Festohet 70-vjetori i Çlirimit të Korçës

4838
Sigal

Më 24 nëntor 1944, Korça e traditave, ngriti flamurin e lirisë. Korça i dha lirisë 1000 dëshmorë

KORÇË- Qindra banorë të qytetit juglindor, ish-partizanë të Luftës Nacionalçlirimtare, veteranë të kësaj lufte, familjarë të dëshmorëve, drejtues vendor dhe të ftuar të tjerë u mblodhën dje në sheshin kryer dhe festuan 70-vjetorin e çlirimit të Korçës. Në këtë eveniment të rëndësishëm, ishin dhe zëvendëskryeministri Niko Peleshi, deputetët Bashkim Fino, Ben Blushi, drejtues të Veteranëve të Luftës, etj… Fillimisht, të dërguar të qeverisë, drejtues të bashkisë, prefekturës, veteranëve etj., bënë homazhe dhe vendosën kurora tek “Ushtari i Panjohur”.  Kësaj ceremonie iu bashkuan dhe përfaqësues të disa partive politike, drejtues të shoqërisë civile e shumë qytetarë të thjeshtë. Më pas, organizatorët kishin planifikuar një takim në sallën e kinoteatrit “Andon Zako Çajupi”, në nderë e në nderim të djemve dhe vajzave që dhanë jetën në luftën për liri. Shefqet Pojani, kreu i veteranëve korçarë, në fjalën e tij evidentoi ngjarjen e rëndësishme të 70 viteve më parë, ku repartet dhe njësitë partizane, duke luftuar me heroizëm e trimëri, çliruar qytetin e Korçës. Duke vlerësuar heroizmin e luftëtarëve, ai premtoi se në punë e tyre, bashkë me pasardhësit e veteranëve të luftës, do të bëjnë gjithçka për njohjen e  transmetimit në breza të heroizmit e atdhedashurisë. Pas fjalës së Shefqet Pojanit, kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës në Korçë, përshëndeti Zëvendëskryeministri Niko Peleshi. “Sot, plot 70 vite më parë, në Korçën tonë, u ngrit flamuri i lirisë. Djem dhe vajza me armë në dorë, të rreshtuara në formacionet partizane, luftuan dhe triumfuan mbi fashistët dhe nazistët, duke bërë Korça e traditës, t’i shtohej hartës së qyteteve të çliruara deri në atë kohë. Njëkohësisht, në meritën e çlirimit të këtij qyteti, vend të rëndësishëm zë dhe kontributi i popullit korçar që bëri gjithçka në mbështetje të luftë për liri.  Korça duhet të krenohet dhe për diçka tjetër, për atë që i ka dhënë luftës për liri rreth 1000 heronj dhe dëshmorë. Është në nderin tonë, në nderin e brezave, që sot në këtë ditë të shënuar të përulemi me respekt para atyre që dhanë jetën për lirinë e vendit, duke e renditur Shqipërinë në kampin e fitimtarëve. Nder dhe respekt gjithashtu dhe për qindra luftëtarë që morën plagë e luftuan me heroizëm për çlirimin e Korçës, Shqipërisë e trojeve shqiptare jashtë kufijve. Mirënjohje dhe për organizatën e veteranëve të luftës, që po bëjnë maksimumin për njohjen e vlerës së kësaj lufte, protagonistëve të saj dhe edukimin e brezave me atdhedashurinë”,- pohoi mes të tjerave Niko Peleshi. Në përfundim, për të pranishmit në këtë ceremoni përkujtimore, u dha një program artistik, i përgatitur enkas për këtë ditë. Pas aktiviteti në sallë pati dhe një sërë aktivitetesh të tjera, përfshi dhe vizita në familjet e heronjve dhe dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Njëkohësisht, po dje pasdite, në këtë qytet, u bë dhe promovimi i librit të fundit të Ben Blushit.