Frank Shkreli: Shote Galicat e Kosovës dhe nostalgjikët enveristë

397
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Ditën e hënë me 22 mars, në Prishtinë pritet të mblidhet Parlamenti i ri i vendit, të formohet qeveria e re e Republikës së Kosovës e udhëhequr nga Kryeministri Albin Kurti dhe Parlamenti të votojë Presidenten e vendit, Vjosa Osmanin.  Ajo që është venë re në zgjedhjet e fundit në Kosovë është numri i madh i femrave që i janë bashkuar jetës politike si përfaqësuese në organet shtetërore dhe vendore të Kosovës, një fakt ky që sipas gazetës amerikane, Nju Jork Tajms, “shton shpresat për një barazi më të madhe në një vend që ende jeton pasojat e luftës kundër Serbisë.”  Kur u njoftuan rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 14 shkurtit në Prishtinë ato treguan se gratë kishin fituar më shumë vende në parlamentin e Kosovës se kurdoherë më parë , pothuaj 40% e votave të përgjithshme. Njëra prej këtyre grave, shkruan gazeta Nju Jork Tajms e datës 6 mars, 2021, është 35-vjeçarja Saranda Bogujevci, e cila gjatë luftës ishte lënë për të vdekur në oborrin e një kojshije, në një grumbull trupash të vdekur, pas një masakre të forcave terroriste serbe, që zhduku pothuaj gjithë familjen e Sarandës dhe e cila vet mori plagë në trupin e saj të vogël.  Gazeta amerikane e cilëson Saranda Bogujevcin si simbol të një qëndrese të jashtzakonshme dhe pjesë të kësaj vale grash të zgjedhura në parlamentin e ri të Republikës së Kosovës.

Këto gra të zgjedhura në Kuvendin e ri të Republikës së Kosovës, shkruan gazeta e Nju Jorkut, i “kanë bindur votuesit se ato mund të përballen me Serbinë, e cila refuzon gjithnjë të njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe të përballen, njëkohësisht, me korrupsionin, kriminalitetin dhe me keqqeverisjen, gjë që venitën shpresat e mëdha për një jetë më të mirë (që populli i Kosovës) kishte në fund të regjimit serb”. Nju Jork Tajms citon aktivisten e të drejtave të grave Nazlie Bala, e cila shprehet se forca, guximi dhe vendosmëria e Saranda Bogujevcit e kanë bërë atë simbol të vuajtjeve dhe të shpresave të Kosovës: Ajo është një mbijetuese. Ajo është e fortë si guri. Ajo është e vërteta jonë.”

Pritet që në mbledhjen e parë të Parlamentit të ri të Kosovës të zgjidhet Presidenti/ja i/e Kosovës.  Gazeta amerikan shkruan se Saranda Bogujevci do që në këtë detyrë, që është detyra më e lartë në vend, të zgjidhet një grua tjetër dhe një mbijetuese e luftës, 38-vjeçarja, Vjosa Osmani.  Siç dihet, në zgjedhjet e fundit në Kosovë, Vjosa Osmani ka siguruar numrin më të madh të votave në dy dekadat e fundit, në Kosovë.  Në intervistën me Nju Jork Tajms, Vjosa Osmani u shpreh se kjo tregon se “Kosova jo vetëm është gati për një grua presidente, por edhe votoi”, megjithë paragjykimet kundër grave dhe mentalitetit patriarkal shumë shekullor.  “Kjo më bëri të realizoj se kemi mundësi dhe se ajo (Vjosa Osmani) nuk po përpiqet për të siguruar vetëm pushtetin, por që ajo do të mbaëj një qëndrim të fortë në mbrojtje të vet dhe të gjithë neve”, i tha gazetës amerikane Elife Krasniqi, antropologe dhe shkencëtare në Universitetin Graz të Vjenës. Dihet se Kosova përballet me probleme të mëdha ekonomike, politike, me korrupsion, emigrim dhe shantazhe të vazhdueshme nga Serbia, kështu që gratë ligjëvënëse që së shpejti do të fillojnë punën në parlamentin e ri të Kosovës dhe në detyra të larta shtetërore dhe qeverisëse nuk do t’a kenë të lehtë.  Por, kjo situatë është shpresëdhëënse, ky brez i ri është premtues me fjalë dhe vepra.

Ndërkohë edhe në Shqipëri po zhvillohet fushata për zgjedhjet parlamentare të muajit që vjen.  Shikoni ndryshimet katastrofale në dy fushatat e dy shteteve, por të një populli.  Në Republikën e Kosovës u bë një fushatë dhe u zhvilluan zgjedhje mjaft dinjitoze për problemet me rëndësi me të cilat përballet Kosova dhe për zgjidhjen e mundshme dhe më të mirë të tyre.  Ndërsa në Shqipëri, në mungesë të politikanëve të rinj dhe sidomos në mungesë të ideve të reja për zgjidhjen e problemeve të mëdha me të cilat përballet Shqipëria dhe Kombi shqiptar , forcat e errëta të kësaj fushate kanë vendosur që të mënjanojnë debatin mbi problemet e përditshme të shqiptarëve duke hedhur në skenën politike individë nostalgjikë të një epoke edhe më të errët kombëtare për kohën e Enverit , si kandidatë për në parlamentin e ri shqiptar.  Nëqoftëse këta individë dhe të tjerë si këta që shumë prej tjanë edhe sot në pushtet , pjellë e regjimit enverist ose në minimum nostalgjikë të atij sistemi me ide se, Enveri “kishte më shumë gjëra pozitive se sa negative”, ose të cilët arsyetojnë  sepse ashtu e thonte kushtetuta e diktaturës, ose që deklarohen se “komunizmi ishte në anën e duhur të historisë” – fitojnë shumicën në parlamentin e ardhëshëm shqiptar, atëherë vaj medet për të ardhmen e Shqipërisë dhe të Kombit. Ka njerëz që thonë se edhe nazi-fashizmi kishte anën e vet mirë, por në vendet e origjinës së tyre (Gjermani e Itali) kjo ideologji luftohet edhe sot me ligje. Për nga kriminaliteti nuk kishte shumë ndryshime nazi-fashizmi nga komunizmi. Sidomos shqiptarët e kanë pësuar keq nga komunizmi, të gjithë shqiptarët pa dallim, pothuj nuk ka familje shqiptare në mbanë trojeve tona, që nuk është prekur , nga komunizmi në një mënyrë ose një tjetër. Edhe Presidentja e ardhshme e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani shprehet: “Përgjatë historisë sonë, shumë familje janë ndarë mes Kosovës e Shqipërisë, dhe të tillë e kishte fatin edhe familja ime. Përderisa gjyshi im, babai i nënës sime kishte përjetuar tortura të tmerrshme në burgjet e regjimit serb, e në fund edhe kishte vdekur nga ato tortura, në anën tjetër xhaxhai i nënës, Sylejman Vucitërna, kryetar i Akademisë Ushtarake këtu në Shqipëri, kishte mbetur në Shqipëri, por u varros për së gjalli nga regjimi i Enver Hoxhës. Kjo histori e dhimbshme e ndarjes së familjeve, por e vuajtjeve në të dyja anët e kufirit, është histori e qindra mijëra familjeve shqiptare. Por, le të jetë guximi i tyre e i secilit shqiptar për t’u thënë jo regjimeve të dhunshme udhërrëfyes për secilin prej nesh në rrugën tonë drejt demokracisë së konsoliduar e drejt një Kosove e një Shqipërie ku rinia jonë krenohet me vendimet që marrim ne, përfaqësuesit e saj të zgjedhur”.  Duhet parë përpara dhe jo mbrapa për të ardhmen e vendit dhe të Kombit , me njerëz të rinj dhe me ide të reja. Vlerësimi i regjimit komunist që nuk lejoi as fushatë as zgjedhje të lira për pothuaj një gjysëm shekulli,  nga politikanë aktual shqiptarë në pushtet ose nga disa që pretendojnë karrige për pushtet sot, nuk duhet të jetë pjesë e një fushate politike, por subjekt i historianëve të mirëfilltë dhe jo ideologjikë. Sepse këta njerëz e ndjejnë si detyrë politike dhe morale të mbrojnë një regjim kriminal, si ai i Enver Hoxhës, është e pamundur të kuptohet sot 30 vjet pas shembjes së Murit të Berlinit.

Nëqoftëse një shumicë e votuesve shqiptarë mendon si këta politikanë të sotshëm, atëherë t’i gëzoni mbetjet e komunizmit që do ju qeverisin në një të ardhme të shkurtër dhe ndoshta edhe afatgjatë.  Për mua edhe besoj për shumë shqiptarë që shpresonim për një demokraci të vërtetë në Shqipërinë tonë të dashur, në fillim-çerekun e parë të shekullit 21, kjo situatë aktuale politike në Shqipëri na ka hedhur në një gjendje depresioni. Por nga natyra jam njeri optimist dhe në fund të këtyre rreshtave po i kthehem frymës optimiste dhe shpresëdhënëse të dalë nga zgjedhjet e fundit në Kosovë dhe rolit të udhëheqësve të rinj e të reja dhe ideve të tyre për Kosovën dhe për mbarë Kombin. Unë besoj se ka mundësi që zgjedhjet e fundit në Kosovë, të sinjalizojnë fillimin e një ndryshimi madhor të proceseve politike ndër shqiptarët. Kjo është shpresa ime, i bindur se në shpirtin e shqiptarit ekziston gjithnjë ajo cilësia që e ka karakterizuar gjithmonë popullin shqiptar: Heroizmi përballë fateve të zeza, të shkaktuara nga të huajt e nganjëherë edhe nga të vetët, siç ishte përvoja e shekullit të kaluar. Jam i vetëdijshëm se Vjosa Osmani dhe Albin Kurti nuk do ta kenë të lehtë detyrën e tyre, por udhëheqësve të rinj politikë – të këtij brezi të ri politikanësh/politikanesh shqiptarë të Kosovës – iu urojmë sukses, në javët, muajt dhe vitet e ardhshme – ashtu që fitorja e tyre politike sot, të shënojë gjithashtu edhe fillimin e një fitoreje të madhe për të ardhmen e mbarë Kombit shqiptar dhe njëkohësisht edhe fillimin e një ndryshimi të madh ndër shqiptarët, të cilin e presim për më shumë se një shekull.  Jam i bindur gjithashtu se “teutat”, Vjosat, Sarandat, Vlorat, Donikat dhe shumë të tjera –janë “shotat” e sotme që do bëjnë ndryshimin!