Ministria e Drejtësisë: “Kemi përfunduar trajtimin e kërkesave që plotësojnë kriteret ligjore”

538
Sigal

Nga viti 2009 deri në dhjetor 2012 është miratuar fondi në total 6.5 miliardë lekë shpërblim për ish të dënuarit politikë

Në një prononcim të djeshëm, për mediat, mbi  ecurinë e procesit të dëmshpërblimit të ish të dënuarve politikë të regjimit komunist në Ministrinë e Drejtësisë,  Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë, z. Gerdjan Xhanari  tha se: “Në Ministrinë e Drejtësisë që prej vitit 2008 e në vijim janë depozituar rreth 20589 kërkesa nga ish të dënuarit apo nga familjarët e tyre.  Ministria e Drejtësisë për një numër të konsiderueshëm kërkesash ka përfunduar shqyrtimin administrativ të tyre, duke përcaktuar masën përfundimtare të dëmshpërblimit për çdo ish të dënuar me Vendim të Këshillit të Ministrave.

Në këto vendime sipas z.Xhanarit nuk janë përfshirë kategoria e ish të dënuarve, të cilët kanë vuajtur dënimin me internim-dëbim, (rreth 4000 kërkesa), pasi ligji parashikon një skemë pensioni, e cila duhet të propozohet nga Ministria e Financave dhe të miratohet me VKM.

Ai thekson faktin se, “në Ministrinë e Drejtësisë ka përfunduar trajtimi i kërkesave të të gjithë kërkuesve që kanë plotësuar kriteret ligjore  dhe me përfundimin e procedurës për miratimin e emrit me VKM qytetarët nuk kanë më kontakt me Ministrinë e Drejtësisë .’

Sipas tij kërkesat  e depozituara në Ministrinë  e Drejtësisë janë të miratuara dhe të ndara  sipas kategorive duke gjetur zgjidhjet përkatëse :

Janë miratuar 23 lista me VKM, për rreth 11.750 emra të ish të dënuarve politikë. Shuma totale për 23 listat e miratuara me VKM është rreth 46.637.430.414 lekë; Fondi i miratuar i llogaritur për një këst është 5.829.678.802 leke.

Rreth 1000 kërkesa i përkasin kategorisë së viktimave të pushkatuara padrejtësisht pa gjyq, për të cilat jemi në pritje të paraqitjes së dokumentacionit provues nga aplikantët. Deri në fund të vitit 2012 parashikohet përmbyllja e shqyrtimit administrativ të këtyre kërkesave;

Rreth 2300 kërkesa i përkasin kategorisë “internim tela me gjemba”, të cilat presin miratimin e projekt-ligjit i cili në nenin 2, parashikon njohjen e aktit administrativ të lëshuar nga Komisioni Trepalësh;

Rreth 4000 kërkesa i përkasin kategorisë “internim-dëbim”, për të cilët pritet skema e pensionit e propozuar nga Ministria e Financës.

Rreth 1600 kërkesa nuk plotësojnë kriteret ligjore aktuale dhe këto kërkesa janë trajtuar me përgjigje negative sipas legjislacionit në fuqi.

Më tej z. Xhanari  thote se: “Përveç 20.589 kërkesave të depozituara janë edhe rreth 2000 kërkesa qe janë depozituar në protokollin e Ministrisë së Drejtësisë, por ende nuk ka filluar procesi i shqyrtimit administrativ, pasi aplikimet janë dorëzuar jashtë afatit ligjor. Për këto kërkesa do të fillojë shqyrtimi administrativ pas miratimit e projekt-ligjit.”

Në lidhje me 20 shtetasit që janë në grevë, sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë thotë se për ” 16 prej tyre kanë përfunduar procedurat me Ministrinë e Drejtësisë , kanë marrë këstin e parë dhe ashtu siç deklaroi Ministria e Financave dje, po marrin edhe këstin e dytë .

“Ndërkohë për sa i takon 4 shtetasve të tjerë ata kanë aplikuar jashtë afatit dhe qeveria ka marrë përsipër që do ti trajtojë këta katër shtetas ashtu si dhe 2000 të tjerë, që kanë aplikuar jashtë afatit  dhe këtë angazhim e ka shprehur edhe me propozimin që ka bërë për miratimin e trajtimit të këtyre kërkesave”,- përfundon z. Xhanari.