Meta: Pas veprimit të çdo shtetari, politikani e ligjvënësi, duhet të qëndrojë mendimi ekonomik

525
Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta mori pjesë në promovimin e librit “Ndërhyrja e Shtetit në Ekonomi” me bashkautorë Prof. Dr. Aristotel Pano dhe Prof. Dr. Anasatas Angjeli. Në këtë aktivitet të zhvilluar në ambientet e Shkollës së Lartë Mesdhetare të Shqipërisë merrnin pjesë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, akademikë, studentë dhe përfaqësues të medias. 
Gjatë fjalës së mbajtur në këtë ceremoni, z. Ilir Meta u ndal në vlerat që mbart ky libër si dhe në rëndësinë që ka për analizimin dhe për dhënien e rekomandimeve konkrete për ekonominë shqiptare. 

“Kjo është një temë sa aktuale dhe e ditës aq edhe e rëndësishme dhe do të vazhdojë gjithmonë, por është shumë aktuale jo vetëm për zhvillimet e ekonomisë globale në përgjithësi dhe të eurozonës në veçanti, por sepse është me shumë rëndësi jetike dhe për vetë ekonominë tonë, për stadin aktual të zhvillimit të saj dhe kapërcimin e mjaft sfidave të mprehta me të cilat ne ndeshemi. Dëshiroj të ndalem në disa momente të veçanta që ky botim i rëndësishëm na bën të reflektojmë apo të debatojmë. Fillimisht do të doja të theksoja se, shkollat dhe mendimi ekonomik, rreth çështjes së ndërhyrjes së shtetit në ekonomi, ‘masës’, mënyrës, kohës,cilësisë dhe instrumenteve të përdorur, natyrisht kanë ndryshuar, evoluar, herë kanë dalë më në pah, dhe herë kanë qëndruar në sirtar”, tha z. Meta. 

Në vijim të fjalës së tij, z. Meta u shpreh se kriza aktuale globale dhe sidomos ajo e eurozonës, e këtyre 7-8 viteve të fundit “e shkundi pluhurin” për të nxjerrë në skenë përsëri debatet në këtë çështje, ku debati kryesor ka të bëjë midis të ashpra apo ndërhyrje dhe zhvillim i qëndrueshëm dhe punësim. Sipas tij, një debat më i gjerë i vlerësimit të mendimit akademik në përgjithësi dhe atij ekonomik, financiar e social në mënyrë të veçantë është i nevojshëm dhe i domosdoshëm për të gjithë e sidomos për vendimmarrësit. “Më lejoni të shkund edhe unë nga kujtesa ime një thënie të Kejnsit, që pas veprimit të çdo shtetari, politikani dhe ligjvënësi, duhet të qëndrojë gjithmonë mendimi ekonomik. Kështu, edhe veprimi politik ynë politik nuk mund të arrijë sukseset e tij pa shfrytëzuar e përdorur këtë mendim të cilin ne e kemi. Prandaj vlerësimi i mendimit akademik ekonomik mbetet i domosdoshëm dhe nuk është luks dhe mbi të gjitha përvetësimi i mesazheve dhe tezave që ky botim përcjell janë një kontribut tepër pozitiv për zhvillimin ekonomisë tonë më mriz në të ardhmen”, tha z. Meta duke shtuar se në funksion të këtij qëllimi, dhe duke marrë shkas nga mesazhet dhe problematika e përcjellë përmes këtij botimi, e sidomos nga analiza e më shumë se 20 viteve të ndërhyrjes së shtetit në ekonominë tonë, përmasave dhe instrumenteve të përdorur, konkluzioneve dhe përfundimeve të arritura, është momenti për të reflektuar dhe qartësuar disa ide dhe problematika.

“Duke qenë konsekuent në orientimin tonë perëndimor, në rrugën tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, në bashkëpunimin tonë me institucionet ekonomike e financiare ndërkombëtare, për ndërtimin dhe zhvillimin e një ekonomie tregu funksionale dhe të qëndrueshme dhe institucione të tregut të konsoliduara, besoj se në këtë moment në debatin që po zhvillohet mes tezave për një Qeveri Zhvilluese, apo Qeveri Neutrale apo Qeveri Minimale, është koha dhe atë po bëjmë, që të kemi një Qeveri gjithnjë e më Zhvilluese, pro gjithnjë edhe më të mençur do të theksoja unë sepse zhvillimi jo gjithmonë është i qëndrueshëm dhe afatgjatë. Siç del edhe nga analiza e fazave historike të zhvillimi së më shumë 20 viteve tranzicion, nga mesazhi që ky publikim përcjell, tashmë është e qartë se, ne duhet dhe po i drejtohemi një modeli të ri të zhvillimit ekonomik. Ky mesazh duhet kuptuar, interpretuar e zbatuar drejt”, – tha z. Meta.

Kryetari i Kuvendit nënvizoi se me gjithë ndryshimet strukturore që ka pësuar ekonomia jonë, megjithëse disa degë e sektorë ekonomik kanë shteruar së zhvilluari dhe nuk janë më kontribuues të rëndësishëm, apo aq saç kanë qenë për Prodhimin e Brendshëm Bruto, dhe po zëvendësohen me degë e sektorë të tjerë, po kalojmë dhe duhet të kalojmë nga një ekonomi e bazuar kryesisht nga konsumi, tregtia dhe shërbimet te një ekonomi e bazuar gjithnjë e më shumë tek prodhimi dhe tek eksportet. 
“Modeli që kërkohet dhe kemi nisur të ndërtojmë kërkon një thellim të mëtejshëm të ristrukturimit të ekonomisë, identifikim më të qartë të prioriteteve të zhvillimit ekonomik, të degëve e sektorëve deri në prodhime konkrete. Ne e kemi nisur këtë politikë të madh ekonomik, por dyert ta vazhdojmë dhe ta çojmë deri në fund, – theksoi z. Meta. – Ndaj dhe ky debat është kaq i domosdoshëm dhe kaq i dobishëm. Është kjo arsyeja që në fokusin tonë bujqësia po shndërrohet në fokus prioritar të zhvillimit duke u orientuar drejt, që veç prodhimeve bujqësore tradicionale, përcaktimi i disa drejtim prodhimesh për eksport, si luleshtrydhe, bimë medicinale, perime e zarzavate, etj., dhe përfundimi i ciklit të plotë të përpunimit të tyre mbetet një prioritet i veçantë. Orientime të tilla se çfarë prodhojmë, sa prodhojmë, si e tërheqim dhe ku e tregtojmë, me çfarë politikash fiskale dhe instrumentesh i mbështesim këtë proces janë shumë të dobishme dhe shumë të mirëpritura sepse në fund fare janë shumë konkrete”, – vijoi Kryetarit i Kuvendit, duke u shprehur se ky ristrukturim i prodhimit bujqësor do të konsiderojë më shumë konjukturën e tregjeve rajonale, funksionimin e njësive të specializuar të këtij prodhimi, përsosjen e infrastrukturës grumbulluese dhe të tregtimit si edhe të eksportimit të tyre. 

Ndërkaq, z. Meta u ndal te disa modele suksesi në zonën e Myzeqesë, sidomos në kultivimin e luleshtrydhes, modele që kanë sjellë të ardhura dhe më shumë vende pune në disa zona të Lushnjës dhe Fierit. Kryetari i Kuvendit tha se fermerët duhet orientuar drejt kultivimit të atyre produkteve, që mund të kenë edhe tregun e sigurt.
“Meqenëse jemi te Universiteti Mesdhetar dhe kjo puna e luleshtrydhes mendoj që ia vlen të përmendet, sepse është kulturë e re në vendin tonë, por që ka avantazhe të jashtëzakonshme, dhe më mirë të bëjmë debat për luleshtrydhen se sa të bëjmë për kanabisin. Shqipëria është një ndër vendet e pakta që ka avantazhe të tilla për prodhimin e luleshtrydhes e cila gjithashtu kërkon një fuqi të konsiderueshme punëtore, pra kërkon krahë intensivë të punës dhe është mjaft e kërkuar në tregjet evropiane më të mëdha evropiane dhe botërore. Një mbështetje më e madhe e kësaj kulture jo vetëm që do të bënte të mundur një punësim shumë më të madh, njëkohësisht do të bënte të mundur ngopjen e tregut vendas, por edhe eksporte të jashtëzakonshme dhe me mjaft përfitim për ekonominë tonë kombëtare. Kemi disa eksperienca të shkëlqyera në Fier, suksesi i disa fermave ka bërë që në mënyrë masive shumë fermerë edhe pse kanë parcela jo shumë të konsiderueshme, të mbjellin, të bashkëpunojnë me ata të cilët kanë siguruar tregun dhe kjo po kthehet në një modë në Myzeqe, në një modë për mirëqenie, me të ardhura gjithnjë e më të larta dhe produktive”, – deklaroi z. Meta.

Për Kryetarin e Kuvendit, është shumë e rëndësishme të mendojmë se çfarë duhet të prodhojë fermeri dhe ku do ta shesë më pas produktin për të arritur leverdinë maksimale. Z. Meta shtoi se ky duhet të jetë orientimi kryesor, jo vetëm në fushën e bujqësisë dhe ushqimit, por edhe në të gjitha drejtimet e tjera. 
Sakaq, Kryetari i Kuvendit theksoi se pas stabilizimit të financave publike që po bëhet me vështirësitë e njohura, fokusi është përqendruar në “një trajtim ndryshe” gjithashtu të asaj pjesë të industrisë që Shqipëria ka dhe të burimeve natyrore, sidomos të industrisë minerare e asaj energjetike, të zhvillimit të turizmit dhe rritjes së investimeve të huaja dhe vendase në ekonominë tonë, duke synuar drejt një prodhimi me vlerë të shtuar, prodhim që vjen nga shfrytëzimi i novacionit dhe i teknologjisë së lartë. 

“Këtij qëllimi i shërben edhe përmirësimi dhe kompletimi i kuadrit ligjor për më shumë investime strategjike në zona ekonomike në vend, për një partneritet më efikas publik-privat, për zhvillimin e turizmit, dhe një sërë instrumentesh mbështetëse, politikat fiskale lehtësuese,etj. Në funksion të këtyre masave është dhe vazhdimi i reformave rregullatore dhe konsolidimi i rolit të disa institucioneve të pavarura që ndërhyjnë në treg. Njëkohësisht, përvoja pozitive e fituar në zhvillimin e industrisë së fasoneve duhet çuar më tej me politika mbështetëse për mbylljen e ciklit të këtyre produkteve në vendin tonë por edhe në zhvillimin e disa prodhimeve të artizanatit sidomos të shumë zejeve tradicionale, që ndihmojnë jo vetëm për punësimin por edhe për ruajtjen e traditave dhe për zhvillimin e turizmit”, – u shpreh z. Meta. 
Në fund, Kryetari i Kuvendit tha se e gjithë kjo “histori e re zhvillimi ekonomik”, që do t’i jepet vendit do ta kthejë Prodhimin e brendshëm bruto të ekonomisë tonë të bazohet në një strukturë të re, të fortë, të qëndrueshme me bazë prodhimin, që garanton më shumë zhvillim të qëndrueshëm dhe padyshim edhe më shumë punësim. 
“Ishte kënaqësi për mua të jem këtu dhe detyra jonë është të përmirësohemi çdo ditë. Unë këtë kam moton time dhe uroj sidomos për studentët, që secili ta ketë një moton e tij, pra të mësojmë çdo ditë sa më shumë dhe nga profesorët”, u shpreh Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta. 
Sigal