Miliona euro të rindërtimit u bëhen  ‘dhuratë’ miqve të Rilindjes: Bizneset e kryebashkiakut Safet Gjici, më të favorizuara

243
Sigal

Klientët dhe miqtë e kryeministrit Rama kanë përfituar pjesën dërrmuese të fondeve të rindërtimit nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit. Kompania e kryebashkiakut socialist të Kukësit Safet Gjici, ka derdhur në llogaritë e saj 1.35 miliard lekë, duke qenë më e favorizuara, referuar të dhënave te publikuara nga “Open Data Albania”. Qindra milionë euro të fondeve të rindërtimit kanë shkuar në llogaritë e kompanive, të cilat janë pronë e miqve dhe klientëve të Kryeministrit Edi Rama. Përgjatë një viti, nga marsi 2020, deri në maj të 2021, qeveria shqiptare ka paguar 100.86 milionë Euro për 104 kompani, të cilët janë kontraktuar për rindërtimin e godinave të dëmtuara nga tërmeti i nëntorit të 2019-ës. “Open Data Albania” ka publikuar listën e këtyre kompanive. Në bazë të të dhënave të Pagesave të bëra në favor të këtyre shoqërive nga Thesari i Shtetit, rezulton se kompania më e paguar nga qeveria është “Kevin Construction”. Deri tani “Kevin Construction” ka marrë 1.35 miliardë lekë ose rreth 10.9 % e totalit të shumës Fond Rindërtimi. Shoqëria e cila sot zotërohet nga Lavdërim Gjici, vëllai i kryebashkiakut socialist të Kukësit Safet Gjici, ka fituar disa kontrata për Programin e Rindërtimit për operim, e vetme ose në bashkim operatorësh. Ndërsa kompania që renditet e dyta si më e paguar, është “Gjikuria”, e cila ka arkëtuar nga Thesari deri në maj 2021, një total prej rreth 779 milionë lekë.

Shoqëria “Gjikuria” ka si pronarë shtetasit Florenc dhe Milo Gjikuria. Në renditje, numrin tre e mban “G. P. G Company” me transferta nga Thesari për situacione që lidhen me fondin e rindërtimit pas tërmetit në vlerën rreth 695 milionë lekë. Renditja vijon me shoqërinë “Ante – Grup” ku vlera e transaksioneve nga Thesari për Rindërtimin është rreth 610 milionë lekë. Më tej lista vijon me kompaninë “Riviera 2008” me vlerë transaksioni nga Thesari 544 milionë lekë, apo “Gener 2” me vlerë rreth 435 milionë lekë. Procedura për kontraktim është përzgjedhur me Akt Normativ të miratuar në dhjetor 2019 menjëherë pas Tërmetit. Në çdo kontraktim është përdorur Procedurë e Kufizuar (jo e hapur), me afat vetëm 10 ditor për paraqitje interesi, me vlerë të lartë të procedurës së njoftuar për shkak të bashkimit të disa objekteve, pasuar me disa minikonkurse ku pjesa e paraqitjes së ofertës për minikonkurs, bëhet pa sistem elektronik. Konkurrimi i hapur, paanësia me sistem elektronik, dhe konkurrimi sipas objektit të drejtpërdrejtë dhe jo objekt tematik dhe gjeografik, nuk janë marrë parasysh nga autoritetet shtetërore. / ‘Syri’ TV