Meta pret në Presidencë përfaqësinë e Shoqatës “Antipatrea” : I garantova se gjithë komuniteti i Beratit, do të më ketë në krah

160
Sigal

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta ka pritur në një takim në Presidencë një përfaqësi të Shoqatës ‘’Antipatrea’’.

Meta u njoh me shqetësimet e arkitektit Pavvlo Shkarpa dhe inxhinierit Xhevahir Ngjeqari për dëmtimin e shumë lagjeve karakteristike në Berat si dhe mosmarrjes në konsideratë nga qeveria e pushteti vendor të sistemimit të lumit Osum.

Presidenti shkruan se i ka mbajtur shënim të gjitha shqetësimet dhe sugjerimet, teksa i dha garancinë jo vetëm Shoqatës, por edhe komunitetit të Beratit se do jetë gjithmonë në krah të tyre.

Ai shton se do të bëjë çdo përpjekje që Beratit, t’i jepet më shumë shkëlqim e impulse të reja zhvillimi si qendër me potencial të jashtëzakonshëm për ekonominë e turizmin.

 

Komenti i Presidentit Ilir Meta : 

Nga Mangalemi e Gorica dhe deri lart në kala, Berati i një mbi një dritareve,  simbolizon një qendër të jashtëzakonshme të qytetërimit dhe civilizimit tonë, me një trashëgimi të pasur historike e kulturore, që duhet mbrojtur dhe promovuar më së miri.

Për të diskutuar lidhur me mbrojtjen dhe promovimin e këtyre vlerave, prita sot me kërkesë të tyre, një përfaqësi të Shoqatës “Antipatrea”, me një kontribut të madh për përfshirjen e Beratit në UNESCO.

Më njohën me shqetësimet e drejta se, ky qytet me potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë, po dëmtohet nga papërgjegjshmëria, korrupsioni dhe projektet e nxituara urbane, të pakonsultuara me komunitetin dhe që e kanë detyruar këtë shoqatë të nderuar, t’i drejtohet UNESCO-s.

Nga drejtuesi i “Antipatrea”-s, arkitekti i njohur beratas, z.Pavllo Shkarpa m’u ngrit shqetësimi mbi masakrën urbane, që po ndodh në Berat, me dëmtimin e shumë lagjeve karakteristike të qytetit. Tepër i vlefshëm edhe propozimi i tij për ndërtimin e një Pallati Sporti, për të rinjtë e rejat e këtij qyteti, që nuk kanë ende sot një qendër ku të ushtrojnë pasionet e tyre.

Ndërsa inxhinieri i mirënjohur, z.Xhevahir Ngjeqari, më bëri prezent faktin e mosmarrjes në konsideratë nga Qeveria dhe pushteti vendor të sistemimit të lumit Osum, mbështetur mbi vlerësimet e akademikëve më të shquar të vendit, si dhe të mungesës së investimeve për shumë projekte rrugore, me rëndësi strategjike.

I mbajta shënim të gjitha shqetësimet dhe sugjerimet e të pranishmëve, si dhe i garantova se jo vetëm ata, por i gjithë komuniteti i dashur i Beratit, do të më ketë në krah, për mbrojtjen dhe promovimin e vlerave më të mira të këtij qyteti.

Do të bëj çdo përpjekje, që në bashkëpunim me komunitetin dhe UNESCO-n, t’i japim me shumë dashuri Beratit shkëlqimin e merituar, për të moslejuar shpopullimin e tij dhe për t’i dhënë impulse të reja zhvillimi, si një qendër me potencial të jashtëzakonshëm për ekonominë dhe turizmin.