këto kompani kërkojnë një vëmendje të madhe nga  të gjithë  ne. Në Komisionin e Transportit, ku unë jam anëtare, jemi ballafaquar me grupet e interesit të pranishëm në seancë. Ata paraqitën një situatë financiare  problematike e cila ka ardhur si pasojë e nivelit të lartë të investimeve, informalitetit dhe rritjes së çmimit të naftës. Nuk duhet të harrojmë se problematikat financiare të këtyre kompanive nuk dëmtojnë vetëm shoqëritë e transportit, ato do të sjellin pasoja të drejtpërdrejta si në punësim ashtu edhe në buxhet, prandaj shpresoj që me  hartimin e këtij projektligji të mund të lehtësojmë sa më shumë situatën e kompanive të transportit. Unë mendoj se ky projekt ligj është hapi i parë drejt lehtësimit të këtyre problematikave, bazuar në vlerësimin se: E drejta për të kërkuar lehtësira  është e lidhur ngushtësisht me detyrimin për realizimin e standardit. Ky projektligj, lehtëson ndjeshëm  procedurën e rritjes së tarifës së udhëtimit. Nëse më parë, për të realizuar një gjë të tillë bashkërendonin punën Bashkia, Ministria e Transportit, Ministria e Financave dhe Këshilli i Ministrave. Me këtë projektligj, procedura e ndryshimit të tarifës së udhëtimit  iniciohet nga Bashkia dhe miratohet nga Këshilli Bashkiak. Përcaktimi i masës së subvencionit për shtresat që përfitojnë udhëtim falas është një tjetër element pozitiv i këtij projektligji. Prej një periudhe shumë të gjatë këto kompani nuk e kanë marrë masën e subvencionit për subjektet që udhëtojnë falas. Ky fakt ka ndikuar negativisht në financat e kompanisë. Në një shoqëri konsumi, duhet të ndërtohen marrëdhënie të qarta: Cilido (privat) që ofron një shërbim paguhet nga përfituesi i shërbimit, nëse shteti do të privilegjojë ose të ndihmojë një kategori të caktuar udhëtarësh, qoftë edhe si detyrim ligjor, atëherë ai duhet t’ia kompensojë shpenzimet që ai kreu për të përfituar atë shërbim (urban). Në lidhje me këtë pikë unë do të sugjeroja se: Në hartimin e  VKM-së për caktimin e kushteve dhe procedurave për zbatimin e këtij ligji, të parashikohej se: Masa e subvencionit për kategoritë që udhëtojnë falas sipas ligjit, tu jepet drejtpërdrejtë përfituesve. Kështu, eliminojmë informalitetin dhe sigurohemi që çdo qindarkë shkon dhe përdoret në mënyrë të drejtpërdrejtë nga përfituesi i subvencionit.