Frank SHKRELI/ E vërteta është gjithmonë viktima e parë

534
Sigal

Është thënë se e vërteta gjithmonë është viktima e parë e luftës. Që kur se është kthyer për të tretën herë në detyrën e Presidentit të Rusisë, më 2012, Vladimir Putin ka marrë masa konkrete dhe me paramendim për të eliminuar të drejtat politike dhe për të mbytur debatin publik duke venë kontrolle të forta mbi median dhe njëkohësisht, duke vendosur në krye të enteve të ndryshme mediatike me rëndësi, aleatët e tij politikë. Ai ka filluar të bëjë këtë veprimtari me qëllim për të kontrolluar jo vetëm median në Federatën Ruse, por edhe median dhe transmetimet perëndimore në gjuhën rusishte, siç janë ato të Zërit të Amerikës dhe të Radios Europa e Lirë.  Analistë të çështjeve ruse thonë se, Putini  kishte vendosur të bllokonte transmetimet dhe median elektronike të huaj, para se të vente në veprim planet për aneksimin e Krimesë.  Për më tepër, ata thonë se, bllokimi i mediave të huaja në territorin e Federatës Ruse është një shenjë e keqe, sepse sipas tyre, kjo do të thotë se, planet e Rusisë “putiniste” për agresion nuk do të përfundojnë me Krimenë. Ndaj masat e egra të regjimit të Putinit për t’u mbyllur gojën transmetimeve perëndimore dhe për të frikësuar median e pavarur ruse, janë vetëm fillimi i diçkaje më të madhe.

Ka kaluar më shumë se një çerek shekulli nga koha kur regjimet komuniste të udhëhequra nga Moska, si dhe vendet satelite të saj, u bënin zhurmë programeve radiofonike perëndimore, si Zëri i Amerikës, BBC-ja dhe Radio Europa e Lirë.  Për atë kohë, kjo konsiderohej ndoshta si masa më ekstreme për të ndaluar qytetarët e vendeve komuniste të dëgjonin programe që nuk i përmbaheshin vijës zyrtare dhe versionit të lajmeve dhe informacionit të sanksionuar nga ideologët e partisë komuniste.

Zhurma që iu bëhej programeve perëndimore të lajmeve, kishte filluar gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur regjimi nazist gjerman i bënte zhurmë BBC-së dhe radio transmetimeve të tjera, por  pengesat ndaj radiove perëndimore, u intensifikuan,duke u bërë një armë e vërtetë në luftën e ideve, me fillimin e Luftës së Ftohtë e deri në mbarim të saj. Ishte kjo një luftë që i kushtonte udhëheqjes komuniste të Kremlinit miliarda dollarë, për të mos lejuar depërtimin e influencës së ideve perëndimore mbi lirinë dhe demokracinë, në radhët e popujve nën regjimet komuniste. Në të vërtetë, sipas ekspertëve, në atë kohë llogaritej se  sovjetikët shpenzonin më shumë fonde për të ndaluar penetrimin e radio programeve perëndimore me valë të shkurtra dhe të mesme në hapësirat e tyre, se sa i kushtonte Perëndimit për të transmetuar  të gjitha programet  radiofonike përmbledhur së bashku, drejtuar ish-Bashkimit Sovjetik dhe vendeve të Europës -Lindore.

Kjo ishte situata atëherë. Sot, programet perëndimore përhapen në mënyra të tjera. Një ndër ‘to është edhe vendosja e programeve, siç janë ato të Zërit të Amerikës dhe enteve të tjera perëndimore,  në stacionet e radiove dhe televizioneve vendore në bazë të marrëveshjeve dypalëshe. Kjo praktikë është ndjekur deri tani edhe me programet e Zërit të Amerikës dhe Radios Europa e Lirë dhe Radios Liria, drejtuar Rusisë. Por, sipas Bordit të Guvernatorëve (BBG) që drejtojnë dhe mbikëqyrin transmetimet ndërkombëtare amerikane – duke filluar nga viti 2006- autoritetet ruse kanë filluar dalëngadalë eliminimin sistematik të përhapjes së transmetimeve amerikane të lajmeve nga stacionet radio-televizive anë e mbanë Rusisë.  Sipas një njoftimi për median, Bordi  (BBG) që mbikëqyr transmetimet ndërkombëtare amerikane, tha se, ishte njoftuar, kohët e fundit, nga Drejtori i ri i Agjencisë Ruse të Informacionit, Rusia Sot, Dimitry Kiselev – një anti-amerikan ky i përbetuar dhe ksenofob- me anë të një letre prej një fjalie, se: “Ne nuk do të bashkëpunojmë më me ju” për transmetimin e programeve të këtij enti, duke u dhënë fund kështu programeve Zërit të Amerikës që deri tani transmetoheshin nga radiot lokale në hapësirën ruse.

“Moska ka zgjedhur rrugën e gabuar duke kufizuar fjalën e lirë”, -tha kryetari i Bordit të Guvernatorëve, Jeff Shell duke reaguar ndaj vendimit të Moskës për të mos lejuar më transmetimet e Zërit të Amerikës në hapësirën ruse.“Liria e fjalës”, -shtoi ai, -“Është një vlerë themelore universale, e pranuar si e tillë nga shumë vende të botës”.  Zoti Shell u angazhua se enti që ai drejton do të vazhdojë të shpërndajë lajmet në Rusi nëpërmjet platformave të tjera si ato digjitale dhe transmetimeve satelitore. Zoti Shell u bëri thirrje autoriteteve ruse që të lejojnë transmetimet ndërkombëtare, duke thënë se: “Megjithëse lufta e Moskës kundër medias së lirë vazhdon, ne po kërkojmë vetëm që programet tona në Rusi, të gëzojnë të njëjtën të drejtë dhe liri veprimi që media ruse gëzon në Shtetet e Bashkuara, përfshirë programin televiziv, Rusia Sot. Populli rus meriton të njëjtën liri lajmesh e informacioni”,- tha ai.

Në njoftimin e BBG për media thuhet gjithashtu se, vendimi për të bllokuar transmetimet e Zërit të Amerikës dhe Radios Europa e Lirë dhe Radios Liria në rusisht, u mor ndërkohë që, autoritetet ruse po zhvillojnë një fushatë të shpejtë dhe të egër madje, edhe kundër medias së pavarur vendore dhe të opozitës, anë e mbanë Rusisë, ndërkohë që,  në Moskë qarkullon lista e “tradhtarëve”, e atyre që nuk ndjekin vijën e propagandistëve të rinj të Kremlinit. Ndërsa ata kanë shpallur luftë kundër lirisë së medias së zakonshme,  njëkohësisht njoftohet se Kremlini është duke shtuar kontrollin dhe censurën, edhe mbi internetin.

Analistët që ndjekin çështjet ruse thonë se këto masa që ka marrë kohët e fundit regjimi putinist në Rusi kundër medias së lirë dhe  transmetimeve perëndimore në radio-televizionet lokale, është i njëjtë me vendimet e politikës së regjimit komunist sovjetik, kur u bëhej zhurmë radio-stacioneve perëndimore, gjatë luftës së ftohtë,  vetëm e vetëm për t’i mohuar popullit të vet të drejtën e lirisë së fjalës.

Këto masa kundër lirisë së fjalës, të papara që prej periudhës së luftës së ftohtë, duhet të jenë një çështje që të shqetësojë çdo përkrahës të fjalës së lirisë kudo. Kjo sepse, vendimi i regjimit të Putinit për të bllokuar programet radio-televizive ndërkombëtare amerikane është në kundërshtim të plotë dhe të drejtë për drejtë me Deklaratën e Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtat Universale të Njeriut, e cila thotë se: “Çdo person ka të drejtë të gëzojë lirinë e mendimit dhe të shprehurit: kjo  përfshinë të drejtën për të shprehur mendimet pa ndërhyrje dhe për të kërkuar dhe për të përhapur informacion dhe ide, nëpërmjet çdo media dhe pa marrë parasysh kufijtë.”

Ndalimi i transmetimeve ndërkombëtare të lajmeve të Shteteve të Bashkuara nga ana e regjimit të Putinit si dhe ushtrimi i censurës ndaj medias ruse në përgjithësi dhe asaj të pavarur në veçanti, është një shkelje e të drejtave bazë të popullit rus dhe një shenjë ogurzezë e një regjimi që me veprat e tija, duket se po zhytet në një konflikt gjithnjë e më të madh me popullin e vet dhe fatkeqësisht po futet edhe në një luftë me fqinjët dhe me botën, duke rrezikuar kështu rendin dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, një rend nga i cili që prej mbarimit të luftës së ftohtë,  ka përfituar e gjithë bota.

Kohë më parë, revista britanike “Economist”, ka shkruar se: “Një person që ka jetuar gjatë periudhës së shkatërrimit të Bashkimit Sovjetik, nga pikëpamja e tij, Putini i njeh mirë rreziqet që vinë nga media e lirë. Bashkimi Sovjetik mbahej në këmbë nga shtypjet dhe ideologjia. Kur këto dy mbështetëse të tij u zhdukën, sistemi sovjetik u shkatërrua. Instrumenti kryesor i qeverisjes së Putinit ka qenë dhe është paraja që ai e ka përdorur për të blerë mbështetjen. Por tani, ndërsa  veprimtaria ekonomike ruse po ngadalësohet dhe ndërkohë që monedha ruse tregon shenja lëkundjeje,  Putini po përpiqet të forcojë pozitën e tij”.  Ai siç duket mendon se mënyra më e mirë për të  bërë këtë, është  që t’i shpallë luftë fjalës së lirë, me vendimet që ka marrë për të mos lejuar  transmetimet e lajmeve dhe programet perëndimore dhe njëkohësisht duke censuruar edhe median e pavarur ruse që nuk ndjekë vijën e tij. Revista “Economist” e përfundon komentin e saj duke thënë se, “Lojërat Olimpike në Soçi kishin për qëllim të mobilizonin popullin rus për një nismë të re. Por pa një media të lirë, krijimi i një vendi të qytetëruar dhe modern, siç u përpoq (regjimi i Putinit) ta shfaqte Rusinë gjatë hapjes së lojërave olimpike, do të mbetet vetëm një ëndërr dhe asgjë tjetër.”

Historikisht, transmetimeve ndërkombëtare të lajmeve, sidomos atyre nga Shtetet e Bashkuara, u bëhej zhurmë dhe bllokoheshin gjatë periudhave  të caktuara dhe politikisht sensitive ose kur regjime të ndryshme diktatoriale planifikonin sulme të brendshme ose të jashtme. Kështu veproi edhe regjimi rus i Putinit kohët e fundit, me bllokimin e programeve të Zërit të Amerikës dhe të Radios Europa e Lirë dhe Radio Liria, duke shpallur të vërtetën dhe lirinë e fjalës, si viktimat e para të luftës dhe të agresionit. Një shenjë ogurzezë kjo për të vërtetën dhe lirinë e shtypit jo vetëm në Rusi, por kudo.