/Gazeta TELEGRAF
-
42 milionë euro nga Marrëveshja IPA , 2018
-
42 milionë euro u investuan në vitin 2019
-
57 milionë euro të tjera për “Reforma në Drejtësi” u dhanë deri në 2025
63 milionë euro fonde, parashikohet të përfitojë Shqipëria nga programi IPA III, për periudhën 2021-2024
Duartrokitjet për historinë e suksesit me reformën në drejtësi po ia lënë vendin kritikave dhe skepticizmit. Institucionet ndërkombëtare japin sinjalet e alarmit, Raporti i CIA-s, raporti i fundit i Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin (UNODC), Qendra e Studimit të Demokracisë dhe Qeverisjes etj., kryqëzojnë hapur këtë refomë, duke nxjerrë në pah se, krimi i organizuar dhe korrupsioni, janë dy fusha ku Shqipëria shkëlqen. Në përgjithësi, deri më tani, reforma në drejtësi është dëmtuar dhe penguar nga çështjet financiare. Në shtator 2017, qeveria Rama uli me 40 për qind fondet për institucionet e vetingut, duke siguruar që në krye një fillim të ngadalshëm të zbatimit të reformës. Në ndihmë ka kontribuar gjithmonë fuqishëm BE. Reforma në drejtësi merr pjesën e luanit nga Marrëveshja IPA, 2018, 42 milionë euro, rreth 45% të shumës totale prej 94 milionësh, që do të përdoren për “forcimin e pavarësisë, transparencës, përgjegjshmërisë dhe besimit të publikut në sistemin e drejtësisë shqiptare”. Sërish Bashkimi Evropian investoi 42 milionë euro në vitin 2019, duke pasuar me 57 milionë euro të tjera në vitin 2021.
Reforma në Drejtësi, dështoi?
Reforma në drejtësi ështe kushti kryesor për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Motiv ky që, babëzia që grupet e krimit dhe ata të organizuar po ushtrojnë mbi politikën dhe pasuritë kombëtare të vendit, të ndalojë. Përveç kësaj është një parakusht për investime të huaja në Shqipëri, pasi mjedisi i sigurt të të bërit biznes, duhet dhe do të tërhiqte investitorët e huaj.
Ndërkaq, 4 vjet nga miratimi, ende nuk ka një produkt real për qyetarët. Procesi i Vetting-ut dhe dorëheqjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve, kanë shkaktuar në sistem mungesën e 36% të trupës së gjyqtarëve dhe 22% të trupës së prokurorëve. Kjo solli bllokimin e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë për dy dhe tre vite përkatësisht, ndërsa aktualisht vendet bosh në Gjykatat e Apelit dhe ato të shkallës së pare, po sjellin mjaft vonesa në dhënien e drejtësisë për qytetarët.
Programi IPA III/ Shqipëria do përfitojë 63 mln euro fonde deri në 2024; Fushat e financimit nga reforma në drejtësi deri te pronësia
Rreth 63 milionë euro fonde parashikohet të përfitojë Shqipëria nga programi IPA III për periudhën 2021-2024. Instrumenti i Asistencës së Para-Aderimit (IPA) financohet nga BE për vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipërinë, Kosovën, Bosnjën dhe Hercegovinën, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut) dhe Turqinë. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka hedhur për konsultim publik projekt-aktin e dokumentit strategjik kombëtar: drafti i Përgjigjes Strategjike IPA III –Shqipëri. Konsultimi do të zgjasë deri më 9 qershor dhe parashikon dhënien e opinioneve të institucioneve të qeverisjes qendrore, vendore, organizatat, donatorët apo individët që preken nga zbatimi i fondeve të IPA III.
Konkretisht drafti parashikon që për vitin 2021, nga programet e IPA III, 22 mln euro janë për reformën në drejtësi. Për 2021 IPA do të financojë edhe 10 mln euro për vazhdimin e fazës të dytë të programit IPA 2020 për të drejtat e pronës. Projekti parashikon të vazhdojë më tej me përmirësimin e të dhënave hapësinore dhe informacionit mbi të drejtat ligjore të pronës, korrigjimin dhe azhurnimin e të dhënave në kadastrën shtetërore të tokës bujqësore.
“Për vitet 2023-2024, rreth 4 mln euro do të jetë fondi i mbështetjes financiare për programin antikorrupsion; 10 mln euro për luftën kundër krimit të organizuar dhe përmirësimit së qytetarëve”
Për vitin 2022 do të financohen 5 mln euro për programin “BE për Demokraci” që synon të ofrojë mbështetje për të adresuar dobësitë e përhershme në sistemin e menaxhimit zgjedhor, në përputhje me qasjet zgjedhore të BE-së, duke rritur pavarësinë e medias, cilësinë e gazetarisë, duke siguruar pjesëmarrja e barabartë të grave në institucionet demokratike dhe qëndrueshmërinë e organizatave të shoqërisë civile.
Për vitet 2023-2024, rreth 4 mln euro do të jetë fondi i mbështetjes financiare për programin antikorrupsion; 10 mln euro për luftën kundër krimit të organizuar dhe përmirësimit së qytetarëve; 10 mln euro për menaxhimin e kufirit, sipas programit “Përmirësimi i Mbikëqyrjes së Kufirit në lidhje me luftën kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe migracionit të paligjshëm dhe 2,5 mln euro në mbështetje të fuqizimit dhe angazhimit të diasporës shqiptare.
IPA synon të mbështesë vendet kandidate dhe ato kandidate potenciale, në procesin e integrimit evropian. Më konkretisht, ka si qëllim të mbështesë zbatimin e reformave politike, institucionale, ligjore, administrative, sociale dhe ekonomike, të nevojshme për të sjellë vendet më pranë BE-së. Nga janari 2007-s e më tej, Instrumenti i Asistencës së Para-Anëtarësimit (IPA) zëvendëson një seri programesh të Bashkimit Evropian dhe instrumenteve financiare për vendet kandidate ose vendet potenciale kandidate, përkatësisht PHARE, PHARE CBC, ISPA, SAPARD, CARDS. IPA programohet përmes cikleve 7 vjeçare. IPA I është programuar për periudhën 2007 – 2013, IPA II për periudhën 2014-2020, dhe IPA III po programohet për periudhën kohore 2021-2027. IPA III po programohet mbi bazën e Kuadrit Programues të IPA III, i cili përfaqëson një dokument strategjik të rëndësishëm të BE-së.
Kuadri Programues i IPA III përfshin 5 dritare strategjike: sundimi i ligjit, të drejtat themelore dhe demokracia; mirëqeverisja, linjëzimi me acquis të BE-së; fqinjësia e mirë dhe komunikimi strategjik; konektviteti i qëndrueshëm dhe agjenda e gjelbër; konkurrueshmëria dhe rritja gjithë përfshirëse dhe bashkëpunimi territorial dhe ndër-kufitar.