Kushtetuta dhe ligjet nuk kanë vlerë para 200 milionë eurove

602
Sigal

Çlirim Gjata, konstitucionalit

Ku pyetet për Kushtetutë dhe ligje, kur bëhet fjalë për 200 milionë euro!

Me Kushtetutë dekreti i presidentit ose pranohet ose rrëzohet, nuk ka miratim në parim, dekreti i presidentit një nen është, kthimi i ligjit, kaq! Edhe ky dekreti në fuqi përse ka ardhur? Është formale. Një nen ka dekreti i presidentit, nuk është një ligj që ka shumë nene dhe që votohet në parim nen për nen dhe në tërësi.

Zoti Gjata çfarë do të thotë miratim i dekretit të Presidentit për Teatrin Kombëtar nga Komisioni Parlamentar i Veprimtarisë Prodhuese?

E kanë ngatërruar dhe është bërë me qëllim kjo punë, se s’ka perëndi që ia gjen fillin tani. Flas nga pikëpamja kushtetuese dhe ligjore, që na përball me një fakt: Arroganca e pushtetit, korrupsionit, dhunës si dhe diktatit, gjithçka bën, të bardhën të zezë, e të zezën të bardhë. Këtu janë vrarë njerëz nga diktati, jo mos të bëhen të tilla palaçollëqe ligjore, po meqenëse dëgjuam Kryetarin e Komisionit përkatës (Eduard Shalsin), një gjë më bëri përshtypje, që Kryetari i Komisionit foli nja 20 minuta dhe nuk përmendi asnjë nen ligji, është njëlloj si me thënë: Neni filan thotë kështu. Deputeti mos të dijë të përmendë një nen ligji, deputeti mos të dijë të përmendë një nen kushtetute, dhe thotë… do të bëhet kështu, do të bëhet ashtu, këto janë pikëpamjet tona etj. Po thuaj një nen ku e bazon, ti je deputet duhet t’i dish nenet, jo si farmacisti që i ka pirë të gjitha ilaçet, je deputet, bën ligjet. Mos të përmendë deputeti një nen kushtetues ku e mbështet këtë gjë që thotë! Pastaj për çfarë na i thotë Shalsi këto pallavra për sherret që ndodhin në parlament, pse hera e parë është që shohim sherre ne, parlamenti ka vrarë dhe deputetë aty brenda, janë plagosur të paktën, janë rrahur e kanë bërë greva urie, ato sherre janë të përditshme të zakonshme, pse po na ankohet. Kur ka qenë në opozitë të njëjtat gjëra ka bërë, prandaj nuk i bën njeriut përshtypje sherri që bëhet aty. Përshtypje duhet të na bëjë fakti se duhet të merremi e të hyjmë tek thelbi: Pse shkelet Kushtetuta për të disatën herë për të njëjtin ligji? Ka ndodhur edhe herë tjetër që ligji të shkelë kushtetutën ose bie ndesh me të njëherë kur miratohet, por kur ligji të shkelë disa herë radhazi Kushtetutën, vetëm këtu kemi parë. Duhet të dimë si ta kapim këtë problem tani, se po e lejuam do përsëriten, prandaj ndodhin këto gjëra dhe gjithçka shkon e na shfaqet mbi bazën e arrogancës, dhunës, diktatit, korrupsionit për të justifikuar korrupsionin dhe ndodhemi këtu ku jemi. Tani atij (Shalsit) i bëri pyetjen gazetari, “Çfarë do të ndodhë kur të miratohen amendamentet, do t’i kthehen presidentit?” Ai u përgjigj nuk do të bëjmë asgjë që nuk është bërë më parë. Më parë ka qenë Enver Hoxha, ka qenë diktaturë nuk do ta bëjmë ashtu si do ai, më parë ka pasur edhe nazizëm, dikur më parë çfarë nuk ka pasur. Në qoftë se ti shkon në kohën më të afërt dhe thua: Ne nuk do të bëjmë asgjë që nuk kemi bërë më përpara, s’do bësh asgjë që ka bërë qeveria Berisha? Po ti përse erdhe, a nuk erdhe të bësh diçka më mirë, për çfarë i more votat, për çfarë është rotacioni i pushtetit, për çfarë është pluralizmi politik, që të bësh njësoj si kanë bërë ata më para? Po ti i ke sharë ata më parë. Kjo është zgjidhja? E shkreta Kushtetutë ku është! Megjithatë, t’i kthehemi pyetjes suaj për dekretin se u hapëm, se çfarë sjell minuta nuk sjell moti këtu. Dekreti ose rrezohet ose pranohet. Dekreti nuk amendohet se dekreti një nen ka, kthimin e ligjit në parlament. Në qoftë se dekreti miratohet, bie ligji, qeveria duhet të fillojë nga e para, të sjellë ligjin e ri në parlament nuk ka miratim të një dekreti dhe bërjen e amendimeve, nuk ka amendime për shkak dekreti, dekreti nuk shpjegon nene, ka relacion shpjegues, pse po e kthej, po këto janë shpjegime të Presidentit. Atëherë ka shpjeguar dhe ka 9 pika, të cilat unë i kam quajtur 9 grushte siç ishin 1 milion shuplakat, ishin 9 grushte kushtetuese për mazhorancën që miratoi këtë ligji, 9 turpe të mazhorancës në atë relacion që i ka kthyer. Këta tani thonë vetëm një arsye, nuk mund të merret parasysh një arsye, se ato janë shpjegime, merret dekreti ne tërësi. Arti i politikës është që humbjen ta kthejë në fitore, por nuk është ligjore, nuk është kushtetuese kjo gjë. Po u rrëzua dekreti e rrëzon si ligj, qeveria të fillojë ta bëjë nga e para. Po atëherë për çfarë e ke miratuar dekretin tij kur ke marrë 99% të ligjit në fuqi. E kuptoni çfarë kontradikte? Pra miraton dekretin dhe rrëzon ligjin, por jo ligjin e lemë në fuqi me një ndryshim, sepse dekreti kur është kthyer në parlament nuk është kthyer për shkak të amendamenteve, e ka kthyer komplet si ligj. Pra po e miratove ra ky ligj, nëse ti do të fusësh amendamentin filloje nga e para procedurën, se s’ke ligj që të fusësh amendamentin. Amendamentin fute në një ligj. Pra, nga të gjitha pikëpamjet po ta marrim nuk qëndron ky makinacion, madje ky nuk është shumë për t’u shqetësuar. Në ç’kuptim? Kaq shumë shkelje janë bërë, kaq shumë janë futur duart në abuzim, sa s’të bën përshtypje një më shumë ose një më pak.

Ka pasur një miratim apo një votim në parim edhe për amendamentet e PS, ndërkohë a mund të shkojë ligji në Kuvend për t’u votuar?

Me këtë precedent, PS mund të shkojë nesër të miratojë një ligj dhe të thotë meqenëse unë kam shtëpinë në një pallat me juve kam të drejtë t’ua marr shtëpitë juve të gjithëve dhe do të bëj diçka tjetër, fiks është e njëjta gjë. Abuzimi mund të shkojë kudo, abuzimi mund të kapë majat, nuk njeh kufij. Diskutojnë ata tokën e teatrit 200 milion euro, ku ka sy që nuk errësohet para kësaj shume. Ku pyetet për Kushtetutë dhe ligje kur bëhet fjalë për këto shuma. Prandaj po iu them është anti –kushtetuese. Pra, miraton një dekret që rrëzon ligjin, por po miraton dhe amendamente që të çojnë te ligji. Po si i fut amendamentet në një ligj që nuk ekziston, që ti e ke rrëzuar?!

Si mund të botohet kjo në fletoren zyrtare, në mënyrë ligjore?

E zezë mbi të bardhë pra, si mund të merren ndryshe 200 milionë euro?! Gjithçka që kemi parë sot në atë komision dhe gjithçka do të shohim në parlament është anti-kushtetuese, por problemi është; si do ia bëjmë pastaj?!. Po fakti që nuk ka një Gjykatë Kushtetuese, për mua, kjo procedurë është anti kushtetuese, gjysma e parlamentit është anti kushtetues, ku do shkojnë të ankohen apo tek Prokurorja e Përgjithshme? Një pushtet që punon i rrethuar nga njerëzit e vet për veten e vet. Sa për çështjen e garës, garë nuk hapet me ligj, duhet të hysh me ligj në parlament aty do dorëzohen letrat, por tek cila zyrë e parlamentit, kush e parashikon garën, ose konkurrencën? E parashikon Ligji për Prokurimin Publik, por ky ligj ia ka ndaluar vet parlamentit të bëjë ligje të posaçme për pronat publike, sepse Ligji për Prokurimin Publik parashikon të gjitha këto format që themi ne dhe që bëhen me garë kriteret, e të gjitha. Ka një nen që përjashton nga ky ligj dhe ato që miratohen me ligj të veçantë si në rastin tonë, në 2012-n kjo fjali u shfuqizua, e përjashtoi vetë parlamenti të gjithë këtë gjë, e cila po ndodh në rastin konkret.

Por cila do të jetë zgjidhja ?

Kam frikë se do të shkojë në një përplasje brirësh. Duke dalë nga analiza profesionale në takimin 3 orësh që kishim sot kishte personazhe publikë shumë të njohur apolitikë, që kur nuk kanë qenë në pushtet dhe që s’kanë pasur lidhje me pushtetin, e megjithatë pashë që ata ishin të palëkundur. Një prej tyre tha, jam gati të hyj, prapë në burg, megjithëse i ka bërë disa vite të mira burgu politik. Pra, kjo do të thotë përplasje brirësh. Nëse do të shkojë në këtë rrugë anti ligjore njerëzit do të rrinë aty të palëkundur, çfarë do bësh, do vrasësh njerëz duke çuar aty fadromën. Kjo është një tirani parlamentare.

Nga letra e Komisionit Evropian duket se tërheqja dhe reflektimi i qeverisë i ka shkuar konform asaj letre, rekomandonte ky komision një garë të hapur apo jo?

Kur të më vijë Komisioni Evropian dhe të më thotë me çfarë gare e bleu vilën 1.6 mln euro në Tiranë, kryeqytetin më të varfër të Evropës atëherë dhe unë do jem i hapur për të dëgjuar rekomandimin e tyre. Që të justifikohem dhe unë ta pranoj faktorin ndërkombëtar me principin, çka fluturon nga ndërkombëtarët hahet, duhet të më sqarojë së pari punën e vilës 1,6 mln euro mua si qytetar, se si taksapagues duhet t’i sqarohet taksapaguesit evropian.

Zoti Gjata ju folët për shkelje të Kushtetutës në rastin e Ligjit të Teatrit Kombëtar por, ndërkohë ka një propozim nga PD për të bërë ca ndryshime në lidhje me vettingun e politikanëve, e keni parë këtë nismë të PD-së dhe cili është qëndrimi juaj si jurist?

E kam parë dhe më duket se PD-ja që pas ligjit të dekriminzalizmin doli një hap para politikisht dhe ky është rasti i dytë, i cili del përsëri një hap përpara mazhorancës. Ne kemi diskutuar që reforma nuk duhet të fillonte nga drejtësia, se politika është shkaku dhe jo drejtësia, gjendja në drejtësi është pasoja kësaj politike. Ka qenë politika e korruptuar që i ka thënë gjykatësve, ‘korruptohu dhe ti, por mos më dëno mua’. Prandaj dhe unë kam insistuar dhe kam thënë se, nuk fillohet nga pasoja, por nga shkaku. Duhet të fillonte vettingu nga politikanët e shoqëruar me të gjitha. Do vinte një ditë që do bëhej dhe vettingu i politikës është logjike, vjen rrjedhimisht. Opozita gjeti momentin dhe e kapi mazhorancën të papërgatitur. Duhet parë me kujdes që mos të bëhen gabimet që u bënë në reformën në drejtësi, duhen përzgjedhur me kujdes komisionet dhe çfarë do të kontrollojnë këto komisione.

Presidenti i vetmi garant i Rendit Kushtetues, derisa mungon Gjykata Kushtetuese

Mazhoranca miraton dekretin e Presidentit, cakton relator të ligjit simbolin e koncesioneve në Shëndetësi Ilir Beqaj

Presidenti Meta dekretoi para 2 muajsh kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 37/2018 “Për Teatrin Kombëtar”. Presidenti Meta, ndër të tjera arsyeton:

Ky ligj shkel parimet e “barazisë përpara ligjit” dhe “lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve”, parime këto të cilat gëzojnë një mbrojtje të veçantë nga Kushtetuta. Ligji nr. 37/2018 nuk është në harmoni me parimet themelore kushtetuese të identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kombëtare. Ligji nr. 37/2018 bie ndesh me parimet e Konventës Evropiane të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, miratuar në Paris në vitin 2003. Nuk mbështetet në një vlerësim gjithëpërfshirës dhe të plotë për tjetërsimin e pronës publike, krahasuar me përfitimet ekonomike të shtetit shqiptar dhe interesin publik. Në kushtet aktuale, kur Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë nuk është funksionale për të verifikuar këto konstatime, apo për të zgjidhur çdo mosmarrëveshje kushtetuese që mund të prodhojë hyrja në fuqi e kësaj norme të veçantë ligjore.

Ilir Beqaj hap dritën jeshile dhe të kuqe koncesionit për shembjen e Teatrit Kombëtar

Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese miratoi dje në parim dekretin e Presidentit, që ktheu për rishqyrtim ligjin për Teatrin Kombëtar. Domethënë, ligji ka rënë. Relator i projektligjit caktohet ishministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili është bërë simbol i koncesioneve qindra milionëshe në shërbimin shëndetësor publik. Mazhoranca, pa u konsultuar fare me opozitën, me grupet e interesit, ka përpiluar disa amendamente, dhe e voton sërish këtë ligj të arnuar. Qëllimi i mazhorancës, është që në dukje, të bëjë sikur zbaton këshillimet e BE-së, për të hapur garën e pjesëmarrjes në koncesion edhe të kompanive të tjera të biznesit, por, siç ka pohuar edhe kryeministri, ka kushtëzuar, që kompanitë që duan të marrin pjesë në garë, të kenë lejen e një pronari të trualli. Por, deri tani, vetëm kompania “Fusha” SHPK është pronare e një pjesë shumë të vogël trualli, që pjesa tjetër është truall publik. Pra, megjithëse formalisht, gara për pjesëmarrje në koncesion do të jetë e hapur, sërish mazhoranca është përkujdesur, që kompania “Fusha” të jetë sërish e favorizuar në krahasim me të tjerët.

Deputeti Alibeaj: Mazhoranca e pranoi hapur se ligji për teatrin është një vjedhje, por do ta futë në parlament

Deputeti i PD-së Enkelejd Alibeaj akuzoi mazhorancën për shkeljen e rregullores së parlamentit dhe mohimin e të drejtës së Presidentit për t’i vënë veto një ligji. “Banda Fusha dhe Rama kanë bërë pikërisht këtë gjë sot. Të verbuar arrijnë të shkallmojnë edhe të vetmin mjet që mban parlamentarizmi, veprimtarinë normale të parlamentit që është rregulloren e parlamentit. Sipas rregullores, akti i parë është votimit pro apo kundër dekretit. Në momentin që votohet pro, je dakord me vërejtjet e presidentit, ligji bie, çdo gjë nga procedura parlamentare është nul. Palaçollëku parlamentar që bënë sot është që pranuan që ligji është antikushtetues, pranuan vërejtjet e Presidentit dhe në vazhdim të këtij plani ogurzi të prishjes së teatrit kërkuan të fusin pa procedurë disa amendamente nga një ligj që tashmë ka rënë. Nuk është vetëm një mosnjohje e rregullores, por përmban një strategji që i mohon Presidentit të Republikës të ushtrojë të drejtën. I vetmi mjet dhe mënyrë për t’i vënë fre babëzisë është vetoja presidenciale. Kjo e ka një shpjegim, pse e bëjnë, jo se nuk njohin rregulloren. E dinë fare mirë se është verbimi i hajdutërisë. Janë të blerë nga paratë e pista të Fushës, janë të blerë nga paratë e krimit”, deklaroi Alibeaj.

Eduard Shalsi: Miratuam dekretin e presidentit me amendamentet e propozuara

Kryetari i Komisionit Parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese Eduard Shalsi: “Jemi përpjekur gjatë gjithë kohës, ta shmangim nga banalitetet që ata i kanë aq shumë për zemër. Shqiptarët nuk meritojnë të shohin skena ku ofendimet e fyerjet të jenë të pranishme. Do të doja që mbi bazën e arsyetimeve të njihnim shqiptarët me procedurën për teatrin. Ne duam një teatër të ri modern, ata nuk e di ç’duan. Të mbetur pa kauzë e ide kanë zgjedhur të bëjnë zhurmë. Diskutimi sot ishte: Kemi një dekret i cili, ose rrëzohet, ose pranohet. Ajo që kemi bërë kishte të bënte me faktin që në morinë e argumenteve ka një argument që citohet edhe nga BE. Sot miratuam dekretin e presidentit me amendamentet e propozuara si rezultat i konsultimeve dhe debateve që kanë ndodhur i kërkuar edhe Autoritetit të Konkurrencës të jepte opinion. Keqardhje që mes zallamahisë në komision, opozita nuk i la mundësi argumenteve. Ky proces nuk ndodh për herë të parë. Ne jemi sot me një draft që do i propozojmë seancës, ku pika kryesore ka të bëjë me një garë për të mundësuar çdo subjekt të interesuar ta paraqesë çdo lloj ideje. Draft-ligj i propozuar mbi të cilin ne si deputetë kemi diskutuar dhe kemi rënë dakord me logjikën e amendamenteve dhe e kemi propozuar”, deklaroi Shalsi.

Deputeti Edmond Panariti: Jemi në kushte flagrante të shkeljes së parlamentarizmit

Varianti i “korrigjuar” të dekretit të presidentit për ligjin e Teatrit Kombëtar në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, ishte antikushtetues. E vetmja mundësi e shumicës për të dalë nga gropa e zezë e antikushtetueshmërinë së ligjit për shembjen e Teatrit, ishte miratimi në tërësi i dekretit të Presidentit për kthimin e ligjit. Miratimi me amendime është i paligjshëm dhe i pavlefshëm. Presidenti ka përcaktuar qartë shkeljet e rënda të Kushtetutës në dekretin për kthim. Prandaj, miratimi në tërësi i dekretit presidencial ishte e vetmja rrugë për të penguar grabitjen e pronës publike, shkatërrimin e vlerave të trashëgimisë antikushtetueshmërinë e këtij akti. Në mënyrë të dhunshme, duke u ndërprerë të drejtën e fjalës së opozitës, mazhoranca miratoi në shkelje të procedurave, amendamente të futura tinëzisht në dekretin e Presidentit në shkelje të hapur të rregullores së parlamentit. E gjitha kjo për rrjedhojë degradoi në një farsë. Dekretin e Presidentit nuk e konsideroj të miratuar se bëhet fjalë për variantin e riformatuar nga mazhoranca pa diskutuar me ne. Nuk u lejuam të flisnim. Do të konsultohemi, dhe vendimi do të merret në të ardhmen, por jemi në antikushtetutshmëri të plotë. Ai variant u miratua me shpejtësi dhe në fshehtësi. Presidenti është shprehur qartë, edhe ne u shprehëm qartë por për variantin aktual të presidentit jo për variantin e korrigjuar të maxhorancës. Në këtë pikëpamje jemi në kushte flagrante të shkeljes së parlamentarizmit.