Mirditë, 70 vjetori i çlirimit, Rama “Rilindja e zonës sapo ka filluar”

547
Sigal

MIRDITE – 70 vjetori i çlirimit të Mirditës është përkujtuar sot në qytetin e Rrëshenit. Kryeministri Rama ishte sot në Rrëshen, i shoqëruar edhe nga Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, Ministri i Mirëqenies sociale dhe Rinisë Erion Veliaj.

Fillimisht, Kryeministri inspektoi nga afër një sërë projektesh dhe ndërhyrjesh infrastrukturore të realizuara nga Bashkia e Rrëshenit, të cilat pritet t’u dhurojnë banorëve më shumë lehtësi në lëvizje dhe komunikimin mes tyre. 

Me fonde të Bashkisë së Rrëshenit në hyrje të qytetit janë ndërtuar trotuaret e qytetit, si dhe një rrugë me dy kalime, e cila do të ketë trotuare në të dy anët e saj, me pemë dekorative dhe ndriçim. Ndërkohë nga projektet e realizuara janë vënë në funksion 8 lulishte me trotuare, ndriçim dhe stola, si dhe janë rikonstruktuar fasadat e 8 pallateve.

Ndër të tjera janë sistemuar hapësirat mes pallateve, dhe janë vendosur në këto hapësira rreth 200 stola, si dhe janë mbjellë në tërësi më shumë se 1500 pemë dhe bimë dekorative. Ndërkohë që një fond prej 80 milion lekësh është akorduar për Unazën e Qytetit.

edi rama rreshen

Në fjalën e tij kryeministri Edi Rama, teksa shprehu mirënjohjen dhe përkujtimin e tij të gjithë personave që siç u shpreh ai “vunë jetën në themelet e lirisë”, theksoi se projektet për transforimin e Mirditës sapo kanë filluar. Shefi i qeverisë, nënvizoi se një sërë projektesh të tjera që do ta shndërrojnë këtë zonë.

“Ne jemi këtu për të nderuar kujtimin e të gjithë atyre që vunë jetën në themelet e lirisë së kësaj zone por edhe për të përcjellë në gjithë këtë zonë mesazhin e një rilindjeje që ka nisur përmes një sërë projektesh që tanimë janë përfunduar apo janë rrugës dhe projekte të tjera që kemi diskutuar sot me kryetarin e bashkisë që do të vijojnë në funksion të transformimit në radhë të parë të infrastrukturës shkollore duke vendosur si pikë referimi gjimnazin e Rrëshenit dhe pastaj për tu shtrirë më tutje, por edhe të jetës kulturore dhe sportive.”

edi rama rreshen

Nga ana tjetër, kryetari i Bashkisë së Rrëshenit Ndue Kola sqaroi se të gjitha investimet e bëra i kanë kthyer frymëmarrjen qytetit.

“Ne kemi bërë disa punë por puna më e madhe është vlerësimi që na ka bërë qeveria, Kryeministri Edi Rama, duke na akorduar një fond të konsiderueshëm për Unazën e qytetit, krejt e shkatërruar.” tha kreu i Bashkisë.

edi rama rreshen

Ndërkaq, në varrezat e Dëshmorëve të Mirditës u vendosen kurora me lule, dhe u zhvillua ceremoniali në përkujtim të të rënëve të kësaj zone. Ndërkohë, festa tradicionale që Mirdita ia dedikon çdo vit ditës së çlirimit, mblodhi në qendër të qytetit veteranë, qytetarë, të rinj e të reja, përfaqësues të pushtetit vendor, dhe shumë të ftuar të tjerë.