Monika Kryemadhi: Më 27 Janar për të protestuar kundër taksave e çmimeve të larta, kundër papunësisë e varfërisë

422
Kryetarja e LSI-së përsëriti thirrjen për t’iu bashkuar protestës së 27 janarit. Në një takim me banorët e njësisë numër 1 në Tiranë Monika Kryemadhi tha se të gjithë duhet t’i bashkohen kësaj proteste pavarësisht bindjeve politike. Kryemadhi theksoi se Shqipëria vjen para çdo bindjeje politike.
Fjala e Kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi në takimin me strukturat e LSI-së së njësisë 1 Tiranë 
Më pjesën më të madhe tuajën këtu, pothuajse me të gjithë, njihemi që prej themelimit të LSI-së dhe shumë prej djemve dhe vajzave të reja, që sot janë pjesë e LSI-së, janë rritur me LSI-në. Siç është rritur LSI-a janë rritur edhe ata. Më konsideroni siç më keni konsideruar gjithmonë, si një vajzën tuaj, si një shoqen tuaj, si një miken tuaj, si motrën tuaj. Në fund të fundit, kjo është LSI-a. Është një parti politike që vlerat e saj i ka te njerëzit, i ka te ndjenja dhe dashuria për njëri-tjetrin dhe mbi të gjitha vlerat e saj LSI i ka ngritur mbi themelin kryesor, që është familja. Familja për LSI-në është shumë e shenjtë, sepse një familje e fortë krijon një komb të fortë. 
Në jemi në 2018-n, të cilin e kemi shpallur ‘Vitin e Skënderbeut’, dhe jo rastësisht do ta nis fjalën time me këtë figurë të ndritur dhe të madhe. Skënderbeu është Heroi ynë Kombëtar dhe me figurën e tij jemi rritur të gjithë, me vlerat që ai skaliti te ne shqiptarët, për patriotizmin, për luftën që bëri për identitetin shqiptar, për atë identitet që sot pas kaq shumë vitesh ne jemi në një dilemë shumë të madhe. Pas 500 vitesh pushtim otoman, pas pushtimeve dhe shenjave të dy Luftërave Botërore mbi historinë dhe kufijtë e Shqipërisë, pas 50 vitesh diktaturë komuniste, pas 27 vitesh tranzicion demokratik, ne sot jemi në diskutimet e identitetit tonë shqiptar. Jemi sot në diskutim nëse Shqipëria do të jetë një vend evropian, apo do të jetë një vend pa identitet. 
Unë jam e bindur që jo vetëm anëtarët e LSI-së, por çdo shqiptar, nga i pari tek i fundit, kudo që jeton, në Shqipëri apo jashtë kufijve të Shqipërisë, aspiron dhe lufton çdo ditë, për të qenë sa më shpejt anëtarë të Bashkimit Evropian. Dhe kjo është një nga sfidat që ka sot Shqipëria, por jo klasa politike shqiptare. Kjo është sfida që kanë shqiptarët sot, sepse po të jetë për klasën politike Shqipëria nuk do të jetë kurrë anëtare e BE-së. Po të jetë për qeverinë shqiptare, Shqipëria nuk do të ishte kurrë sot kandidate për anëtarësim në BE. 
Sot për klasën politike shqiptare dhe aq më shumë për qeverinë shqiptare, Shqipëria duhet të jetë një vend pa identitet, një vend që nga një kontribuuese e sigurisë është një konsumatore e sigurisë, nga një vend që eksportonte stabilitet, eksporton sot destabilitet. Shqipëria nga një vend që harmoninë fetare e ka vlerë dhe nga një vend që politikën e jashtme e kishte vlerë, qoftë për fqinjësinë e mirë, apo qoftë edhe për politikën e jashtme në institucionet ndërkombëtare, sot e ka kthyer në një krizë konflikti. Ne jemi në një fushatë takimesh kudo në të gjithë Shqipërinë, kemi filluar edhe në Tiranë, por jo vetëm, nesër jemi në Elbasan, pasdite jemi me Njësinë Pesë, ditën tjetër jemi në Fier, në Lushnje, jemi në Berat, jemi në Lezhë, jemi në të gjithë Shqipërinë. Do të shpërndahemi për të bërë një rezyme shumë të shkurtër të situatës së sotme. 
Sot shqiptarët janë më të varfër, sot shqiptarët janë më shumë të papunë, sot shqiptarët ndihen më pashpresë se 30 vite më parë, sot shqiptarët ndihen më të pangrënë, dhe janë më të pangrënë. Sot shqiptarët janë më pak nën vëzhgim dhe nën kujdesin e shëndetësisë. Sot shqiptarët janë më pak të ditur se ç’kanë qenë më përpara. Dhe sot shqiptarët, mbi të gjitha, ndihen më të lodhur se asnjëherë tjetër. Ajo që nuk i lodhi shqiptarët në qindra vite të pushtimit otoman, ajo që nuk i lodhur shqiptarët në ngjarjet e Luftës së Parë Botërore, Luftës së Dytë Botërore, vitet e diktaturës, sot po i lodh kjo shpërbërje që po i bën qeveria shqiptare. Kemi dëgjuar histori nga më të ndryshmet, kemi dëgjuar akuza nga më të ndryshmet, mos u merrni fare me to, ne kemi një objektiv, objektivi ynë është që deri në momentet e fundit të luftojmë për një Shqipëri të barabartë për të gjithë shqiptarët. Do luftojmë deri në fund për të pasur një Shqipëri, e cila është e njëjtë për të gjithë, si për Kryeministrin, si për Presidentin, për të gjithë. Ne do luftojmë deri në fund për të qenë një Shqipëri për të gjithë shqiptarët e barabartë. Ne do luftojmë deri në fund për të pasur një shërbim të barabartë dhe për të pasur një sistem drejtësie të barabartë për shqiptarët. Jo sistem tjetër për kriminelët dhe trafikantët dhe sistem tjetër për hallexhinjtë. Jo sistem tjetër për politikanët dhe të korruptuarit dhe sistem tjetër për hallexhinjtë. Jo sistem tjetër për trafikantët, sistem tjetër për miqtë dhe familjarët e politikanëve dhe sistem tjetër për hallexhinjtë. 
Ne sot, ju kërkojmë të gjithëve ju të mos ndaloni deri më datën 27 janar, derë më derë, shtëpi më shtëpi, me miqtë tuaj, me familjarët tuaj, komshinjtë tuaj, me rrethin tuaj shoqëror, pensionistë dhe pensioniste, të punësuar dhe të papunë, të rinj dhe të reja, djem dhe vajza, pleq dhe plaka, edhe fëmijët të jenë të gjithë më 27 janar në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’. 
E them këtë as për të treguar që njerëzit të përkrahin LSI, apo PD, as për të treguar që opozita është e fortë, as për të treguar dhe për të përkrahur një forcë politike, apo një individ politik, por ne duhet të jemi atje për veten tonë. Për t’iu bërë të qartë shqiptarëve dhe të gjithë atyre, të cilët kanë frikë nga kjo qeveri, e cila çdo ditë e më shumë po ua mbyll dyert dhe po u merr frymën shqiptarëve; për të gjithë ato biznese të vogla, që më datën 1 prill iu vendoset taksa e TVSH, që çdo ditë e më shumë iu merr frymën bizneseve të vogla; për të gjithë ata shqiptarë, të cilët janë gjobitur në mënyrë të padrejtë nga taksidarët e Edi Ramës; për të gjithë ata naftëtarë, që i gënjyen natën e Vitit të Ri me të ashtuquajturat rrogat dhe shpërblimet e tyre; për të gjithë ata naftëtarë që kanë vite pa iu paguar sigurimet shoqërore; për të gjithë ata që tallen me statusin e minatorit, edhe pse e kanë mbi tavolinë statusin e minatorit sot mazhoranca nuk e fut në diskutim, sepse paskan hall se po na merrka përkrahje politike LSI. Po ç’përkrahje do marrë LSI për ata minatorë që futen nga 2 mijë metra nën tokë për të siguruar bukën e gojës për fëmijët e tyre? Po ç’përkrahje politike do të marrë LSI nga të përndjekurit politik? Kjo është filozofia e Edi Ramës për t’i bërë shqiptarët me një memorie sa më të shkurtër, që të mos mbajnë mend se ç’ndodh, por duhet t’ju rikujtojmë kronikat e famshme të Ministrisë së Çështjeve Sociale, që merrej dhe thoshte se ‘filani’ mori paratë, i doli lista dhe mori shpërblime të mëdha.
Por në fakt as letra nuk janë, e jo më të marrin paratë për sa iu përket shpërblimeve të të persekutuarëve dhe shumë probleme të tjera që çdo ditë e më shumë shqiptarët po hasin. Pra, të dalim për t’i treguar Edi Ramës dhe kukullave të qeverisjes së tij, të cilët tashmë do mbajnë një përgjegjësi jo vetëm politike, por edhe morale dhe historike për këtë fatkeqësi, që po i shkaktojnë Shqipërisë, për këtë varfëri, degradim dhe shpopullim që po i bëjnë vendit.
Shqipëria sot nuk është më një vend që po prodhon stabilitet, por është kthyer në një qendër të krimit të organizuar dhe kështjellë e trafikut të drogës. Unë ju ftoj që të mos ndalemi në asnjë moment. Nuk është e thënë për të folur për LSI-në sesa nuk duhet të ndalemi për t’i treguar shqiptarëve që nuk duhet të kenë frikë. Edi Rama më datë 25 qershor ju bleu varfërinë dhe hallet shqiptarëve me paratë e drogës. Sado të mundohet të blejë edhe publicitetin, apo edhe fasadën e famshme mediatike të tij, ai kurrë nuk do t’iu blejë shpirtin shqiptarëve.
Pse? Sepse nuk kanë guxuar ta bëjnë edhe burra më të zotë se ai, edhe pse ai mundohet të presionojë dhe të frikësojë shqiptarët, e gjithë kjo do t’i kthehet në kokë atij. Edhe pse ai tenton të përdorë të ashtuquajturën reformë në drejtësi, e cila mori 140 vota, ku pa votat e LSI nuk do kalonte me konsensus të plotë. Pa votat e LSI-së, nuk do kalonin 7 ligjet e famshme të reformës në drejtësi, të cilat ne i votuam me sy mbyllur dhe pa mëdyshjen më të vogël, për të vetmen arsye se hyri garant BE-ja dhe SHBA. Nëse kjo reformë do të kapet siç është kapur nga falangat e krimit të organizuar, nuk mbetet gjë tjetër veçse kjo reformë, ashtu siç e kapën, do iu rikthehet atyre në kokë. Dua t’ju them edhe një gjë tjetër që ju e dëgjoni shpesh nëpër televizione nga tellallët e Edi Ramës, që LSI-a paska frikë. LSI-a nuk ka frikë nga asgjë. Me të vërtetë ka qenë në qeveri për 8 vjet, 4 me PD e 4 me PS, por në pushtetin me të dyja partitë, shumë i vogël ka qenë pushteti dhe shumë pak gabimet e LSI-së. Prandaj, po ju them edhe një gjë.
Nuk ka qenë LSI-a asnjëherë tre vjet ministre e Kulturës siç ka qenë Edi Rama, i cili ka akoma hapur dosjet e fasadave të ministrive. Nuk ka qenë LSI-a asnjëherë 11 vjet kryetare Bashkie, siç ka qenë Edi Rama dhe e dinë të gjithë qytetarët, por edhe gjyqtarë dhe prokurorë se si iu janë vjedhur pronat tiranasve të vjetër. Nuk ka qenë LSI-a asnjëherë 5 vjet Kryeministër, siç ka qenë Edi Rama dhe ka bërë çka dashur me koncesionet. Ka bërë edhe Partia Demokratike koncesione, por kanë qenë koncesione me paratë e privatëve. I ka dhënë një investim që ta marrë e ta zhvillojë, gjithmonë me investime private. Ndërsa Edi Rama ka dhënë koncesion paratë e buxhetit të shtetit, ka dhënë koncesion paratë e taksapaguesve shqiptarë. Ka dhënë koncesion djersën dhe gjakun e administratës shqiptare, të cilën sot Edi Rama e ka shkelur me të dyja këmbët. Atë administratë, të cilën e kishim kusht për të marrë statusin kandidat dhe për të qenë pjesë e negociatave. Atë ligj të nëpunësit civil, që sot Edi Rama e ka shkelur me të dyja këmbët.
Por, ne nuk do të ndalemi. Ne do të evidentojmë çdo shkelje dhe do të shkojmë në çdo institucion ndërkombëtar. Edhe pse këtu i mbajnë sytë mbyllur, ne do t’i zgjojmë të gjithë ata të huaj, të gjithë ata ndërkombëtarë për t’i sensibilizuar për të gjithë këtë farsë, që po zhvillon Edi Rama. Shqipëria nuk është pronë as e Edi Ramës, as e Ilir Metës, as e Lulzim Bashës, as e Monika Kryemadhit e as e Sali Berishës. Shqipëria është pronë e shqiptarëve dhe vetëm atyre u takon që ta gëzojnë atë.
Data 27 janar është një datë që do të mbahet mend në historinë e opozitarizmit shqiptar. Nuk do të mbahet mend as për dhunë, as për fjalime politike, as për flamuj të partive politike. Data 27 janar do të mbahet mend se do të ketë me qindra dhe mijëra burra dhe gra, djem dhe vajza, të rinj dhe të reja, të cilët do të protestojnë, thjesht me prezencën e tyre për t’i thënë Edi Ramës: “Ne jemi kundër teje. Ne jemi kundër taksave të larta. Ne jemi kundër arsimit publik, të cilin po e bën çdo ditë e më të shtrenjtë. Ne jemi kundër çmimeve të larta, kundër varfërisë, kundër papunësisë, kundër gjithë asaj pabarazie, që po përpiqet të ndërtojë Edi Rama. Ne jemi kundër kthimit të Shqipërisë në një vegël të një grupi të inkriminuar, siç e ka kthyer Edi Rama”.
Prandaj unë iu ftoj të gjithëve ju këtu. Secili nga ju duhet të sjellë të paktën një shok më shumë. Secili nga shokët tuaj duhet të sjellë një familjar më shumë. Secili nga ju nuk duhet të ndalet çdo ditë, deri më datë 27 janar, për të nxjerrë të gjithë Tiranën në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për t’i treguar Edi Ramës që ai nuk është pronari i shqiptarëve. Ai është një qytetar i thjeshtë si të gjithë shqiptarët e tjerë. Si një pensionist që merr vetëm 100 mijë lek të vjetra pension dhe nuk i dalin as për të paguar ilaçet e tij, si një i papunë që mundohet dhe robtohet çdo ditë për të gjetur punë te sheshi i “Partizanit të Panjohur”. Si një vajzë e re, e cila lufton çdo ditë për të pasur një të ardhme më të sigurt. Si një djalë i ri që lufton çdo ditë me ndërgjegjen e tij për të qëndruar apo larguar nga Shqipëria. Si për të gjithë këta të rinj dhe të reja, të cilët duan të ndërtojnë një Evropë të vogël në Shqipëri dhe jo të shkatërrojnë Shqipërinë tonë. Jemi populli më i vjetër në Ballkan dhe në Evropë dhe na takon që të jemi edhe populli më krenar për këtë gjë. Këtë krenari që ky njeri po përpiqet të na i kthejë në një turp, ne duhet ta kthejmë në një vlerë. Prandaj e vetmja gjë që duhet të bëjmë është të marrim pjesë më datën 27 janar. Ju ftoj me zemër. Harrojini bindjet politike. Duhet të vendosim Shqipërinë përpara çdo bindjeje politike dhe interesi personal. Sepse mbi të gjitha është Shqipëria, ajo që na ka dhënë vlera dhe që na ka bërë krenarë. Ju falënderoj të gjithëve. Zoti ju ruajttë ju dhe gjithë shqiptarët.


Sigal