Sigal

Kryeministri Edi Rama e ka nisur këtë javë me një postim në rrjetin e tij social Facebook ku njofton për përfundimin e punimeve në spitalin dhe maternitetit të ri të Sarandës. Rama në statusin e tij njofton se shumë shpejt të dyja këto qendra shëndetësore do të punojnë  me orë të plota në shërbim të publikut, pas një kohe të gjatë braktisjeje, rrënimi tërësor e mungesash alarmante. Investimi në total është në vlerën e 266 milionë , ku prej të cilave 80 milionë lekë janë investime në aparatura. Nga i gjithë rikonstruksioni ajo që bie në sy është fakti se ky spital do të ketë tashmë tre salla për kirurgjinë. Drejtori i Spitalit të Sarandës, zoti Tajar Lako, shprehet  për gazetën “Telegraf” se ky spital u shërben të paktën 5 bashkive, Sarandës, Konispolit, Finiqit, Delvinës po ashtu dhe Bashkisë së Himarës. Spitali pritet që të fillojë të funksionojë në shtator dhe do t’i shërbejë një popullate prej  150 mijë banorësh që 3-4 fishohet në sezonin turistik.