Meta nga Medvegja: Uroj që Beogradi të marrë vendimin e duhur për Kosovën. Takimet e ngrohta me komunitetin

632
Meta pritet ngrohtë në Luginën e Preshevës: Uroj që Beogradi të marrë vendimin e duhur për Kosovën
U prit me duartrokitje nga banorët e Medvegjës, foli për mungesën e vëmendjes ndaj kësaj krahine dhe për bashkëpunimin mes dy vendeve 
E para herë që një president i vendit tonë zhvillon një vizitë në Medvegjë, Serbi. Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ndodhet për një vizitë jo zyrtare në Medvegjë, Serbi ku është pritur në mënyrën më të ngrohtë nga shqiptarët. Dhjetëra qytetarë kanë dalë në rrugë dhe e kanë pritur Presidentin Meta. Në pikën kufitare të Mutivodës, Presidenti Meta u prit nga Kryetari i trupës koordinuese për Preshevën, Bujanocin e Medvegjën, Zoran Stankoviç, Kryetari i Komunës së Medvegjës, Nebojsha Arsiç, Nënkryetarja e Komunës së Medvegjës, Leme Xhema, këshilltarë shqiptarë të kësaj komune si edhe nga dhjetëra shqiptarë. Në pritjen e ngrohtë që iu bë nga shqiptarët dhe drejtuesit vendorë, Presidenti Meta theksoi ndër të tjera se: “Kjo është një ditë shumë e bukur për mua. Ndihem i emocionuar që ndodhem sot pranë jush. Politika duhet t’iu kushtojë më shumë vëmendje shqiptarëve këtu dhe këtyre zonave. Shpresoj që kjo vizitë e imja të kontribuojë në këtë drejtim. Nga Medvegja dua të theksoj se e ardhmja e popujve tanë dhe e të gjithë rajonit është në Bashkimin Evropian dhe kjo mund të realizohet vetëm duke bashkëpunuar më ngushtë me njëri-tjetrin”. Vizita e Presidentin Ilir Meta është ndjekur me shumë vëmendje edhe nga mediet serbe. Radio Televizioni i Serbisë, ka raportuar se fundin e vizitës në Medvegjë, Meta do ta ketë në shkollën e Tupalut.

“Në Medvegjë u ndjeva më mirë se në vendlindjen time. Shqiptarët në Medvegjë, Bujanoc e Preshevë gjithmonë ne vëmendjen time. Uroj që Beogradi të marrë vendimin e duhur për pavarësinë e Kosovës, në kohën e duhur, në interes të gjithë rajonit”, tha Meta për mediat shqiptare dhe serbe.

Ndërkohë Presidenti Meta ka dhënë dhe prononcim të shkurtër për gazetarin Idro Seferi. Në këtë deklaratë, meta është shprehur se kërkon ndjesë në emër të Shqipërisë për lënien e kësaj krahine ku banojnë shqiptarë, jashtë vëmendjes. 
Meta në Medvegjë, ndiqet nga afër nga ambasadorët e huaj
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka zhvilluar një vizitë jo zyrtare në komunën e Medvegjes në Serbi, ku është takuar me shqiptarët që jetojnë aty. Burime bëjnë me dije se kjo vizitë e Presidentit Meta, u ndoq nga afër dhe nga ana e ambasadorit të OSBE-së, për komunën e Mdvegjes. Ndërkohë të njëjtat burime bëjnë me dije se vizitën e përcollën edhe disa nga ambasadorët e huaj perëndimorë të akredituar në Beograd.
Sigal