/Gazeta TELEGRAF
Si edhe zgjedhjet e tjera të ndodhura gjatë 30 viteve të tranzicionit, kur vjen fundi i mandatit, forcohet lufta politike nga të dy palët, si pozita qeverisëse, e cila shtron përpara gjithë arritjet e saj, po kështu opozita, e cila ve në dukje të gjitha anët negative gjatë qeverisjes së pozitës. Por këtë radhë në ndryshim nga herët e tjera, si ish-Kryeministri Fatos Nano në fund të 8 viteve, gjithashtu edhe ish-Kryeministri Sali Berisha në fund të 8 viteve, e lëshuan mandatin pa bërë asnjë lloj rezistence. Ndoshta edhe mund të kishin fituar zgjedhjet, por edhe për të mos ndjekur metodën e vjetër të qeverisë së diktaturës, e cila zgjati gati 45 vjet. Qeveria e sotme është e bindur se zgjedhjet do t’i fitojë për herë të tretë, dhe se e gjithë populli do ta votojë. Në fund të fundit të gjitha ato që thotë opozita dhe që ne si qytetar të thjeshtë i kemi parë, i kemi lexuar, i kemi provuar edhe në kurriz, si abuzimi i marrjes së milionave për një metër rrugë, tenderat korruptivë, të cilat jepen shoqërisht pa asnjë lloj rregulli, duke pasuruar në mënyrë të pa drejtë pak njerëz. Pasiguria në vend, rritja e krimit, goditja në mënyrë të jashtëzakonshme e biznesit të vogël me taksidaret e vet, kanabizimi që ka mbirë dhe zhvillohet kudo brenda dhe jashtë vendit, duke përhapur një opinion tepër negativ për vendin Së fundi, mund të themi se largimi masiv i të rinjve nga vendi duke marrë me vete edhe mendimin se ky vënd nuk bëhet më, e kështu me radhë mund të mbushim faqe të tëra. Por problemi qëndron se qeveria këmbëngul fort se ajo me çdo kusht do t’i fitojë zgjedhjet dhe këtë e dëgjojmë dëndur nga goja e kryeministrit.
“Qeveria e sotme është e bindur se zgjedhjet do t’i fitojë për herë të tretë, dhe se e gjithë populli do ta votojë. Në fund të fundit të gjitha ato që thotë opozita dhe që ne si qytetar të thjeshtë i kemi parë, i kemi lexuar, i kemi provuar edhe në kurriz, si abuzimi i marrjes së milionave për një metër rrugë”
Po si do t’i fitojë? Në fund të fundit, çdo qytetarit të thjeshtë i shkon në mendje se ai do të përsërisë po ato zgjedhjet e famshme, ku u vodhën dhe ato pak vota, sepse u paraqitën vetëm 15% e popullsisë. Pra, ai është i bindur se populli e do Edi Ramën. Pra, ai godet dhe populli e do. Në rregull, ai vetë ka thënë se: “Ai qe të rreh të do”. Pra ai e do popullin. Problemi qëndron se ka edhe një fjali të dytë, që rrjedh nga e para: “Edhe nëqoftëse nuk të duan, ti i shqep në dru që të të duan me çdo kusht”. Këta të dytët janë të rrezikshëm, të pamëshirshëm, që shpesh sjellin fatkeqësi . Pra, avash-avash në 8 vjet qeverisje, sipas Kryeministrit që i ka të gjitha mundësitë të ripërsërisë zgjedhjet e kaluara, sepse ka ndryshuar dhe kushtetutën, i bie që të rrijë dhe 4 vite të tjera, pra 12 vjet, e më pas 16. As që nuk bëhet fjalë që vendi të shkojë drej Europës, drejt qytetërimit, sepse aty përballë vendit tonë qëndron një mal i lartë që quhet Standarte. Gjithmonë bota e qytetëruar na ka thënë, afrohuni afër standarteve tona dhe ne do t’iu pranojmë. Por si ta kuptojmë ne qytetarët e thjeshtë, si ta përkthejmë këtë fjalë. Fjala vjen, siç kemi parë dhe që ka ndodhur në botën e qytetëruar, filan kryeministër X, i X vendi, për një biletë avioni, ose për pak para të abuzuara, jep me shpejtësi dorëheqjen, pa hezitim në mënyrë që tjetri që vjen në vend të tij, të kuptojë që ky është standarti dhe këtu është pika e vëlimit, pra nuk ka nevojë për më shumë abuzim. Largim edhe për pak gjë. Po këtu çfarë ndodh, është bërë pirgu i të keqes një mal i madh që nuk shikon dot përtej dhe jo vetëm që nuk bëhet fjalë për dorëheqje, por vetëm për fitore. Dhe në këtë fitore që po e trumbetojnë fuqishëm, marrin pjesë edhe analistë shumë të vjetër që i përkasin kohës së shkuar. Shikoj me vëmendje analistë, të cilët janë thjesht rrogëtarë të paguar nga qeveria, dhe I mbajnë ison në cdo moment. Sic edhe e pamë, përgjatë më shumë se 1 ore në emisionin televiziv, ai u kap me figurat e opozitës. Dua të veçoj këtu pervec të tjerave, të binte në sy atakimi që pati me kreun e PBDNJ, Vangjel Dule. Këtu, më duhet të them për rolin që ka patur minoriteti grek gjatë gjithë kohës në këto 30 vite në jetën politike të vendit. Sic e dimë, shumë antarë të minoritetit Grek kanë aderuar përveç partisë së të drejtave të njeriut edhe parti të tjera shqiptare, sepse nuk e kanë konsideruar veten të vecantë, dhe e kanë gjetur veten si gjithë të tjeret në ato parti, Kjo ka rëndësinë e vet për të theksuar, sepse kanë qënë bashkë në hallet e tyre, si shqiptarët edhe grekët, të pandarë. Kjo tregon më së miri se minoriteti grek nuk ka qënë asnjëherë I interesuar për të krijuar nje esencë të fortë të minoritetit grek e cila do të rrinte e pozicionuar përkundrejt pjesës tjetër të shoqërisë. Ai këtu aludon edhe për camët. Personalisht jam pjesë e minoritetit grek, kanidat për deputet I PBDNJ, që prej fillimit të LSI jam antar I saj, dhe gjatë jetës sime përtej politikes, padyshim kam patur shokë të ngushtë edhe camë. Dhe me vjen shume keq kur shikoj ekstreme të tilla të politikës, të cilat I quaj plera dhe ferra, të cilat ndikojnë në jetën tonë të përditshme. Gjuha e kryeministrit është një gjuhë përcarëse. Jeta e sotme ikën me shpejtësi, kohën nuk e ndalon dot.
“Por problemi qëndron se qeveria këmbëngul fort se ajo me çdo kusht do t’i fitojë zgjedhjet dhe këtë e dëgjojmë dëndur nga goja e kryeministrit. Po si do t’i fitojë? Në fund të fundit, çdo qytetarit të thjeshtë i shkon në mendje se ai do të përsërisë po ato zgjedhjet e famshme”
Ajo rrjedh si ujrat e nje lumi të pastër, por që merr me vete edhe plehrat, llumin, ferrat e tjera që i bëhen pengesë. Njerëzit nuk kanë nevojë për ndërrim tokash, kundërvënie me njeri tjetrin. Kanë nevojë për përshtatje kulturash, ku të dominojë ajo që është më pozitivja, e cila të çon drejt rrymave të ngrohta të qytetarisë, drejt perendimit. Minoriteti Grek në Shqipëri ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm për Shqipërinë, si në anën politike, por edhe në anën ekonomike, duke krijuar një urë mirëbesimi dhe bashkëpunimi midis dy popujve. Do mbahen mend figurat e Vasil Melos, me urtësinë dhe thjeshtësinë e tij. Edhe kjo e sotmja, figura e Vangjel Dules, i cili nuk ka qënë asnjëherë ministër, por që ka qënë një zë i fortë përtej kornizës së minoritetit grek në zhvillimet politike të vendit. Jam i sigurt që kandidimi i Vangjel Dules në Tiranë është treguesi më i mirë që është kundër frymës përçarëse që demonstron kryeminstri duke e goditur atë. Mendoj qe ai do të votohet, dhe do të jetë në nderin e votuesve që mos të bëjnë dallim, siç nuk ka bërë edhe ai gjatë gjithë kohës që ka qënë në politikë. Së bashku me Vangjel Dulen, uroj që edhe të tjerë minoritarë të spikatur në jetën politike, si Kosta Barka, të votohen pikërisht për rolin e tyre të veçantë që kanë luajtur në Shqipëri. Urojmë që këto zgjedhje të fitojë më i miri, sepse ashtu si puna e çiklistit, i cili më i miri vihet në krye të tufës për të çarë erën, vjen një moment që ai lodhet, dhe për të mos humbur tempin e të tjerëve, ai duhet t’ia lejë vendin një tjetri me forca të reja për të çarë. Në të kundërt, nëse ai me kokëfortësi nuk e lëshon vendin, atëherë rryma prapa tij e cila kërkon të eci dhe do të ruajë tempin, do ta rrëzojë. Vendi nuk ka kohë për të humbur dhe rinia nuk ka pse të largohet.