Misioni i vëzhguesve të ODHIR/ Glover: Po vëzhdojmë me shumë kujdes deri në ç’masë përbëjnë shkelje të Kodit Zgjedhor, pagesat e qeverisë

Deklaratat e qeverisë për rritje pagash dhe investime para zgjedhjeve

Shefja e Misionit të Vëzhguesve të ODHIR-it znj. Audrey Glover deklaroi se janë sinjalizuar dhe do t’i kushtojnë shumë vëmendje vëzhgimit në këto zgjedhje të përdorimit të fondeve publike për fushatë, përveç rritjes së pagave që u vendos nga kryeministri Edi Rama të bëhej pikërisht para zgjedhjeve.

NOA

Gazetarët e pyetën së pari znj. Glover se e sheh si një shkelje të Ligjit zgjedhor, rritjen e pagave që Kryeministri Edi Rama shpalli dje, pak javë para zgjedhjeve?

“Ne jemi duke i parë, – u përgjigj shefja e Misionit, – jemi duke i vëzhguar me kujdes këto zhvillime dhe do të na duhet pak kohë të shikojmë nëse përbëjnë shkelje dhe në çfarë mase përbëjnë shkelje të Kodit Zgjedhor.”

Dhe pyetja e dytë ishte: “Znj. Glover, një nga problemet më të mëdha në zgjedhje ka qënë përdorimi i burimeve publike për fushatë. Por ajo që po ndodh pa filluar fushata, drejtuesit politikë të PS disa herë kanë shkelur vendimet e KQZ për aktivitete të ndaluar duke inspektuar bashkë me kryebashkiakët, që janë sërish kandidatë, investime me fonde publike dhe ndërkohë Kryeministri Edi Rama mori vendime të paprecedenta duke dhënë shpërblime për pensionistët në prag të zgjedhjeve dhe e quajti Kodin, “kinezëri partish”. Çfarë tregon kjo për vëzhguesit? A po prishen standardet e zgjedhjeve?”Znj. Glover theksoi: “Në fakt, në një raport që ka nxjerrë Misioni i Vlerësimit të Nevojave, që erdhi para se të vinte Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve, është identifikuar pikërisht kjo fushë si një nga fushat më me rëndësi për t’u vëzhguar. Dhe ne do t’i kushtojmë shumë rëndësi vetë vëzhgimit të kësaj fushe. Misioni vëzhgues i ODIHR-it shpalli disa nga fushat kryesore ku do të fokusohet vëzhgimi i procesit zgjedhor.“Do u kushtojmë rëndësi punës së administratës zgjedhore dhe organeve qeveritare dhe zbatimit të rekomandimeve të lëna më parë nga ODIHR, mjedisit të fushatës, pjesëmarrjes së grave në procesin zgjedhor, si dhe pjesëmarrjen e personave me aftësi të kufizuara dhe përfaqësimin e pakicave kombëtare”- tha Glover. Po ashtu ajo cilësoi si me rëndësi dhe nëse do të pengohet media në raportim dhe financimin e fushatës në monitorimin e procesit.